MENU
klinika

Dossier

Ngjarjet që karakterizuan Maqedoninë për vitin 2018

06.01.2019 - 15:58

Padyshim nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë paraqet ngjarjen më të madhe dhe më të rëndësishme në vend për vitin 2018. Por, ky nënshkrim pa mbajtjen e një referendumi nuk do të njihej i ligjshëm. Edhe pse pritej që ky referendum do të kaloj, ajo që më së paku pritej ishte dështimi i tij, të cilët nuk u bë i ligjshëm vetëm pse nuk morën pjesë mbi 50 për qind e votuesve.

Hiq më pak se gati tri dekada u nevojitën që Maqedonia të lëviz lidhur me çështjen e emrin, gjë që fqinji jugor – Greqia – e kishte bllokuar për këtë kohë me pretendimin e emërtimi Republika e Maqedonisë nuk është e duhura.

Në fillim të vitit 2018, përkatësisht me 11 janar, Kuvendi i Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, i cili parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe. Presidenti i vendit refuzoi dekretimin e Ligjit me arsyetimin se është anti-kushtetues, por më vonë më 14 mars, ky Ligj sërish u votua në Kuvendin e Maqedonisë.

Ishte data 17 janar kur sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, filloi vizitën e tij dy ditore në Maqedoni, pas pothuajse katër vitesh nga vizita e fundit kur Andres fog Rasmusen qëndroi për vizitë lamtumirëse në maj të vitit 2014. Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, Stoltenberg deklaroi se dyert e NATO-së janë të hapura për vende të reja anëtare, por se pa zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, ky vend nuk mund të anëtarësohet në NATO.

Më 1 shkurt, përfaqësuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, në bisedimet për çështjet e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, gjatë vizitës në Maqedoni deklaroi se “do të ishte tragjedi për rajonin nëse nuk arrihet një zgjidhje për këtë çështje”.

Ndërsa, më 25 shkurt, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, vizitoi Maqedoninë, ndërsa deklaroi se vendi është në një rrugë të mirë, në të cilën duhet të vazhdojë më tej në mënyrë që mund të marrë rekomandimin e nevojshëm nga Komisioni Evropian.

Ishte data 12 mars kur qytetarët ndërmjet Maqedonisë dhe Bosnjës e Hercegovinës do të fillojnë të lëvizin vetëm me letërnjoftime. Pas vizitës së kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, i cili vizitoi Maqedonisë dhe u takua me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, për të cilët ranë dakord që qytetarëve të Maqedonisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës t’u lehtësohet lëvizja për kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftime.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, më 13 mars, vizitoi Maqedoninë dhe pas takimit me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, deklaroi se administrata amerikane është dhe do të përfshihet më shumë në kontestin e emrit që ka Maqedonia dhe Greqia, por se marrëveshja duhet të jetë fryt i një pajtimi mes Shkupit dhe Athinës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, më 23 mars, pas takimit në Shkup me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, duke folur për mosmarrëveshjen rreth emrit midis dy vendeve, deklaroi se ajo do të jetë një zgjidhje e drejtë dhe e saktë, e cila do të marrë parasysh interesat e të dyja palëve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë më 26 mars vendosi të dëbojë një diplomat rus, në shenjë solidarizimi me Mbretërinë e Bashkuar dhe me partnerët e vendit në NATO dhe BE, të cilët po ashtu dëbuan diplomatë rusë nga vendet e tyre, pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, në Salisbury të Anglisë, vepër për të cilën Londra akuzoi Rusinë duke pretenduar se është përdorur helmi nervor Novichok, të cilat forcat sovjetike e kanë përdorur në Luftën e Dytë Botërore.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i dorëzoi kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Shkup, raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë në rrugëtimin e saj integrues, ku deklaroi se Maqedonia e ka merituar rekomandimin e pakushtëzuar. Në të njëjtën ditë, pra më 18 prill, vendi u vizitua edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila përshëndeti progresin e këtij vendi.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, më 27 prill, vizitoi Maqedoninë në kuadër të takimit të liderëve të vendeve të Procesit Brdo-Brioni (Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi), pritës i të cilit këtë vit ishte presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe, kryeministrja britanike, Theresa May, më 17 maj qëndroi për vizitë në Maqedoni, ku u prit në takim nga homologu i saj maqedonas, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për media në Qeverinë e Maqedonisë që e mbajti më 12 qershor, në prani të të gjithë ministrave, njoftoi se “Republika e Maqedonisë së Veriut” është zgjidhja e arritur rreth kontestit të emrit me Greqinë, pasi më herët propozimi “Republika Ilinditase e Maqedonisë” nuk gjeti kompromis me palën greke.

Ishte data 17 qershor kur qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë në anën greke të liqenit të Prespës e nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth emrit dhe për partneritet strategjik, sipas të cilës Maqedonia duhet të ndryshojë emrin e shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, më 12 korrik, në Bruksel zyrtarisht ia dorëzoi ftesën kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, për fillim të negociatave për anëtarësim në Aleancë.

Më 30 korrik, Kuvendi i Maqedonisë shpalli mbajtjen e referendumit për emrin më 30 shtator të vitit 2018, ndërsa pyetja në referendum u përcaktua “A jeni për BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Nga periudha 30 gusht deri 28 shtato, shumica parlamentare me moton “Bashkë PËR Maqedoninë Evropiane” zyrtarisht nisi fushatën për referendumin e 30 shtatorit mbi marrëveshjen e këtij vendi me Greqinë, gjatë së cilës liderë më me ndikim ndërkombëtar vizituan Maqedoninë dhe apeluan tek qytetarët që të dalin në mbështetje të referendumit, përfshirë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kancelari austriak, Sebastian Kurz, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis,

Më 2 shtator, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë paralajmëruan zbatimin e projektit për menaxhim të përbashkët kufitar “One-Stop-Shop”.

Në Maqedoni më 30 shtator u mbajt votimi me çka qytetarët e vendit u deklaruan në referendumin konsultativ mbi çështjen për ndryshimin e emrit që është parakusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Pavarësisht asaj se 91,46 për qind votuan “për” ai nuk arriti konsensus, respektivisht jehona e votimit arriti 36,91 për qind.

Me një shumicë prej dy të tretave deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 20 tetor, miratuan propozimin për qasjen drejt ndryshimeve të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, me çka dy e treta apo 80 deputetë votuan “për”, ndërsa 39 ishin “kundër”. Propozimi përmbante disa pika, duke përfshirë shtesën “e Veriut” në emrin aktual të Maqedonisë, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.

Ishte data 13 nëntor kur ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili më 23 maj u dënua me dy vjet burg për furnizimin e një automjetit luksoz në vlerë prej 570 mijë euro e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook njoftoi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze, pas së cilës e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. Një ditë pas njoftimit të tij në Facebook, policia maqedonase lëshoi flet arrest ndërkombëtar dhe kërkoi ekstradimin e tij. Gruevski, më vonë më 20 nëntor, po ashtu në Facebook njoftoi se Hungaria është përgjigjur pozitivisht në kërkesën e tij për azil.

Kuvendi i Maqedonisë më 18 dhjetor miratoi Ligjin për Amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend, kur si pasojë e dhunës së ushtruar nga qindra protestues, të cilët me forcë hyrën në godinën e Kuvendit, pësuan rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe punëtorë mediatik. /Konica.al/