MENU

Koalicioni qeverisës

Opozita greke: Dorëheqja e Kamenos, “divorc i inskenuar”

14.01.2019 - 21:36

Parlamenti grek pritet të mblidhet të mërkurën për të votuar propozimin e kreut të qeverisë, Alexis Tsipras, për votëbësimin e deputetëve pas daljes së partnerit Panos Kammenos nga koalicioni qeverisës.

Për partitë e opozitës në Greqi, divorci mes dy partive aleate përpara ratifikimit të marrëveshjes së shumëdebatuar të Prespës është vetëm një inskenim politik që nuk do të devijojë qëllimin e vërtetë të qeverisë në favor të akordit me Maqedoninë.

Opozita në Athinë e konsideron një farsë politike largimin e partisë “Grekët e Pavarur” nga koalicioni qeverisës i drejtuar nga SYRIZA.

Ministri i grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, së bashku disa përfaqësues të dikastereve ministrore nga partia e tij, shpallën dorëheqjen të dielën nga postet e tyre duke cituar si arsye madhore ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë që pritet të propozohet së shpejti në parlament.

Por partia opozitare, “Demokracia e Re”, deklaroi të dielën se “divorci i inskenuar” i partnerëve të koalicionit ka për objektiv primar miratimin e marrëveshjes së debatuar, pasi SYRIZA bashkë me Kammenos dhe deputetët e tij do të vazhdojnë të qëndrojë në pushtet edhe për disa kohë.

Ndërkohë, partia “Lëvizje për Ndryshim” njoftoi përmes liderit të saj që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri, Alexis Tsipras, e ka përjashtuar skenarin e mbajtjes së zgjedhjeve përpara tetorit të këtij viti, por është shprehur në favor të votëbesimit të qeverisë së tij në seancën më të afërt parlamentare, që pritet të mbahet të mërkurën.

Qeveria e Tsipras duhet të marrë një numër minimal prej 151 votash në mënyrë që të kalojë testin e votëbesimit.

Aktualisht, SYRIZA ka 145 deputetë në parlament, dhe besohet se me ndihmën e katër votave nga “Grekët e Pavarur” të Kammenos dhe nga dy deputetë të tjerë do t’i hapet rrugë një qeverie të qëndrueshme.

Në lidhje me marrëveshjn e kundërshtuar të Prespës, Tsipras përsëriti se mesazhi i akordit me Maqedoninë është ai i paqes dhe i vëllazërisë mes kombeve, jo ai i nacionalizmit apo fanatizmit që po rrezikon Europën.