MENU
klinika

Drejtësi për vrasjen e Khashoggit

Nis gjyqi për vrasjen e gazetarit saudit

03.01.2019 - 13:31

Gjyqi i 11 individëve mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi ka filluar në kryeqytetin saudit, Riyadh, sipas raportimeve nga media shtetërore.

Prokurorët kanë kërkuar dënimin me vdekje për pesë të pandehurit.

Khashoggi, një kritik i shquar i qeverisë saudite, u vra pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë më 2 tetor. Prokurorët thonë se ai u vra në një operacion nga agjentët e dërguar për ta bindur atë që të kthehej në mbretëri.

Arabia Saudite ka refuzuar kërkesën e Turqisë për të ekstraduar 18 të dyshuar për gjykim, duke përfshirë 15 agjentë të dyshuar, të cilët thuhet se fluturuan për në Stamboll për të kryer vrasjen.

Informata të pakta u publikuan nga mediat shtetërore lidhur me gjyqin, vetëm që seanca e parë për çështjen kishte filluar dhe se 11 të pandehurit dhe avokatët e tyre ishin të pranishëm.

Avokatët mbrojtës kërkuan një kopje të fletëparaqitjes dhe kohën për ta shqyrtuar atë. Nuk u caktua asnjë datë për seancën e ardhshme.

Kërkesat e Turqisë për prova ende nuk kanë marrë përgjigje, tha avokati i përgjithshëm në një deklaratë në Agjencinë e Shtypit Saudit.

Asnjë emër i të pandehurve nuk ështëpublikuar zyrtarisht. Deklaratat e mëparshme tregojnë se edhe 10 të tjerë po hetohen gjithashtu.

Princi saudit Mohammed bin Salman, djali i mbretit Salman dhe sundimtari de facto i Arabisë Saudite, nuk do të gjykohet, megjithëse është akuzuar se ka patur lidhje me ngjarjen. Zyrtarët amerikanë thuhet se një operacion i tillë do të kishte nevojë për miratimin e princit.

Në nëntor, zëvendësprokurori Publik, Shalaan bin Rajih Shalaan tha se hetuesit kishin arritur në përfundimin se një oficer i inteligjencës urdhëroi vrasjen e Khashoggit duke aplikuar një injeksion vdekjeprurës. Zyrtari ishte ngarkuar me bindjen e gazetarit disident për t’u kthyer në mbretëri, shtoi ai.

Trupi i Khashoggi u shpërbë në ndërtesë dhe pjesët e trupit u dorëzuan në një “bashkëpunëtor”, sipas Shalaan. Mbetjet ende nuk janë gjetur.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë, duke përfshirë Saud al-Qahtani, ish-këshilltar i princit. Përsëri, është e paqartë nëse ndonjë nga ata të 17 janë duke u gjykuar.

Jamal Khahoggi ishte një gazetar i shquar, që për shumë dekada kishte qenë afër familjes mbretërore saudite dhe gjithashtu kishte shërbyer si këshilltar i qeverisë. Por ai u largua për në SHBA vitin e kaluar. Prej aty, ai shkruante për Washington Post, ku ai kritikonte politikat e princit të kurorës. Në shkrimin e tij të fundit, Khashoggi kritikonte përfshirjen e Arabisë Saudite në luftën në Jemen./konica.al