MENU
klinika

Marrëveshja për emigracionin s'po funksionon

Merkel, e pakënaqur nga Turqia…

12.01.2019 - 10:30

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të premten se një marrëveshje midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë për të frenuar rrjedhën masive të emigrantëve është jofunksionale dhe kritikoi sistemin ligjor të Greqisë se nuk e ka bërë mire punën lidhur me deportimet.

BE dhe Turqia arritën një marrëveshje në vitin 2016, pasi më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë arritën nga Lindja e Mesme dhe Afrika në brigjet e Greqisë një vit më parë. Sipas marrëveshjes, kushdo që kalon në Greqi nga Turqia që nuk kualifikohet për azil duhet të kthehet dhe për çdo refugjat sirian që kthehet në Turqi nga ishujt grekë, një tjetër do të rivendoset në BE.

“Për fat të keq nuk po funksionon siç duhet”, tha Merkel në përgjigje të pyetjeve të studentëve të Shkollës Gjermane të Athinës. “Dhe përderisa nuk po funksionon, kemi këtë situatë në ishujt grekë”.

merkel_tsipras-konica.al

Menaxhimi i krizës së refugjatëve ka dëmtuar unitetin në bllokun 28-vendesh: vendet mesdhetare që përballen me të ardhurit shpesh ndihen të pafuqishëm, ndërsa vendet më të pasura veriore ankohen që njerëzit arrijnë tokën e tyre në mënyrë ilegale dhe ata në bregun lindor të BE refuzojnë të mbajnë të sapoardhurit.

Merkel përfundoi një vizitë dy-ditore në Athinë, ku gjithashtu u takua me Kryeministrin grek Alexis Tsipras dhe foli në lidhje me këto çështje.

Qëllimi kryesor i vizitës ishte të bindte grekët, që të përshpejtojnë aprovimin e marrëveshjes së Prespës për emrin e Maqedonisë.

Merkel, këmbëngulja e të cilës për masat shtrënguese gjatë krizës së borxheve të Greqisë e bëri atë të papëlqyeshme nga grekët, kërkon vazhdimisht të inkurajojë politikanët të mbështesin marrëveshjen me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) që Gjermania dhe Bashkimi Evropian shpresojnë të nxisë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Shumë grekë duan që fqinji verior i vendit të heqë dorë nga emri “Maqedoni”, duke thënë se kjo nënkupton një pretendim territorial në një krahinë veriore greke me të njëjtin emër.

Çështja e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore për viktimat greke të okupimit brutal nazist u diskutua edhe një herë gjatë vizitës dy-ditore të Merkel.

Kancelarja Merkel kërkoi ndjesë për padrejtësitë e kryera nga forcat gjermane gjatë luftës. “Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë historike, kështu që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar marrëdhënie të mira me Greqinë dhe për të mbështetur njëri-tjetrin për të mirën e të dyja vendeve, “tha ajo.

Pavarësisht nga fjalët e ngrohta, Gjermania ka refuzuar vazhdimisht thirrjet për të paguar dëmshpërblimet grekëve./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vizita dyditore e kancelares në Athinë

Pse grekët po protestojnë kundër vizitës së Merkel?