MENU

Reagon rektori

Përplasja me studentët, Koni: Policët sjellje të papërgjegjshme

12.01.2019 - 09:38

Pas përplasjeve verbale dhe fizike mes disa studentëve të fakultetit të Ekonomikut dhe Drejtësisë me punonjës të forcave të rendit, ka reaguar rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ky i fundit përmes një postimi dje në ‘Facebook’ dënoi ngjarjen e djeshme si dhe veprimet e policisë. Sipas tij studentët kanë të drejtën e tyre legjitime që të protestojnë për të drejtat e tyre.

“Në vijim të ngjarjeve që ndodhën sot në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Drejtësisë, si Rektor i Universitetit të Tiranës por edhe si pedagog prej shumë vitesh, shpreh indinjatën time të thellë personale për veprimet totalisht të papërgjegjshme të disa prej anëtarëve të forcave të rendit në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë.

Studentët e UT janë në të drejtën e tyre legjitime për të protestuar si qytetarë të lirë të një vendi demokratik, për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për një arsim cilësor dhe bashkëkohor!”, shkruan Koni. Prej 3 ditësh studentët e disa fakulteteve në Tiranë, mes tyre ata të Ekonomikut, Juridikut, Ixhinierisë dhe Arkitekturës, janë ngujuar brenda fakulteteve të tyre, ndërsa kërkojnë plotësimin e 9 kërkesave.