MENU
klinika

Rezultatet tronditëse të sondazheve

Makron po “rrëzohet”/ 75% e francezëve të pakënaqur

04.01.2019 - 14:22

Tre të katërtat e popullsisë franceze janë të pakënaqur me mënyrën se si Presidenti Emmanuel Macron dhe qeveria e tij drejtojnë vendin, bëri të ditur një sondazh të enjten.

Protestat e “Jelekverdhëve” gjatë dy muajve të fundit kanë tronditur presidencën e Macron, duke e detyruar atë të bëjë lëshime, që përfshijnë heqjen e një rritjeje të taksave të karburantit.

Duke u përballur me sfidën më të vështirë të mandatit të tij prej 20 muajsh, Macron ka premtuar se do të vazhdojë me premtimet të tjera të fushatës, por protestat vazhdojnë.

Vetëm 25 për qind e njerëzve, të anketuar nga Odoxa dhe Dentsu Consulting, thanë se ishin të kënaqur me masat dhe veprimet e qeverisë franceze që kur Macron erdhi në pushtet në mes të vitit 2017.

Sondazhi i 1,004 njerëzve, i kryer më 2 dhe 3 janar, në krahasim me atë të prillit 2018, ka një diferencë të madhe, sepse vetëm 59 për qind e të anketuarve ishin të pakënaqur me qeverinë ndërsa tani kjo përqindje ka shkuar në 75.

Mbështetja për demonstratat e “jelekverdhëve”, të cilat kanë sjellë përçarje dhe shkatërrime në Paris dhe në qytete të tjera të mëdha, po ashtu është pakësuar krahasuar me anketat e mëparshme dhe pasi Macron përmbushi disa nga kërkesat e protestuesve.

55 për qind e të anketuarve thanë se mendonin se protestat duhet të vazhdonin, krahasuar me 54 përqind më 11 dhjetor dhe 66 përqind më 22 nëntor menjëherë pas shpërthimit të lëvizjes.

Lëvizja filloi si një protestë kundër rritjes së taksave të naftës, e cila është përdorur gjerësisht nga shoferët francezë dhe ka qenë prej kohësh më pak e taksueshme se llojet e tjera të karburantit.

Macron fajësoi çmimet botërore të naftës për tre të katërtat e rritjes së çmimeve, por tha se taksat më të larta për lëndët djegëse fosile ishin të nevojshme për të financuar investimet e energjisë së rinovueshme.

Protestuesit dolën në rrugë duke veshur xhaketa të verdha të dukshme që kërkohen të mbahen në çdo automjet nga ligji francez.

Por protestat kanë shpërthyer gjithashtu mbi çështje të tjera, duke përfshirë thirrjet për paga më të larta, taksa më të ulëta, pensione më të mira dhe kërkesa më të lehta për hyrjen në universitet.

Ministri i Financave Bruno Le Maire e quajti situatën “një krizë” për shoqërinë dhe demokracinë. “Kjo është një katastrofë për tregtinë, është një katastrofë për ekonominë tonë”, tha ai gjatë një vizite në dyqanet në Paris që ishin dëmtuar gjatë protestave.

Kryeqyteti ishte veçanërisht i goditur rëndë, me dritare të shkatërruara, makina të djegura dhe dyqane të grabitura, pasi 10,000 vetë morën pjesë në demonstrata.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, viti i humbjeve të mëdha për Evropën…