MENU
klinika

Ligji po përgatitet

Mjekimi i pakujdesshëm mund të paguhet nga sigurimet

23.01.2019 - 15:49

Akuzat për mjekim të pakujdesshëm janë gjithnjë e më të shpeshta në Shqipëri. Në disa raste, ato çojnë në hapjen e çështjeve penale ndaj mjekëve, por, nuk është e zakontë në Shqipëri që familjarët e viktimave të mjekimit të pakujdesshëm të kërkojnë dëmshpërblim ndaj mjekëve ose spitaleve. Së shpejti, kjo mund të ndryshojë.

Shoqata e Siguruesve po përgatit një ligj të ri për përgjegjësitë ndaj palëve të treta edhe jashtë sektorit të transporteve. Kjo do të parashikojë sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësive për një sërë profesionistësh, që nga mjekët e deri te avokatët.

Nëse mjeku, avokati apo projektuesi shkakton një dëm tek persona të tretë, ky dëm do të paguhet nga kompanitë e sigurimeve. Ngritja e një skeme të tillë do t’i ndërgjegjësojë njerëzit lidhur me të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim dhe për ta përfituar atë. Nga ana tjetër, kjo pritet të rrisë tregun e sigurimeve në Shqipëri, që ngelet kryesisht i varur nga produktet e sigurimit të detyrueshëm.

Në Shqipëri tregu i sigurimeve arkëton rreth 40 euro për frymë, duke qenë një ndër më të vegjëlit në Europë. Tregu ngelet thellësisht i varur nga sigurimet e detyrueshme, që gjenerojnë pjesën më të madhe të primeve.

Sigurimet motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta sjellin mbi 60% të primeve të sigurimit, por gjithashtu një pjesë e madhe e sigurimeve të tjera janë praktikisht të detyrueshme. Në sigurimin e jetës, produkti kryesor është sigurimi i jetës së kreditorëve, që është kusht i domosdoshëm i bankave për kreditë afatgjata.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN