Më i fundit që bashkohet me listën e nënshkrimeve të “importit” te Barcelona, pavarësisht nga mosha e tij e re, është Frenkie de Jong. Ai vjen nga Ajax dhe do të zbarkojë në “Camp Nou” në verë.
Dy klubet ranë dakord për një marrëveshje me vlerë 86 milionë euro. Barcelona njihet prej kohësh si klubi që fokusohet fort te talentet që vijnë përmes akademisë së saj të famshme “La Masia”, por jo vetëm.
Disa nga lojtarët më të mëdhenj të katalanasve kanë dalë nga ekipi i të rinjve, si Leo Messi, Xavi Hernandez, Andres Iniesta dhe Carles Puyol.
Megjithatë, në vitet e fundit, kjo filozofi ka ndryshuar disi, me një numër të madh nënshkrimesh me para, që vijnë nga klube të tjera spanjolle, ose nga e gjithë bota. Këtu më poshtë është një vështrim mbi dhjetë yjet e rangut më të lartë që firmosën dhe luajtën për Barcelonën:
FRENKIE DE JONG – Nënshkrimi i fundit i madh për klubin katalanas. Ai do të paraqitet në “Camp Nou” verën e këtij viti, si gur themeli i mesfushës për të ardhmen.
Holandezi kushtoi 75 milionë euro, të cilat mund të rriten edhe me 11 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Ai kishte oferta nga gjysma e Europës, duke përfshirë një të tillë shumë fitimprurëse nga PSG, por vendosi të luajë së bashku me Lionel Messin.
PHILLIPE COUTINHO – Braziliani u prit me entuziasëm nga mbështetësit azulgranë si pjesë e planit për të zëvendësuar Neymar dhe për të kompensuar rënien dhe largimin pasues të Andres Iniesta.
Klubi pagoi 120 milionë euro për ish-lojtarin e Liverpool, një vit më parë, por braziliani nuk ka gjetur ende një rol të përcaktuar, duke mos dhënë më të mirën te Barcelona.
OUSMANE DEMBELE – Ishte hapi i parë, që Barcelona ndërmori në merkato për të mbushur boshllëkun e lënë nga Neymar. Talenti francez u mor nga Borussia Dortmund për 105 milionë euro.
Kjo ishte një pagesë, që dukej e tepruar për një lojtar, i cili ishte aq i ri dhe pësoi dy lëndime të rënda të muskujve në sezonin e tij të pare në “Camp Nou”. Megjithatë, viti i tij i dytë ka qenë më i mirë.
NEYMAR JR – Nënshkrimi me Neymar ishte ai, që u pëlqye më shumë nga tifozët e Barcelonës. Në vitin 2013, ai u ndoq nga e gjithë elita e Europës, por ishte klubi katalanas, që e fitoi garën për nënshkrimin e tij.
Shpërthimi përfundimtar ka ndodhur në sezonin e tij të dytë në “Camp Nou”, si pjesë themelore e tridentit të famshëm “MSN”. Sidoqoftë, ylli brazilian vendosi të pranojë multimilionët e PSG-së, për t’u bërë futbollisti më i shtrenjtë ndonjëherë.
LUIS SUAREZ – Pas dy përvojave të pakënaqshme me Zlatan Ibrahimovic dhe Samuel Eto’o, më në fund Messi gjeti partnerin e përsosur në sulm. Ky ishte Luis Suarez.
Uruguajani u përjashtua për pak kohë, ngaqë FIFA e dënoi për kafshimin që i bëri Giorgio Chiellinit në Kupën e Botës së Brazilit. Si rezultat i kësaj, ai nuk mundi ta bënte debutimin e tij në Barcelonë deri në fund të tetorit.
CESC FABREGAS – Nënshkrimi i tij mbylli një rreth të njeriut që u rrit në Premier League dhe u kthye në shtëpi për të luajtur me bashkëkohësit, Messi e Gerard Pique, nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Çdo gjë dukej e përsosur dhe dukej një lëvizje ëndrrash, por pritshmëritë nuk u përmbushën kurrë. Ai ka punuar shumë më mirë si një “playmaker” sesa një mesfushor i vërtetë.
DAVID VILLA – Para se të lejonte Ibrahimovic të bashkohej me Milanin, zgjedhjet katapultuan Sandro Rosell në presidencën e klubit. Me atë rast, Barcelona bleu sulmuesin kryesor spanjoll, David Villa.
Me ardhjen nga Valencia, ai u ingranua mjaft mirë në skuadrën katalanase. Aty është vlerësuar gjithmonë për punën e bërë, me kulmin e fuqive në vitet 2010 dhe 2011.
ZLATAN IBRAHIMOVIC – “Camp Nou” u mbush plot për të mirëpritur yllin suedez, madje pati edhe një pushtim të fushës, për ta takuar atë në vitin 2009. Suedezi kishte spikatur si goleador tek Ajax, Juventus dhe Interi.
Ai iu premtoi tifozëve katalanas se do ta harronin Eto’o. Cilësitë e Ibrës nuk ishin kurrë në dyshim, megjithatë, problem rezultoi kuptimi i tij me Messin. Për këtë arsye, ai u bashkua me Milanin vitin e ardhshëm.
DANI ALVES – Braziliani pati një kohë të pabesueshme në Barcelonë, gjatë viteve të tij, duke qenë “pronar” i rolit si mbrojtës i djathtë. U prit me emocione në vitin 2008, duke qenë se ishte i afërt me Real Madridin dhe Chelsean.
Gëzoi një marrëdhënie të mirë me Messin dhe ishte shtyllë e Barcelonës nën drejtimin e Guardiolës, Tito Vilanovës, Tata Martinos dhe Luis Enrique. Përveç Messit, ai është i huaji me më shumë paraqitje në historinë e klubit katalanas.
THIERRY HENRY – Francezi, një kampion botëror dhe europian, kaloi disa sezone në radhët e Barcelonës, ku më të mirën e shpalosi gjatë fitores përfundimtare të Ligës së Kampionëve, në vitin 2006.
Një shënues i pangopur, pas disa vitesh dominimi në Angli si golashënues, vendosi t’iu bashkohej gjigantëve të La Liga-s. Tifozët ishin të ngazëllyer nga ardhja e tij dhe e mbushën stadiumin në prezantimin e vitit 2007, pasi Joan Laporta arriti marrëveshjen me francezin.