MENU
klinika

NBA

Mposhten Nuggets, ringrihen Lakers

08.01.2019 - 11:30

Pas pesë fitoreve radhazi në Konferencën e Perëndimit, Denver Nuggets është mundur në transfertë 125-113 nga Houston Rockets. Një ndeshje e dominuar nga vendasit. Megjithatë, Nuggets mbeten në krye të renditjes.

Nuggets ishte rivalizues në periodën e parë dhe të tretë, por e dyta ishte për t’u harruar, cka solli edhe humbjen e 12-të në total, nga 38 ndeshje të zhvilluara deri më tani. Diferencën e bëri James Harden me 32 pikë të shënuar për Rockets.

Më në fund, dritë në fund të tunelit për Los Angeles Lakers, që pas 3 humbjeve radhazi, rikthehet te suksesi, duke mposhtur në Dallas ekipin vendës 107-97. Një fitore që ngjit Lakers në vendin e tetë, që është vendi i fundit në play-off.

Pa LeBron James, diferencën për Lakers e bënë dyshja Ingram-Ball, që realizuan 50 pikë, pra thuajse gjysmën e pikëve të ekipit mik. Me rikthimin e dëmtuarve, mendohet se Lakers nuk do ta ketë problem futjen në play-off.

Tjetër sukses për Milwaukee Bucks, që fiton në shtëpi 114-102 ndaj Utah Jazz. Vendësit e nisën keq, duke humbur 2 periodat e para, por në të tretën shpërthejnë, duke fituar 31-16 dhe përmbysur shifrat.

Falë kësaj fitorje, Bucks rikthehen në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes, duke zbritur në vendin e dytë Toronto Raptors.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN