MENU
klinika

Detajet

Përplasje fizike te ‘Drejtësia’, studentja shoqërohet me ambulancë!

28.01.2019 - 16:58

Dita e sotme ka sjellë përplasje dhe trazira mes studentëve ne Fakultetin e Drejtësisë. Një pjesë e studentëve që duan mësim tentuan të hyjnë në ambientet e brendshme ku ndodhen protestuesit por u përplasën fizikisht me ta.

Debate verbale pati edhe jashtë ambjenteve të fakultetit ku studentët thyen edhe xhamin e dritares së fakultetit.Studentët që bojkotojnë mësimin kanë mbyllur derën dhe nuk lejojnë studentët e tjerë që duan të zhvillojnë mësim të futen në auditore.

Një pjesë e studentëve  thanë se u ushtrua dhunë ndaj tyre dhe se nuk janë dakort me mënyrën e bojkotit duke kërkuar t’i rikthehen mësimit.
Nga ana tjetër ndryshe mendojnë studentët që janë në ngujim

“Ne këtu jemi për një kauzë. Janë 8 pika dhe rrëzimi i ligjit të arsimit të lartë”, shprehen disa prej tyre.

Këta të fundit  kanë dalë në ballkon duke akuzuar studentët që duan të rikthehen në auditore se janë të FRESSH.Një prej studentëve që ndodhen brenda ambienteve të këtij fakulteti ftoi studentët që duan të kthehen në auditor që të bashkohen me ta në bojkotimin e mësimit.

“Studentët që janë jashtë duhet ta kuptojnë se nëse bëhemi bashkë fitojmë, prej gati 16 ditësh jemi këtu për të gjithë jo për veten tonë. Të bashkohemi të rrëzojmë ligjin dhe të plotësohen 8 kërkesat tona dhe të kthehemi bashkë. Asnjë pikë nuk është plotësuar.” u shpreh studenti.

Ata gjithashtu thonë se distancohen nga çdo akt dhune dhe akuzojnë studentët që janë jashtë se duan të nxisin tensione.
Një prej studenteve të ngujuara në ambientet e fakultetit të Juridikut është ndjerë keq dhe ambulanca e shoqëroi drejt spitalit.

Ndërkohë që një studente që ndodhet jashtë fakultetit të Juridikut thotë se fakulteti po mbahet peng nga një grup i vogël.

“Ata po prishin ambientet. Ne jemi shumë që duam të bëjmë mësimin, shumica e studentëve është pro mësimit. Ata që janë brenda janë vetëm 50 veta”tha studentja.

Ndërsa në Shkodër vijon ngujimi i studentëve në Universitetin Luigj Gurakuqi ku studentët patën edhe një takim me rektorin Adem Bekteshi por nuk munguan as debatet.