MENU
klinika

Pason Elisabeta Gjonin

Luljeta Minxhozi, zv/guvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë

10.01.2019 - 09:44

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjodhi të mërkurën Luljeta Minxhozin si zëvendësguvernatore të parë të institucionit. Ajo do të pasojë në këtë detyrë Elisabeta Gjonin, mandati i të cilës si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës përfundoi në fund të vitit të kaluar.

Prof.Dr.Luljeta Minxhozi u zgjodh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës në Dhjetor, e propozuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ajo është diplomuar si ekonomiste në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982 dhe mban titullin “Profesor” që prej vitit 2011.

Në vitin 1982, nisi karrierën akademike si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, pasuruar më tej me eksperienca në universitete të ndryshme, ku veçojmë pozicionin e Dekanes së Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, për periudhën 2008-2018, dhe pozicionin e Zëvendësrektores në Kolegjin Universitar “Luarasi”, në vitin 2018.

Sipas curriculum-it zyrtar, gjatë eksperiencës së saj akademike, Luljeta Minxhozi është angazhuar si pedagoge titullare në lëndë të ndryshme të fushës ekonomike dhe financiare në një sërë universitetesh, brenda dhe jashtë vendit, dhe është autore e shumë studimeve të karakterit ekonomik, artikujve shkencorë, botimeve akademike, teksteve universitare dhe monografive.

Nga pikëpamja organizative, zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë ka në varësi departamentin e politikës monetare, atë të operacioneve monetare, të sistemeve të pagesës, kontabilitetit dhe financës dhe departamentin e teknologjisë së informacionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN