MENU
klinika

Çfarë simbolizon kjo lule?

Lulja e jaseminit/ Fuqitë simbolike dhe kulturore të saj!

24.01.2019 - 17:11

Prej shumë shekujsh, populli kinez ka rrethuar me aureolë nderimi të veçantë lulen e jaseminit.

Tradicionalisht, kjo lule ka simbolizuar harmoninë e shumëanshme të kinezëve me njëri-tjetrin, me natyrën dhe forcat e mbinatyrshme, si dhe begatimin, përparimin e shumëanshëm në jetën e tyre.

Lulja e jaseminit gjithashtu ka shërbyer si burim frymëzimi për poetët, piktorët etj. Tradicionalisht, artistët kinezë testonin fuqinë e talenit të tyre me krijime të shumëllojshme për jaseminin: poetët konkuronin me njëri tjetrin në përpjekje për të thurur poezinë më të mirë për këtë lule. Piktorët nuk reshtnin së pikturuari jaseminin pothuajse në çdo fazë të krijimtarisë së tyre.

Kënga “Një lule e bukur jasemini” shoqëroi si himn Lojërat Olimpike Botërore të zhvilluara në Pekin në vitin 2008. Pak kohë pas këtyre lojërave për jaseminin filloi stina e “ngricave” simbolike.

Duke filluar nga java e dytë e shkurtit 2011, revolucionet që shpërthyen në vendet e Afrikës Mesdhetare përdorën jaseminin si simbol-ikonë. Kryesisht përmes linjave të internetit ky mesazh ri që përcillte jasemini, difuzoi ndër kinezët.

Njerëzit me shpirt rebel nëpërmjet internetit i shtynin kinezët që çdo të dielë të zbrisnin në rrugë të heshtur me një jasemin në dorë. Grumbullime të tilla do të funksiononin si formë e protestave kundër abuzimeve të strukturave shtetërore me pushtetin, kundër padrejtësive të shtetit kinez dhe për të fituar lirinë e të shprehurit.

Në këto rrethana, strukturat përkatëse të shtetit kinez ndërmorën masa drastike kundër jaseminit.

Ndaluan kultivimin dhe tregtimin e tij. Madje në web-in përkatës të Kinës, ndër 200 fjalët që censurohen janë edhe fjalët “mërgim”, “playboy”dhe “jasemin”.

Kjo lule e nderuar ndër shekuj kaloi në “ilegalitet” për dy arsye kryesore: lulja e jaseminit filloi të përdorej si simbol i pasuesve të sektit fetar të Falun Gong-ut të përndjekur nga shteti kinez dhe i kundërshtarëve politikë.

Në shkurt të vitit 2011 policia kineze shtypi grumbullimet e organizuara nëpërmjet thirrjeve në internet në emër të “revolucionit të jaseminit”.