MENU
klinika

Arti modern

‘’Ndërmjet zanatit dhe artit konceptual’’

25.01.2019 - 10:35

Ekspozita e veçantë e artistit Rifat Kasapolli po qëndron hapur në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Pjetër Bogdani”.

Në lidhje me këtë ekspozitë të veçantë, ekskluzivisht për Konica.al jep një panoramë më të plotë jep kuratori i saj, profesori i artit në Universitetin e Prishtinës, Dr. Ilir Muharremi. Si e analizon ai këtë ekspozitë?
‘’Ndërmjet zanatit dhe artit konceptual’’
Analizë/ Dr. Ilir Muharemi
Xhinse të hedhura, ca lecka, rroba, të gjitha kryesisht me ngjyrat bardh, zi, kuq dhe disa hije si plotësim apo reflektim dominojnë në kompozcionet e artistit Rifat Kasapolli.

Ai hapi ekspozitën personale të hënën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë. Ka përfunduar Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ka punuar si disenjator në Zagreb. Në ekspozitë paraqiti materiale të xhinsave dhe kryesisht dominojnë në të gjitha kompozicionet.
Xhinsi është një material që sa më shumë kalojnë vitet aq më i domosdoshëm bëhet. Të gjithë e dimë historinë e xhinsit, filloi me minatorët, vazhdoi me punëtorët dhe po zhvillohet sot në pasarelat më të njohura, duke u bërë veshja më e përhapur për të gjithë.

Te Kasapolli kemi xhinse të vjetra, të dala mode, të prera në forma të ndryshme, abstrakte dhe qëndrojnë në mes të kompozicionit, bëhen tridimensionale, sipër kanë disa hije të cilat janë arritur përmes një zbardhuesi i cili është i spërkatur në krejt punimin.

Pastaj, janë ta grisura, të copëzuara, në lëvizje, prishin atë simetrinë dhe krijojnë një univers të veçantë imagjinativ. Dikund ca copëza duken si gjethe vjeshte, ashtu të thara të vjetëruara dhe nga krejt kjo spërkaten nga teknika që krijon hijet dhe duken si shkëndijëza zjarri e që nuk shuhen.

Kjo shkëndijë është e jetës së tij, jetë të cilën e kaloj me rrobaqepësi dhe e vazhdoi me art.
Ai ndjen dashuri ndaj materialit dhe krijon relieve të shpirtit që shkretohen, pushtohen nga e zeza, pa ngjyra, dhe krejt kjo ndjeshmëri vjen disi e natyrshme nuk ka ndonjë emër. E unë si kurator i ekspozitës pashë edhe veten time atje, atje thellë në perspektivë, atje te një punim në të cilin vërtiten yjet në një natë të qetë dhe në plan të parë shihet një shtrat lëkundës që ta pushton shpirtin. Dalngadalë qielli po bëhet më i zymtë, graviteti i dhimbjes rritet, është e nevojshme të meditosh në atë shtrat, të shtrihesh shpirtërisht, dhe kokën ta mbash kah qielli.
Punimi ka për mesazh qetësinë dhe meditimin. Aty nuk ka ngjyrë si akrilik ose vaj, por ngjyrë nga materiali të cilin ja ka krijuar koha ose dora e artistit. Në këtë punim përsiatja dhe meditimi kthehen në qenësi dhe të klithë në vesh ajo: “riparo atë çfarë ke hequr në jetë, mendo për të ardhmen, ndryshoje jetën.”

Punimet duken të vrazhda, dikund me nuancime të lehta, të qepura me precizitet, të baraspeshuara, të skajshme, dhe këtu aspak artistit Kasapolli nuk i mungon t’a shfaq veten pa bojna. Ca xhepa të copëtuara, të plasuara mirë, pastaj disa zinxhir (patent) të cilët mund t’i hapësh dhe prapë t’i tërhiqesh përpjetë, xhinse të shkurtuara që duken si “mini funda”, levis 5001, krijojnë dhembshuri, kthejlltësi, mirësi, poetikë edhe filozofi.
Në anën tjetër, dizajn, kreacion, mini fabrikë të modës, instalime me nuanca shpirtërore dhe vërehet që është bërë një punë e madhe. Ky është kompozicioni më i madh ndër punimet e tjera. Prapavija është bez i zi i spërkatur me një produkt të quajtur “Pillotin” që zbardh materialin krijon hijen dhe thellësinë e punimit. Këtu kemi edhe dimensionin e tretë iluziv perspektivën.

Në një punim tjetër shohë lecka të arnuara, pantollona duken si të riparuara, mirëpo janë të disejnuara dhe krejt nga kjo artisti i shpreh sendet përrreth ato që i hudhim në koshëra të plehrave. Çorapet i hudhim, ato i kemi në piktura. Ai nuk është rob i ngjyrës dhe moti ka dal prej kësaj robinje. Materialin e ka si ndjenjë, çepjen zanata dhe dizajnin hobi.
T’i shprehesh këto intalacione duhet të kesh mjaftë guxim dhe vetëm ata që e kuptojnë artin e sotëm e duan këtë art. Çdo vepër ka një histori, është rrethi, vendi, e kalauara nëpër të cilën hoqi, epshi, pozitat epshore të femrave sidomos në ato kompozicionet me prapavijë të kuqe dhe xhinse me pozicione me këmbë të hapura (pozicion erotik.)
Punimet i ngjanë një abstraksioni asociativ dhe format janë në harmoni njëra me tjetrën, janë simbolike herë të ngjajnë sikur sa lecka të vjetra, xhinse para 25 vjetëve, e herë si aeroplan, kofshë femre, katrorë, rrathë, shkronja, alfa dhe omega, numra. Ato janë të lidhura me emocionet, zemrën, kokën dhe kohën në të cilën jetojmë.

Sidomos artisti ndjehet mirë kur shprehet në kompozicione të mëdha aty vërejmë inspirim, imagjinatë, guxim, ngarkesë psikike të kohës, tronditje, lum idesh, kolazh me materiale dhe janë shumë unike.
Kanë simbolikë dramatike sidomos hapësirat me ngjyrë të zezë, në anën tjetër kemi ngrohtësi shpirtërore aty ku dominon ngjyra e kuqe me portokallin veçanërisht në prapavijë.
Prapavija përdoret me një ngjyrë sidomos me ato neutrale për ta veçuar figuracionin në plan të parë. Ja tek vërejë një tablo me kontura lineare, e qepur me linja të lakuara zig-zage me perë të hollë portokalli i cili jep shkëlqim, dritë dhe kontrast.
Janë të paraqitura me plotësi, siguri kanë elemente sociale, politike, etnike janë edhe ekspresivo vetjake. Përsosmëria arrihet kur e vështrojmë në tërësi kompozicionin, ngaqë bashkërendin format njëra me tjetrën.

Format lëvizin, ndodhen në mes një katrahure shpirtërore, por kanë plotëni sepse shumica janë autobiografike, rrëfejnë kohërat kur kishte punuar si rrobaqepës. Por, ai i dha vetes të drejtë të hapte një rrugë të re, rrugën e misterit të artit në të cilen je gardian i sekreteve dhe qenia shkumohet, shpërndahet, lëndohet, përthyhet, edhe grimcohet, mirëpo në vepër disenjohet bëhet shpirt.
Ai bredh në skutat e shpirtit dhe aty hasë në dyshime, frikëra, mistere, zgjodhi vullnetin, zërin e brendshëm dhe qëndresën. Arti i tij tejkaloj të zakonshmen dhe është e pamundur mos ta ndezë trurin. Lëvizjet që i shohë në tablo janë vallzim instiktesh, sekrete, enigma, labirinth dhe më shumë ka ide sesa dekor kur e them këtë nënkupton grishja e tyre, lundrimi i tyre në mendimin tim analitik.
Aty shohë një artist jo veç modern, por postmodern ka ndjenja të mprehta , shpirt të ngopur me forma, imazhe, kontraste, hije, brengosje, dashuri në fund edhe simbole. Disi më duket që Kasapolli i thyen shabllonet, tabutë e rregullave figurative , ngjyrën, ilustrimin, vizatimin, i flaku të gjitha, solli gjuhën e konceptit, idesë, imazhit, simbolit.

Ngjyrat janë aq të natyrshme sa që krijojn vetvetiu kontraste, janë shumë të ashpra sidomos e zeza që dominon. Është një masë shumë e zezë, e ngjeshur mirë, afër saj kuqëlojnë njolla të verdha, shumë të vjetra, pastaj njolla të bardha, xhinse të qepura, disa edhe të varura, pak të shkëputura, mund edhe me dorë t’i lëvizësh sa jashtë e sa brenda, bëhen të dukshme, por edhe të padukshme, kuptimi dhe nënteksti.
Ka silueta realitetesh me nëntekste duket si një kaos që po bredh figurativisht mbi kokën tënde, sa shikon majtas vëren rrezatime të drtitave, ndërsa djathtas rrafshe, relieve, fantazi ose edhe apokalips. Nëse sytë i vendos në mes, sheh imazhe figura me nënkuptime, ose kuptimet i vendos vet, shpështjellime të çojnë dikund që as vet nuk e di, më bukur se në përrallë.
Ja edhe një tablo ku secili mund ta gjen veten aty tek po ato forma të dyzuara, imagjinative, disejnime herë edhe alegorike dhe ka një energji, forcë, duket si magmë vullkanike që krijon jetë të re. Shoh edhe figura gjeometrike të cilat na pushtojnë, na rrethojnë dhe sipas Pol Sezanit krejt natyra ka format gjeometrike, ato na kënaqin dhe pushtojnë.

Në një kompozicion tjetër vërej errësirë pak të vrazhtë, lecka, xhinse të përgjysmuara me blunë e fortë, pastaj pak e kuqe e qepur, e pastaj kur vërshon drita krijon tone dhe hije. E shoh artistin si njeriun më të vuajtur këtu arsyeja tenton të zbulon të fshehtën e unit të tij, ai loz rolin e parashikuesit e futet me sy hapur në tempullin e shenjtë të artit (shpirtit) për të zbuluar formulën magjike të sekreteve.
Gjëja më interesante është se veprat e tij e tejkalojnë çdo realitet sidomos atë banal dhe ai jeton në tjetër realitet mbi format, materialet e vjetra, dhe këtë mund ta shohë vetëm syri shpirtëror artistik.
Veprat e Rifat Kasapollit vërtetë janë të veçanta mahnitëse dhe unë jam tronditë nga to. Sidomos gërshetimi i zanatit me artin të cilët kur bëhen bashkë krijojnë një fuqi artistike. Kurreshtja tjetër ishte të njohë ecurinë e punës, pastaj t’i prekë tablotë dhe për të kuptuar kodin sekret të shpirtit të tij për të cilin edhe pas vdekje do të kërkojë shpjegime.

Zanatin dhe artin e shohë si trupin me shpirtin, shpirti është arti e trupi zanati, arti bëhet i vlefshëm kur ka zanatin, poashtu edhe shpirti jeton bashkë me trupin. Zanati po zhduket, Kasapolli e jetëson. Andaj, veprat e tij ikin nga trajtat me bojë, tone, vija, lëndë, vrapojnë drejtë të mugulltes, ndezin relieve dhe syri i njeriut bëhet i etur, i mbyllur brenda këtyre kompozicioneve, duke tentuar të gjejë kodin.
Unë them janë enigmë, fuqia e artit ndodhet këtu. Nëse tenton të gjesh kuptimin ai të ikën rrëshqet nga dora luan me njollat, format, dritën të dërgojnë në një të vërtetë të panjohur deri më tani. Nëse tenton prapë t’i kthehesh kuptimit vështirësia bëhet edhe më e madhe, idetë dhe kompozicionet qëllimisht lihen si gratë egjiptiane të mbuluara, mirëpo kolazhi është i hapur dhe ti zhytu shko pas ëndrrës, dorëzoju fantazisë.
Titulloje ashtu si ta ndjen zemra, ndërto kuptime nga reagimi i instiktit, krijo emrin e parë që ta thotë shpirti. Akomulohu me forma dhe lojë. Nëse kupton diçka më shumë, dorëzohu, rrëshqit, kalëro sepse dyert janë të hapura. Zhytu, mik lundëro…

Rifat Kasapolli u lind me 1960 ne Peje të Kosovës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pejë. Ndërsa, Akademinë e arteve të bukura i përfundoi në Zagreb të Kroacisë. Me art merret që prej 30 vitesh.
Ilir Muharremi u lind më 1983 në Pejë. Është diplomuar më 2004 në Fakultetin e Arteve, Dega e Aktrimit, në klasën e profesor Luan Dakës. Pas diplomimit është angazhuar në disa shfaqje teatrale, si: “Sfida e madhe” e autorit Nebi Islami, “Nata e dymbëdhjetë” e Ëilliam Shekspeare-t, “Duart e ndyta” e Zhan Pol Sartre-t, “Shkolla e grave” e Molierit etj.
Në vitin 2007, me dramën “Van Goghu Kosovar”, ka kryer magjistraturën në Degën e Dramaturgjisë në Prishtinë.
Ndërsa, në vitin 2010 është doktoruar. Punon si profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka mbi 20 punime shkencore në revista rajonale dhe ndërkombëtare të artit. Kryesisht merret me absurdin dhe postmodernizmin. Ndikimet e tija janë nga filozofët: Friedrich Nietzsche, Albert Kamy dhe Zhan Pol Sartre. Punon si profesor në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë.

Është autor i këtyre veprave librave:
“Djalli në qytetin tim” (1996), poezi
“Dera e fundit e çmendurisë” (2003), poezi
“Van Goghu kosovar”, (2010), dramë
“Kafeneja”, (2013), komedi
“Unë me veten”, (2013), dramë
“Moskuptimet”, (2016), libër shkencor
“Psycho”, (2017), roman

Kontekst historik rreth zhvillimit të artit modern

Shekulli i XX pati një hov të madh në komunikim dhe në art. Dolën në pah forma të reja të të konceptuarit. Arti u fut në një mekanizëm të kulturës masive. Si me lindjen e borgjezise pushtetin kaloi nga kultura klasike në kulturën massive.

Të dyja këto pikëpamje kanë kritika të forta kundrejt njëra-tjetrës. Pas Luftës së II Botërore bota shënon një shndërrim të plotë evolutiv dhe revolucionar të artit në funksion të njeriut, personalizmit të tij. Por kultura masive shënon edhe më shumë shndërrime.

Dy studiues të sociologjisë Boltanski dhe Thevenot mendojnë ndryshe dhe hedhin poshtë idenë e vjetra se hapësira sociale është e formësuar praktikisht për të përfaqësuar një regjim justifikimi para një tjetri: në thelb, pika e qasjes së këtyre studiuesve është njohja në mënyrë më rigoroze si vlerën aktuale e pluralizmit në jetën e përditshme.

Përkundër debatit me kulturën klasike si foshnjore dhe manipulative shumë studiues si William Opgurn që sipas Frederic Barbier dhe Catherina Lavenir janë te interesuar si kritikë për trasformimet e vetë kulturës popullore, me qëllim që, sipas logjikës së tyre të përshtaten me nevojat dhe kushtet e botës industriale modern.
Në vitet 60 krijohen forma të ndryshme të paraqitjes artistike si tekstile, plastika, objekte inerteje, objekte të ngurta, kolazhe të ndryshme, a deri tek shumëllojshmëria e të gjitha objekteve.

Kjo tendencë si vazhdimësi e rrymës së Popartit kishte si themelues Pollock, Marcel Duchamp, Joseph Kosuth, apo artisti gjerman Joseph Beuys, Allan Kaprov me angazhimin e tij si ‘’Dicka që ndodh’’. Artistët në këtë kohë dëshironin që procesi, veprimi, ndjenja të ishin në qendër të vëmendjes te shikuesi më shumë se te vetja e tyre. Ngre krye revolta artistike. Ata donin të ‘’angazhonin’’ ndjesitë, perceptimet dhe përjetimet e shoqërisë, ata dëshironin të afronin sa më të thjeshtën, të përditshmen, kundrejt artit sublim elitar apo forma klasike të të bërit art. Këtu merr rrugë arti i pikturës jo vetëm me bojëra, po me objekte të zakonshme, një protestë sociale deri artistike e deri te një avangardizëm i kohës shikon nëpërmjet tyre një këndvështrim sa realist dhe postmodern, sa deshifrues të ndjenjave të njerëzve të zakonshëm, aq dhe thellësi të formës që përmban mesazhe.
Në këtë rrymë artistike Biblioteka e Kombëtare Universitare e Prishtinës ‘’Pjetër Bogdani’’ ka fatin të hapë një ekspozitë ndryshe nga të tjerat dhe ka një ndjekje të madhe nga shikuesit dhe admiruesit e artit modern.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN