MENU
klinika

Në TEK ''Kujtim Spahivogli''

”Mbretëresha e bukurisë nga Lennane” triumfon në Tiranë

28.01.2019 - 12:36

Analizë nga Eugent Kllapi/

‘’Më shumë rreziqe kam ndeshur në njerëz sesa ndër kafshë.’’ Friedrich Nietzsche

Njeriu me paplotësinë e vet është drama e të gjithë dramave, drama më e madhe e ka emrin femër. Femra është krijimi i botës dhe drama më e madhe për t’u përcjellë.

Drama lindi nga femra si njeriu i parë që kur lindi qau, ishte i sigurt në errësirë, lindi në tronditje në dritë, ishte i sigurt në ushqim, tashmë duhej të ushqehej nga nëna, ishte i sigurt nga gjithë armiqtë e botës në barkun e nënës, tashmë shumë njerëz e shikonin, ishte i i butë në qullësi, tashmë duhet të provonte thatësirën, dritën. Dhe kjo përkëdhelej e shuhej nga qenia më e ëmbël, nëna. Po sikur nëna të jetë katile, shpirtligë dhe kafshërore?! Farë mirë kjo mund të bëhej një kryevepër dhe u bë në një vend që quhet Irlandë. Kryeveprat e lashtësisë homerike kanë ndodhur nga femrat. Po a është kjo vetëm dramë për femrën?! Apo mos nga drama femër lindin gjithë tragjeditë?!

 Më 26 janar në orën 19:00, në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’ u shfaq një kryevepër botërore “Mbretëresha e bukur e Linejnit” me autor Martin Mekdonah. Kjo vepër e ardhur nga regjizori Kiço Londo, u shfaq nga një kastë aktorësh të talentuar si: Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha. Vepra erdhi si riinterpretim i pas 20 viteve të mëparshëm nga një kastë aktorësh të mirënjohur si Drita Pelingu, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Ben Derhemi. Në kohën e tyre patën sukses dhe tashmë një sukses të plotë dhe të zgjatur duartrokitjesh kishte në një teatër ku nuk mund të hidhje dot as kokrën e mollës. Ai ishte tejmbushur për këtë shfaqje premierë dhe u derdh si lumë duartrokitjesh. Po a e plotësoi vepra e shfaqur misionin e saj?

Skenografia e Beqo Nanaj kishte elementë artistikë të goditur, e gjithë ngjarja ndodhet në një shtëpi fshati karakteristike. Elementët artistikë ishin vendosur aty ku duhej, si dhe shumë simbolika që përshtateshin me zhanrin e kësaj vepre të quajtur ndryshe si komedi e zezë.

Panoramën e truimfonte druri, dru fshati i zhytur në një sallon të rrethuar nga pak mobileri të vjetra. Në qendër të kësaj panorame ishte një tavolinë po druri, 2 karrige druri, dhe një karrige lëvizës druri tjetër ku shtriheshin siptoma të rrezikshme psikologjike.

Guzhina ishte koncepti kryesor i ndërtimit të shfryrejeve dhe inateve, ndërtuar skenografisht bukur dhe dru. Skena e ndriçuar thyente errësirën e vendeve të publikut. Elementë simbolikë u shfaqën shpesh po më e rëndësishmja ishte trau, trau ose shuli tek dera e drunjtë që ndalonte ose linte të lirë gjendje dhe mendime, situata të drunjta. Kësaj simbolike i shtohesh dhe një muzikë si e drunjtë irlandeze.

Më pas dy zogj që përputheshin me dy protagonistet kryesore të veprës, si dy zogj të mbyllur nga trari dhe një radio, radio që risillte rrotull dhe përrreth të njëjtën situatë muzikore, deri në fund ajo sjell pikën e fundit në fillim, dhe riciklimi i gjendjeve shpirtërore patologjike, e vjetra i zë vend të resë si kënga e preferuar e nënës. Bukur tradicionalja ishte thurur në skenografi dhe përshtatej mirë me karakteret, subjektin e veprës. Si elementë përplotësues ishin lopata, masha, libra, një dritare e madhe dhe si ekran, gjetje shumë e bukur kjo. Skenografia ishte në funksion të rregullt me dramën.

Kostumografia po aq e vendosur bukur dhe me plotësimin e roleve erdhi nga Sofi Kara. Tradicionalja ishte ndërthurur me veshjet moderne sipas funksionit të situatave të komedisë. As/regjisor ishin Marsel Greva, Kleard Gërmenji.

Por çfarë është kjo komedi e zezë që pjell kaq shumë drama si një nënë e ligë, dhe çfarë ndodhi në teatër? Bukur dramës i përshtaten edhe disa thënie të Friedrich Nietzsche-s që do ta shoqërojnë analizën deri në fund.

Autori Martin Mekdonah, një autor që ka pasur një sukses të jashtzakonshëm, një dramaturg i madh, më 1 shkurt të vitit 1996 nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë e ka shfaqur këtë komedi për herë të parë. Ajo gjithashtu shijoi suksesin e shfaqjeve në Uest End të Londrës, Broduej dhe Of-Broduej në SHBA. Me po të njëjtin sukses ajo u shfaq në një lumë duartrokitjesh në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’.

 ‘’Është kandiduar për çmimin Lorenc Olivier si vepra më e mirë dramatike për produksionin e Londrës, dhe produksioni i Broduejit i vitit 1998 u kandidua për 6 çmime Toni, duke fituar 4. Kjo komedi tragjike vazhdon të shfaqet me sukses në skenat botërore.’’

Por çfarë stis dramaturgu me këtë vepër?

‘’Ai që është i pakënaqur është gati për hakmarrje.’’

Vepra paraqet njëherëzi shumë paralele dramash dhe shumë problematikë, por mjeshtëria e autorit është se ai i thur të gjitha në një dialog të thjeshtë personazhesh por që shprehin drama të mëdha. Si një vorbull vrime e zezë është krijimi i një marrëdhënie nënë-bijë brenda një shtëpie që rrethrrotullon gjithë domethëniet e gjithë mikrodramave që përjetohen në shfaqje.

Drama e identitetit është drama më e madhe që shfaqet brenda kësaj komedie të zezë, drama e qenies, drama e dashurisë së munguar dhe dashurisë shterpë, drama e nacionalizmit shterpe, drama e jetës së pajetuar, drama e qenies femër të paplotësuar, drama e çiftit të pafat. Drama e dramave është sindroma sadisto-mazohiste e marrëdhënies nënë-bijë nën vellon e përkujdesit. 

Më shumë se dashuri ka urrejtje dhe më shumë se jetë ka vdekje, më shumë se qytetërim ka periferi, dhe më shumë se periferi ka bukuri natyrore në disa kartolina të Megit që ndjellin vuajtje. Më shumë se komoditet ka inate dhe më shumë se inate, ka pafund patologji shoqërore që mund të jenë në dyert e çdo familjeje të zakonshme. Këto bëhen simbiozë të marrëdhënieve.

E veçanta e kësaj vepre është se mesazhet që ajo sjell janë të përbotshme. E gjithë kjo vepër është dhe erdhi me dialogje të thjeshta, pasi dhe e thjeshta është universale te çdo shoqëri ku celulën e saj ka familjen. Ndonjëherë me fjalor bajat, vulgar të roleve. Si makroja dhe mikroja nga e njëjta lëndë materie dalin.

Pra drama e dramave thurret aty në familje, aty ku mbrujtjen personalitetet e njerëzve, aty ku, sa liri, mund të ketë pranga të përjetshme të obsesioneve imponuese, vuajtje, urrejtje, shfryrje gjithfarëshe të njeriu të dobët, njeriut të errët. E ku matet njeriu se sa të errët ka brenda vetes, varet se kë ka mbajtur afër dashurinë apo urrejtjen. Impotenca mund të shpallë humbje të një identiteti që më shumë se e dëshiron e mëshiron. Po mos vallë këto i kemi dhe ne brenda vetes dhe e përjetojmë më mirë në shfaqje?

Vepra është e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, në një Irlandë periferike që mund të ishte Shqipëri periferike. Sa ka këndvështrim të qendrës, ka dhe periferi brenda kësaj qendre, qendra është gjithmonë një periferi ndjenjash të pafundme. Vështirë të përjetohet qendra.

Me nota të forta komike pas shumësi nënqeshjesh në sallë dhe në një dramë që përfundon me tragjedi, autori i trajtuar nga regjizori Kiço Londo e ka përshtatur vetëm në 4 karaktere njerëzish. Në 2 karaktere nënë e bijë, i dashuri pretedent i të bijës dhe vëllai postier i të dashurit të vajzës. A ia arriti qëllimin Kiço Londo me këtë kryevepër?

‘’A je skllav? Atëherë s’mund të bëhesh mik i askujt. Apo mos je tiran? Atëherë askënd s’mund të bësh mik.’’

Si bosht i një vorbulle thithëse të së keqes në gjithë dramën sillet një marrëdhënie përplotësuese urrejtjeje më shumë se përkujdesjeje e familjes Folan. Si nënë dhe bijë nuk mund t’i shmangen dhe nuk mund të jetojnë pa këtë varësi, po edhe pa këtë dhunë. Një marrëdhënie sindrome të ardhur nga institktja e njeriut vjen në lidhjen sadisto –mazohiste që në të dy karakteret mund të ndërrojnë rol. Erich Fromm do ta adhuronte që ta analizonte përplotësinë e kësaj simbioze të pashtershme varësie në shfaqje.

Sadisti mund të bëhet mazohist dhe e kundërta kur secila gjen forcën duke përulur tjetrën, dhe secila i gjen pikën e dobët, i gjen mënyrën e poshtërimit, të talljes, të brutalitetit, të meskinitetit e deri tek urrejtja e hapur e lojës komike nëpërmjet batutave në sallë nga fillimi në fund të komedisë.

Në një komunikim që më shumë është monolog i unit, i vetvetes, i shpirtngushtësisë. Në këtë situatë vjen në mes të shfaqjes një vajzë e quajtur Morin, e luajtur bukur dhe shumë me pasion nga aktorja shumë e talentuar Laura Nezha. Morin ka pasur një të kaluar drithëruese dhe një kalvar vështirësish në emigrim sa dhe depresion të theksuar. Morin është një vajzë e thjeshtë periferie, po në fakt të jashtzakonshmet në karakter dalin nga e thjeshta. Ajo duket në veprimet e saj të prera, fodulle, arrogante kundrejt nënës së saj që qëndron pothuajse në karrige ulur në të shumtën e kohës me ironinë e saj vrasëse për kundërargument.

 ‘’Vërtet njeriu është një lumë i ndyrë; duhet të jesh det për të pritur një lumë të ndyrë pa u ndotur.’’

Shkathtësia plotësohet nga bukuria e saj fizike pak e vrarë, e thjeshtë, punëtore dhe shërbyese e nënës së saj. Në pamje të parë ajo shpall një qëndrim femre të palëkundur, të paepur për t’u përballur me gjithçka. Duket sikur Laura në rolin e Morin ka gjithë forcën e jetës për të qenë femër, porse jo, ajo sipas rolit ka dramat e saj që sjellin vuajtje, një femër e virgjër 40 vjeçare, e rënuar psikologjikisht nga depresioni. Ajo ka kaluar një fazë depresioni kur ka qenë e re dhe e izoluar në një qendër psikiatrike në Angli. Tashmë ajo është 40 vjeçe por e detyruar të jetë nën një shtëpi me mamanë Megin, kujdestares së saj sa dhe urrejtjes së saj. Dhe duket sikur Laura është Morin, dhe Morin ka sozien e saj Laurën. Laura ngjit në Morin por dhe në Meg. Laura si aktore e sjell paksa më të re në moshë, është e vrullshme sa dhe e pakapshme në shkathtësinë e saj. Zëri i saj i qartë dhe kumbues godet.

Sigurisht, nën petkun e dhunës fshihet gjithmonë frika. Ecejaket e Laurës në sallën kryesore duken si pjesë e jetës së çdo artdashësi që e shikon në errësirë një aktore të talentuar. Është e zhytyr, aq bukur në atë rol dhe në lëvizje, sa vetëm tabani i sallës, dyshemeja që kërcet fort, të rikthen në realitet ku çdo gjë quhet shfaqje.

Mjeshtërisht në çdo fazë të saj deri në fund me trishtimin dhe dhimbjen e saj Laura Nezha ia doli si aktore e talentuar në disa komedi të zezë. Ia doli ta sjellë ‘’Mbretëreshën e bukurisë’’ perfekte, të bukur, ia doli deri në fund pa stonim tragjedinë e vajzës, pa thyerje personazhi, ishte e mrekullueshme dhe kishte barrën më të rëndë të shfaqjes, rolin kryesor, dinamikën e një vajze me një ndrydhje të madhe, dhe me një shpirt të lënguar. Në një rol të madh të një vepre të madhe. Impotenca e saj kundër nënës Megin në shfaqje del po me forcë karakteri të vetë aktores Laura Nezha ku ka shumë varësi të fshehur. Me po të njëjtën forcë ajo është tipike e egër, e bukur dhe fodulle përballë një nëne që e urren dhe që do t’i japë dhe verdiktin e fundit, vdekjen.

Një lojë sadisto-mazohiste e përkryer por që në fund të dramës shpall tragjedi. Nëna i lë vendin të bijës ulur në karrige. Në një moment kur zbret shkallët ajo pati të vetmin stonim, pothuajse u rrëzua nga shpejtësia dhe shumë mirë e tejkaloi këtë veprim po me shkathtësi, në të gjithë kohën ishte elokuente, ekselente.

Nga ana tjetër shfaqet një nënë katile, e heshtur, e keqia e gjithë dramës që përplotëson gjithë të këqiat e fshehura, edhe  nëna Megin ka vuajtur ne emigrim, ka humbur burrin, 2 vajzat e tjera të familjes janë martuar jashtë Irlande, emigrimi i ka hequr pjesën njerëzore, e ka bërë kafshërore. Edhe kafsha e do pjellën e saj por njeriu jo, njeriu në dramat e veta dhunon njerëzit më të afërm për të krijuar pushtet.

Ajo e dhunon verbalisht vajzën sepse ka pushtet, me nënqeshjen e saj shprehet dhuna, kjo grua është bërë e verbër, derisa ia nxin jetën vajzës së saj. E megjithatë nga dhuna fshihet frika. Kjo frikë luan me instinktet e saj për të mbijetuar në sëmundjet e shumta që ka, mendore dhe fizike. Çalimi paksa në të ecur nuk e ul ligësinë e saj, ia përplotëson. Me një veshje karakteristike të lëshuar ajo urren veshjet lakuriqe, dikur në kohën e saj ishte ndryshe dhe e bukur çdogjë.

Nëna Megin, e luajtur nga Ermira Gjata erdhi mjeshtërisht shkëlqyer. Ermira Gjata, profesoreshë dhe e njohur në shumë role shfaqjesh në teatër dhe në filma, role që sjellin delikatese, erdhi e mrekullueshme në tmerrin e një nënë të vrazhdë për vajzën e saj. Ermira Gjata me Laura Nezhën janë dyshe që ngjisin situata dhe rrethana dialogjesh. Ky karakter që duket i lehtë në radhë të parë ka tragjekomedinë brenda, ka shumë errësirë dhe vuajtje, nuk mund të vijë nga një aktor pa pasur një karrierë të fortë profesionale.

‘’Baltë ka në fund të shpirtit, dhe e keqia më e madhe është se balta e tyre ka akoma shpirt.’’

Nën autoritetin e nënës që shumë herë nuk e ka, i kërkon vajzës për të ngrënë qull, për të pirë çaj dhe për të ngrënë biskota që i jepen po aq me prepotencë, për të shikuar lajmet në televizor. I jepet urrejtje dhe dhunë verbale, si një dëmshpërblim i sjelljes së saj, sigurisht edhe çaj pa sheqer dhe me forcë fizike qull. Të dyja këto forma institktuale legjetimohen nga e errëta. Nëna megjithëse shpërfillet dhe urrehet i ka pikta të dobëta te vajza, faktin, dhe vajza është e detyruar t’i shërbejë asaj. Të dyja duan dhunën ku në prapavijë fshehin frikën.

Kjo marrëdhënie siptomatike midis nënës dhe të bijës mund të prishet vetëm nga një dashuri. Një hero i tejdukshëm sa dhe i brishtë, pozitiv sa dhe naiv, e pagëzon Morin me emrin ‘’Mbretëresha e bukurisë’’. Ai është Pato, një personazh i mirë me dramat e tij të mirësisë, fundja e mira dhe e keqia qënkan të pandara. Ky rol luhet mjeshtërisht nga Genci Fuga, ai tërë jetën sikur luan këtë rol, është mjeshtër në këto lloj rolesh, është i arrirë.

Rastësisht dita e tyre sillet për t’u takuar në një përvjetor gëzimi, megjithëse ai ka identitet të paplotësuar personal, 30 vjet që nuk i shpreh dot një dashuri Morin, merr guximin dhe takohet në një festë me të, të dy dashurohen dhe vijnë tek shtëpia Folan. Arroganca dhe kryeneçësia e vajzës sjell një brishtësi të sinqertë dashurie po pa besim në vetvete. Aty ku drama thurr rrjetat e saj, besimi, elementi i parë i çfarëdolloj marrëdhënie ka vdekur.

 ‘’Në dashurinë e gruas ka padrejtësi dhe verbëri ndaj kujtdo që ajo nuk dashuron. Edhe atëherë kur dashuria e gruas është e mencur, pranë dritës ajo shfaq gjithmonë agresivitet, shkëlqim dhe natë.’’

Besimi i saj ka humbur shumë kohë më parë që me depresionin që ka kaluar dikur, talljen nga anglezët në punët e saj të rëndomta në emigrim. Edhe ajo e do një dashuri të pastër. Të dy kalojnë një romancë dashurie sa përplotësuese, por në syrin e vëngërt të një nëne që urren gjithçka që nuk i shërbejnë asaj. Morin mundohet të dashurojë me gjithë forcën për të tejkaluar virgjërinë, depresionin dhe të kaluarën. E kaluar që së shpejti do të bëhet e ardhme. Kjo është dhe dramë seksuale.

Nëna pikërisht tani do të nxjerrë pushtetin e saj më të fshehur për ta prishur këtë lidhje. Ajo vë në lëvizje makinacionet e saj psikologjike, sa tmerruese, për ta shmangur këtë dashuri, megjithëse Pato është shumë i kujdesshëm në dialog me të dhe me vajzën.

E çfarë i duhet mirësia mamasë kur ajo ushqehet me intrigën dhe urrejtjen? Po a mund t’i bëjë keq një mama vajzës së saj?!

Mirësia e Patos nuk ka të përfunduar, sa me të njëjtën forcë shumëzohet urrejtja e nënës. Në sallë shfaqet një Pato i butë, paksa naiv, i drejtë, i ëmbël për një dashuri, i edukuar, shpirtdhënës dhe me një leksik të pasur letrar sa dhe një dashuri që sikur i bie nga Kina në letrën e tij. Edhe ai ka dramën e vet, por mund ta tejkalojë duke shkruar dhe menduar për dashurinë. Edhe atë nuk e njohin në emigrim, po ai ëndërron Amerikën.

Nëna përgjon, shikon jo vetëm lajmet, vështron jo vetëm vajzën, vjedh jo vetëm letra dhe djeg jo vetëm identitete, mendon jo vetëm frikën. Nga dhuna nuk del gjë tjetër përvecse dhunë, dhe kjo dhunë vjen nga patologjia e njerëzve të paplotësuar, nga frika.

Ajo ka frikë se nuk bën dot qullin e saj, frikë mos humbasë potencën e saj nënqeshëse dhe fodulle, frikë se do të ketë pushtet, frikë se mos ngelet vetëm, ka frikë për të vdekur. Ajo vuan nga vetvetja, nga shëndeti fizik dhe mendor, porse të gjithë personazhet vuajnë nga vetvetja, të gjithë misionin e tyre kanë vetveten për t’u plotësuar.

‘’Ja anglezet që na kanë vjedhur, tokën, gjuhën , gjithçka’’ thotë Morin në fillim të komedisë.

Por mos vallë janë personazhet e dramës që ia vjedhin vetvetes. Mos vallë mungesa e tyre identitare vjen pikërisht nga qëndrimi dhe forca e tyre. Forcë kjo e pashprehur për veten por me tëhuajtjen e vetvetes, në skllavërimin e të tjerëve për t’u bërë vetvetja. Dhe kjo e peshuar nën thundrën e rëndesës së një shuli druri që mbyll derën me forcë?

Një këndvështrim ndryshe ka vëllai i Patos, Engjëll Hoxha një djalë i ri në rol që luan bukur vëllain e Patos, energjik sa të lë përshtypje në xhestet e tij që i mëshon bukur, por dhe me finesë. Talenti i tij është në rrugë e sipër në karaktere. Vëllai i Patos ka frikë të rrijë në atë vend ku për fat të mirë telenovelat janë australiane, për fat të mirë ka filma të huaj modernë, dhe lojra sporti.

E ç’e do ai atë Irlandë? Ai do të arratiset në një tjetër identitet, si vëllai që është arratisur në një tjetër vend për identitet, por nuk e gjet do akoma këtë. Të gjithë ikin arratisen nga ajo periferi e bukur. Ai pëlqen një mashë tek familja Folan, që i duket perfekte për të gjuajtur, mos vallë dhe ai vuan për pak urrejtje dhe forcë sepse nuk është i plotësuar? Mbase po, megjithatë në frikën e mbajtjes së fjalës, atij nuk ia japin mashën, as me gjysmë çmimi, as çmim të plotë, pasi tragjedia është destinuar për vajzën dhe ajo fshihet në po atë mashë, ashtu mashë origjinale që trazon zjarre në oxhak sa zjarre patologjish.

Pato, i dashuri i Morin vjen e përmallet me vendin e tij, do të lidhë fatin me Morrin, por njëkohësisht me atë forcë që e do këtë vend periferik, me po të njëjtën forcë akoma më të madhe do të arratiset në Boston. Posesiviteti mbërrin e ulet udhëkryq në dhomë. Ata kërkojnë lirinë, pavarësinë nga opinioni, nga nacionalizmi, nga ky vend që pjell fatkeqësi. Ai me ngut pret Morin në taksi për t’u arratisur, porse Morin nuk shkon, nuk di gjë, ai largohet po me ngut nga ai vend që e dashuron dhe e urren me ngut njëkohësisht.

Veçse nëna është më e fortë pasi ajo është stërvitur në këtë forcë për identitet dhe e ka kuptuar që tashmë e vetmja mënyrë është forca, forcë që shpall dhunë, fizike apo psikologjike kjo. Ajo letrën e Patos për Morin e ka djegur me atë vrull sa do jetën e saj.

Në këtë kuptim të gjithë personazhet kanë dramën e tyre, dramë nga ky modernitet që ushtron forcë mbi vlerat tradicionale, dramë për zakonet, dramë për vetveten, dramë për dashurinë e munguar, dramë e ardhur nga familja e urryer, dramë nga shtypja e opinionit.

Dhe ora rrjedh në errësirë duke parë aktorët e shfaqjes në Teatrin Eksperimental në dramat e tyre, ajo shket si në vaj deri në fund të dramës. Nga errësira kuptohet fare mirë roli i aktorëve dhe aktorët sjellin shumë errësirë të dritësuar në podium.

Midis këtij lloj nacionalizmi të ethshëm për të qenë irlandezë të thekur dhe modernitetit të zbrazët duhet gjetur një mënyrë për të qenë. Me forcën që duan të jenë të gjithë duan të shmangen, të arratisen kulturalisht nga ky vend i rëndomtë dramash ku vetë drama ka zënë vendin e lumturisë. Torturimet e tyre janë të formave të ndryshme ashtu si janë dhe dramat e tyre. Mendohet se kjo mund të shpëtohet me emigrim, po mos vallë vetëm ky vend i nëmur ka vetëm ai emigrantë të tillë, apo Irlanda të tilla ka pafund në identitete të paplotësuara? Këtu del në pah një dramë tjetër e identietit të tyre.

‘’Pak helm kohë pas kohe të fal ëndrra të bukura. Dhe, në fund, shumë helm, për një vdekje të këndshme.’’

Raportet në këtë shfaqje janë të shumllojshme po aq sa japin mesazhe universale, raporti i të qenit apo jo irlandes, irlandez me para po me identitetit të munguar apo e anasjelltas, midis ‘’natyralizmit irlandez apo modernitetit toksik’’, midis vetsakrifikimit të nënës dhe të bijës, midis sakrifikimit të arratisjes apo të ndëjtjes aty, midis varfërisë dhe pasurisë, midis varësisë dhe lirisë. Në fakt këto janë në çdo kohë dhe për çdo njeri, çdo familje, në mos në çdo shoqëri që imiton modernitet dhe ku moderniteti shtyp tradicionalizëm, e zhvleftëson, prandaj vepra ka mesazhe universale.

Batutat në vazhdim të shfaqjes e miratojnë këto nga duartrokitjet dhe qeshjet në sallë në çdo akt të saj. Publiku në sallë e kupton dhe mbase reagon thellë në ndërgjegjen e tij, kjo ndërgjegje mbase thurret nga autorë të tjerë personalë nënëndërgjegjesh. Kjo duket në aprovimin e qeshjeve nga fillimi në fund të komedisë.

Drama nënë pjell pafund dramë bijash derisa bijat bëhen nëna. Marrëdhënia konfliktuale dhe e egër midis nënës dhe bijës çojnë në fund vajzën ta çojë në aktin final veprën e saj, të vrasë nënën. Po a mund të ketë pasoja e gjithë kjo; të vrasë nënën, të mos shkojë me të dashurin në Boston, të qëndrojë e mbyllur në një kallkan që quhet shtëpi, të mbajë gjithë vuajtjet e saj të jetës në një karrige të lëvizhme në vend? Detyrimisht kjo nuk mund të mbahet, ajo zë vendin e nënës, e ulur si nëna, më e vuajtur se ajo, më e lodhur dëgjon këngën e dëshiruar të nënës, atë këngë që urrente është e detyruar ta dojë me pahir, ajo tashmë është bërë nënë po pa fëmijë, nënë e dramave të saj.

Dhe shuli forcërisht e mbyll atë derë ku pas tij shpallet liria e qenies!

Shfaqja u zgjat tërkuzë me lumë duartrokitjesh që sa s’po derdhej në sallë, duartrokitjet e merituan shfaqjen dhe aktorët e saj, ajo ishte thjesht e mrekullueshme! Regjizori Kiço Londo, ashtu si aktorët dhe artdashësit dukeshin të gëzuar.

Sepse e thjeshta mund të jetë e mrekullueshme!

Mos mungoni ta shihni shfaqjen në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli! Ejani në Teatër! Nuk mund të thuhen të gjitha, ajo ishte thjesht për t’u mos harruar!