MENU

Raporti i Bankës Botërore

Lufta tregtare po “minon” ekonominë

10.01.2019 - 09:04

Banka Botërore theksoi në raportin e fundit 6-mujor se konfliktet e vazhdueshme tregtare po japin një ndikim negativ. Raporti, i quajtur “Qiej të errësuar”, arrin në konkluzionin se rritja ekonomike botërore është ngadalësuar,  tensionet tregtare qëndrojnë të larta dhe rreziqet ndaj perspektivës janë shtuar.

Manaxherja e Grupit të Perspektivës së Zhvillimit, Franziska Ohnsorge, theksoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje në luftën tregtrare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, për të mirën e ekonomisë botërore.

“Shqetësimi qëndron te dy ekonomitë më të mëdha në botë, ku tensionet tregtare po shtohen.  Shtetet e Bashkuara dhe Kina përbëjnë 20% të tregtisë globale dhe zënë 40% të Produktit të Brendshëm Bruto në botë.  Nëse tensionet tregtare përkeqësojnë rritjen ekonomike apo ngadalësojnë ekonominë e dy vendeve, efektet do të përhapen në të gjithë botën,” shprehet ajo.

Ajo shton se kanë vlerësuar një skenar ku ekonomia ngadalësohet me 1% tek të dy vendet në gjysmën e dytë të 2019-ës. Sipas Bankës Botërore, kjo do të ngadalësonte ekonominë botërore me 0.75%-1% në këtë vit edhe tjetrin. Raporti projektoi një rritje ekonomike prej 3% në 2018-ën, 2.9% këtë vit dhe 2.8% në vitin 2020.

Sipas organizatës, e gjithë kjo do varet nga performanca e ekonomisë amerikane. Banka Botërore projekton një rritje me 2.5% të ekonomisë më të madhe në botë këtë vit, nga 2.9% që pritet për 2018-ën.  Në vitin e ardhshëm, norma pritet të bjerë në 1.7%

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN