MENU
klinika

Premier League, Java 23

Liverpool përmbys me Salah, marshon United

19.01.2019 - 17:55

Fitore të vuajtura, por me mjaft vlera për dy nga gjigantët e Premier League. Kështu, Liverpool ka përmbysur në pjesën e dytë shifrat, duke fituar 4-3 ndaj Crystal Palace, ndërsa Manchester United ka fituar 2-1 në shtëpi ndaj Brighton.

Pjesa e parë për Liverpool ka qenë një katastrofë e vërtetë. Miqtë kanë shënuar në minutën e 34 me anë të Toënsend dhe e kanë mbyllur pjesën e parë 0-1.

Por me të filluar e dyta, Salah rikthen ekuilibrat dhe të kuqtë hidhen në sulm për të shënuar golin e dytë. E arrijnë këtë shpejt, kur Firmino kthen në gol një pasim të Keita në minutën e 53-të.

Gjithsesi, Crystal Palace nuk dorëzohet dhe barazon shifrat në minutën e 65-të me anë të Tomkins. Ndeshja ndizet edhe më shumë. Në fushë hyn edhe Shaqiri, loja merr impulse dhe Salah shënon golin e tretë dhe të fitores në minutën e 75-të.

Në minutën e 89-të, Milner merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë Liverpool-in me 10 lojtarë. Megjithatë, vendasit shënojnë golin e katërt në shtesë me Mane, para se miqtë të ngushtonin në fund dhe për të mbyllur ndeshjen në 4-3.

Të Kuqtë shkojnë në +7 pikë, por Manchester City ka një ndeshje më pak, atë ndaj Huddersfield në transfertë.

Ndërkohë, Manchester United ka marrë fitoren e shtatë radhazi, 6 në kampionat dhe 1 në kupë, që pas largimit të Mourinho-s. “Djajtë e Kuq” tashmë janë 3 pikë larg zonës Champions, pavarësisht se Chelsea ka një ndeshje më pak.

Sa i takon ndeshjes ndaj Brighton, ishte Pogba që shënoi golin e parë me penallti në minutën e 27-të. Në fundin e pjesës së parë, Rashford shënon golin e dytë, shumë i bukur për nga mënyra e ekzekutimit.

Në pjesën e dytë, miqtë ngushtojnë rezultatin me anë të Gross në minutën e 72-të. Gjithsesi, United arrin ta mbrojë rezultatin, madje mund të kishte shënuar edhe një gol të tretë në fund.