MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Luftë e hapur Meta-Rama, viktimë apo përfitues Cakaj?

10.01.2019 - 19:28

Është krejt e qartë se me aktin e fundit, refuzimin e kandidaturës së Genti Cakajt si ministër i jashtëm, lufta midis presidentit dhe kryeministrit arriti kulmin.

Nëse me refuzimin e përkohshëm të Lleshajt, Meta përdori deklarata për shtyp që indirekt atakonin Ramën, në rastin e Cakajt, teksti i gjatë, tërësia e argumentave, sensitiviteti, por dhe agresiviteti i tyre ishin konceptuar si një akuzë e fortë që ndonëse i drejtohej Cakajt, praktikisht godiste kryeministrin. Nëse me Lleshajn, megjithë nervozizmin, Meta ruajti sadopak etikën institucionale, në rastin e Cakajt, nuk u përmbajt : bëri publike akuzat për një politikan teknokrat të ri, që realisht atakonin kryeministrin që zgjidhka figura të tilla problematike ! Edhe përgjigja e Ramës jo thjesht në parlament, por në instagram dhe facebook ishte e ashpër si në një betejë pa kthim. Beteja mes tyre futet në një kontekst më të gjerë ngjarjesh që e rrit konfliktualitetin politik : protestat studentore, fillimi nga puna i institucioneve të reformës në drejtësi-SPAK, zgjedhjet e reja, etj, ku Presidenti nuk është krejtësisht indiferent.

nazarko top channel

Shkelje kushtetute

E vërteta e kësaj lufte është se Meta këtë herë e teproi duke dalë ndjeshëm nga vijat e kuqe institucionale, duke shkelur kushtetutën, ndonëse shkeljet e kushtetutës janë të tilla kur konstatohen nga institucioni përgjegjës. E sot, edhe për faj të shumicës, për faj të Ramës Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale. Nëse ajo do të investohej do ishte e pamundur të mos konstatonte se Presidenti nuk ka të drejtë të mos dekretojë ministrat me argumenta si ata që përmbante letra presidenciale dhe kësisoj Presidenti nuk do e bënte me atë gabim në të ardhmen. Po si do shprehej Gjykata Kushtetuese nëse do investohej ? Që ndonëse Kushtetuta parashikon se « Presidenti emëron ministrat », kjo kompetencë (fuqi që i takon) e Presidentit nuk parashikohet tek kapitulli kushtuar atij, por tek kapitulli i kryeministrit, i cili është figura kryesore ekzekutive një një republikë parlamentare si jona. Ndërkohë sipas Ligjit themelor, ministri duhet të plotësojë kushtet e deputetit, që nga letra presidenciale nuk del se nuk përmbushen. Po, presidenti mund të refuzojë një ministër teorikisht dhe jashtë përshkrimeve kushtetuese, për arsye morale, mirëpo a jemi në këto kushte në rastin e Genti Cakajt? (gjella me kripë dhe kripa me karar)

Meta i përkryer si politikan

Meta ka luajtur perfekt si politikan, por jo saktë si burrështeti : po instalon si normalitet rregullën e refuzimit të ministrave, një moment në marrëdhëniet me shumicën, ku e dëmton më së shumti atë, sesa kur refuzon një ligj. Në refuzimin e ministrave sherri bëhet i personalizuar, dmth nominal, efekti politik brenda shumicës dhe jashtë saj shumëfishohet për shkak të thashethemnajës që kultivojnë emrat e përveçëm. Meta ka zgjedhur të kundërshtojë një ministër të jashtëm për të cilin me gjasë nuk ka mundësi të ushtrohet presion prej perëndimit ndaj tij, por as prej Kosovës institucionale që është e ndarë : Genti Cakaj nuk është i dërguar i Kosovës në qeverinë e Shqipërisë, por vepron në të si shtetas i vendit amë.

Meta nuk është ndalur me kaq : teksti ndonëse është i përqëndruar tek një argument ligjor si ai i certifikatës së sigurisë, që nuk mjafton për të ndalur dikë të bëhet ministër, praktikisht endte një fill konspirativizmi që do ushqejë thashethemet në krejt hapësirën shqiptare. Imagjinoni, përmendet dhe Batoni i famshëm, ku Genti ka dhënë një intervistë e sipas citatit nuk e ka quajtur problem shkëmbimin e territoreve ; nuk është verifikuar as nga Kosova dhe as nga Shqipëria, etj, etj.

Shkarkimi i padrejtë i Bushatit

bushati-konica.al

Me veprimin e vet, Meta praktikisht është duke ndihmuar të qëndrojë ligjshëm në detyrë Bushatin dhe për pak kohë. Me arsye normale, ministri i jashtëm Bushati nuk mund të shkarkohej mu kur Shqipëria arriti një sukses të madh të paimagjinueshëm si drejtimi i radhës i OSBE-së dhe kur hyn në procese të tilla si bisedimet e Kosovës me Serbinë, apo shqyrtimi i kandidaturës së saj për anëtarësim në BE, në qershor 2019. Ministrat e jashtëm të vendeve të vogla vështirësisht shkarkohen, sepse ata veçanërisht kur janë në rol prej një kohe të gjatë bëhen pjesë e një rrjeti miqësish me homologë vendesh të fuqishëm, që sapo merret vesh shkarkimi i tyre eventual ndërhyjnë në mbrojtje të shokut. Për këtë shkak Rama me gjasë e bëri lëvizje surprizë largimin e zotit Bushati, me të cilin kanë ndarë shumëçka në ndryshimet e mëdha në politikën e jashtme duke propozuar një emër gjithaq surprizë si Gent Cakaj.

Cakaj viktima e shkëlqyer e sherrit mes krerëve të shtetit

gent cakaj-konica.al

Mirpo me lëvizjen e tij, Presidenti Meta praktikisht tregoi se e paragjykoi që në fillim Cakajn, duke mos e dekretuar shkarkimin e Bushatit pikërisht për të ngjarë si konstruktiv- që nuk e lë vendin pa ministër të jashtëm. Dhe sipas fjalës së urtë « kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët », ndërtoi me anë të letrës së tij publike për Ramën, një fabul demonizuese : jo institucionale, por mbase efektive për mitologjinë popullore.

Ndërsa pohojmë se Bushati nuk duhej të ishte shkarkuar, (për fitoren e PS në Shkodër nuk na duhet të shqetësohemi) sot jemi para faktit të kryer. Rama e ka marrë vendimin largues edhe sipas kushtetutës, nuk na mbetet veçse të komentojmë pasardhësin, sepse një politikan si ai vështirë se tërhiqet në një betejë ndërinstitucionale që e cënon sadopak imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Me gjasë Rama e bëri lëvizjen spektakolare me Cakajn si është në stilin e tij të suprizave për të impresionuar sadopak bashkësinë diplomatike me një teknokrat të ri të Universitetit katolik të Lëvenit, nga më të mirët në Europë.

Vendet e vogla shpesh mundohet të impresionojnë kësisoj me ministre gra, apo të rinj me shkollim cilësor (Jeremiç i Serbisë), ndonëse rasti i Kurz-it të Austrisë ngjan : 23 vjeç sekretar shteti për integrimin dhe 26 vjeç ministër i jashtëm i një vendi me traditë perandorake. Cakaj i sprovuar afër Ramës ja ka mbushur mendjen atij për aftësi, njëlloj si njerëzit e bashkisë së Tiranës që rrinë me të prej 18 vjetësh. Në rolin e ri Cakaj duket se qëndron mirë për integrimin europian për të cilin është specializuar, dhe nuk ka asnjë dyshim se zgjedhja e tij rezonon me procesin e bisedimeve Kosovë- Serbi, ku Shqipëria dhe rajoni kanë peshën e vet. Është afërmendsh se Shqipëria dhe Kosova në këtë proces duhet të jenë në harmoni të plotë dhe Cakaj (jo prej citimit tek Batoni që gjendej në letrën presidenciale) e mishëronte këtë harmoni.

E këto bisedime janë molla e sherrit për të cilat përplasen Rama dhe Meta, me synim rritjen e ndikimit në Kosovë. Sot në Kosovë emërimi i Cakajt dhe Shahinit kanë krijuar impakt të ri, në një shoqëri e cila gjendet në një konfuzion të madh dhe ku fryma e distancimit nga Shqipëria kultivohet me mjeshtëri nga pjesë të caktuara të elitës ekonomike të ndikuara nga Serbia.

Në këtë sherr të madh, Bushati ngjan përfitues si efekt kolateral i aksionit të Metës, kurse viktima ngjan Cakaj, i cili papritmas u gjet në syrin e ciklonit. Për të rënë përfundimisht apo për t’u ngritur lart ?

Me video: