MENU

Intervista

Meta: Njerëzit të mos lënë fatin e tyre në duart e Ramës dhe Bashës

07.01.2019 - 22:09

“Njerëzit të mos lenë fatin në dorën e tyre,” i është përgjigjur Presidenti i Republikës Ilir Meta pyetjes së gazetarit Adi Krasta që “nuk keni besim individual, njerëzor te Rama dhe te Basha?”.

I ftuar në “A-Show”, presidenti Meta tha se njerëzit duhet të jenë më të ndjeshëm për fatin e tyre, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, duhet të kërkojnë përfaqësimin e tyre

Gazetari: Presidenti i Republikës cilido qoftë ai ose Kryeministri ose shefi i opozitës ose një drejtues i një institucioni të rëndësishëm kushtetues ka edhe një raport personal, gjithmonë ka pasur. Mund të them unë me 30 vjetët e mia në observim si një specialist i marrëdhënieve publike, jo vetëm i gazetarisë, që ju personalisht nuk keni besim individual, njerëzor te Rama dhe te Basha?

rama-meta-konica.al

Presidenti Meta: Nuk kam çështje me besimin tek individët. Kjo ka të bëjë me funksionimin e demokracisë, me funksionimin e institucioneve…..

Gazetari: A mund të shkojmë në një nivel komunikimi më bazik, sepse kjo është shumë e gjerë. Unë kam një ndjesi që ju nuk besoni te këta dy individë. E dyta, si një “kafshë politike” po themi apo si një politikan race…

Presidenti Meta: Kjo nuk i duhet askujt nëse unë kam besim te dikush, por sidomos në pozicionin që kam unë besoj vetëm te demokracia. Besoj tek institucionet dhe besoj se njerëzit duhet të jenë më të ndjeshëm për fatin e tyre dhe të mos e lënë atë thjesht në dorën e Presidentit, Kryeministrit, të kryetarit të opozitës apo të dikujt tjetër.

Duhet të ngrenë zërin, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, duhet të kërkojnë përfaqësimin e tyre dhe është sistemi që i mbron ata nga padrejtësitë dhe është sistemi që u siguron atyre një perspektivë më të mirë.

Kjo është ajo që unë kërkoj dhe kjo është eksperienca ime në 28 vite, sepse ne kemi njohur në 28 vite njerëz të ndryshëm në pozicione të ndryshme dhe kemi vënë re metamorfoza të pabesueshme.

Duhet të jemi syçelët që fatin tonë e kemi në dorë vetë dhe çdo ditë duhet të jemi më kërkues ndaj demokracisë dhe demokracia është aq e fortë sa ne e bëjmë atë dhe është aq e dobët sa ne dorëzojmë të drejtat tona.