MENU
klinika

Letërsia Shqiptare

Poeti Murat Isaku një emër që shënon patriotizmin shqiptar

23.01.2019 - 14:55

”Liria më e madhe e njeriut është nderimi ndaj tokës së vet”

Murat Isaku, poeti dhe prozatori i shquar i letërsisë shqiptare nga Gajreja e Tetovës (15 prill 1928-24 gusht 2005), njihet si patriot, atdhetar, intelektual dhe krijues. Ndër botimet e shumta dallojmë edhe romanin “Rreckajt” (1979), “Plagët” (1979).

Mësues i pasionuar i gjuhës dhe i traditave kombëtare, redaktor i emisioneve në gjuhën shqipe, për njëzet vite radhazi në radion dhe televizionin e Shkupit, krijues konsekuent dhe tepër pjellor, qysh nga viti 1949, Murat Isaku bën pjesë në ata intelektualë, që dallohet jo vetëm në trojet e shqiptarëve të Maqedonisë, por me plot gojën në tërë sofrën kombëtare. Këtë emër e këtë nderim, ai e ka arritur përmes jetës dhe veprës së tij të vetëdijshme, harmonike dhe tepër konsekuente.

Tri herë nëpër burgje dhe disa herë i flakur prej pune, me shtëpi të djegur e me kulm të rrëzuar, i parë vëngër dhe i piketuar vazhdimisht si shqiptar i thekur, Murati u bë shumë herët i vetëdijshëm se në jetën e çdo njeriu lypset të ketë një prirje të qëndrueshme e të përhershme ndaj çështjes kombëtare.

“E ëmbël është buka e vendit e na mban gjatë”, – do të shprehet në një poezi të hershme dhe vazhdimisht, në gjithçka që shkruan e që thotë, si edhe në të gjitha veprimet që kryen do të orientohet nga interesat e mëdha kombëtare. Është kjo vetëdije kombëtare, që do ta bëjë atë vazhdimisht të etur për të zbuluar dhe afirmuar madhështinë e atdheut të vetë në çdo libër të ri që shkruan, në çdo emision të radios dhe televizionit, në çdo orë mësimi, në çdo bisedë.

Trolli është një prind me zemër të madhe, diku të dëbon, në një vend tjetër të përqafon”, “Njeriu e gjen tërë vetveten vetëm në trollin e të parëve”, “Ai që shkel gjakun e vet, mbyt në shpirt vetveten”, “A s’është më mirë secili ujë ta ketë shtratin e vet?

 A s’është më mirë secili zog ta ruajë këngën e vet?”, “Hej këto rrugët e fshatit tim me gurë të parrahur – këmbët vërtet t’i vrasin, por edhe plagët t’i shërojnë… Kur matesh të shkosh nëpër to, të duket se të merr nanurisja si në prehër të nënës… Çdo copë gur ruan nga një copë diell dhe nga një përrallë të madhe!”.

Të gjitha këto thënie e plot e plot të tjera, që mund të gjesh në librat e botuara të shkrimtarit, që thith përherë e përherë erën e truallit të vet, janë vetëm një shprehje e asaj dashurie të zjarrtë për vendlindjen, çështjen kombëtare dhe popullin që jeton në to.

Por atdheu, kombi, populli i vet, përbëjnë për Murat Isakun kuptimin dhe qëllimin final të rrojtjes. Murat Isaku lufton kështu për një atdhe të emancipuar, ku secili individ ka dinjitetin dhe të drejtat e veta, ka lirinë e tij, ka të drejtën natyrore dhe legjitime të jetë i barabartë me të tjerët, ta ruajë e ta zhvillojë më tej gjithçka të vetën, origjinale, atë që është lindur e gjendet që në “rrënjët e shpirtit” të popullit të vet.

Prandaj, ai do të thotë: “S’mund të ketë shpirt të kulluar pa identitet të plotë”, “S’ka gjuhë, s’ka mbrojtje”, “S’ka autobiografi me gjuhë të prerë”, “Nuk i vuri pranga asnjë shekulli, nuk e ndava truallin me kufij”, “Askujt mbi dhé s’i kemi marrë atë, që s’na ka takuar”, “Secili që merr t’ia shkelë fytyrën popullit të vet, qoftë me hir apo pa hir, s’mund të jetë i dobishëm për asnjë popull tjetër pse gjakun e ka të helmuar”, duke afirmuar kështu të drejtat dhe liritë demokratike të individit brenda truallit të vet, popullit të vet, rrethanave të ekzistencës së vet kombëtare dhe njerëzore.

“Të luftosh do të thotë të mbrosh diçka, fundi-fundit edhe nderin tënd. Sepse një popull që bie në gjunjë para lumit të harbuar të jetës, gjithmonë mbetet i varfër për vetveten, sepse në botë asnjë truall s’është pa plagë dhe asnjë histori pa pasthënie”. Prandaj, lypset të jetojmë kurdoherë “me kujtimet e rënda të së kaluarës dhe me plagët e së tashmes”. “Vetëm kështu dhe në asnjë mënyrë tjetër, ne do të mund ta dimë mirë historinë, biografinë tonë dhe të ardhmen tonë”.

Gjithmonë një popull mëson më shumë nga vetvetja dhe është detyrë e brezit tonë të mësojmë nga gabimet dhe pësimet e historisë kombëtare. Për secilin prej nesh duhet të ngrihet pyetja e madhe:

“Si ta shkulim bigorrin nga gjaku ynë?! Si të përparojmë më shpejt? Si të mirëkuptohemi? Si t’i përthithim mençuritë e njerëzimit?”

Këto pyetje dhe të tjera, jo vetëm që shtrohen, por edhe marrin përgjigje të urtë e të mençur në librat dhe krijimet e tij, që përfaqësojnë një botë autentike shqiptare, një botë ku merr frymë lashtësia dhe bota e sotme, njeriu i traditës.

Në të njëjtën kohë, ai është bërë më vital, më filozof, më optimist. “Pse vuajtjes ia njoh dhëmbët”, “Pse është mashtrim t’i besosh dikujt përherë”, “Pse tash e tutje e di mirë, që pasojat vijnë pasi të përcaktohesh”, “Pse çdokush merr të vdesë mu në atë çast, kur provon të jetojë me besimin e huaj në gjirin e vet”, “Pse besimi është më i madh se disfata”, “Pse vetëm njerëzit e këtij trualli arrijnë të kthehen gjallë nga varri”, “Pse historia kombëtare dhe botërore tash na bindi, që mbretërit e Ballkanit me shërbëtorët e vetë, një ditë do të falimentojnë, duke lënë pas kërmat, mbi të cilat do të pështyjnë fëmijët me ndjenjën e trishtimit. Kanë nisur të bien kambanat e fundit të tyre”.

 

FALJE KËRKOJ

Falje kërkoj për gënjeshtrat, nxënës, miq,

Kur kam thënë komunizmi është kryefjalë, botën e kemi në dorë.

Nga majmuni kemi dalë, midis njerëzve Zoti s’ka ligj,   

Bota do të bëhet e kuqe vetëm për një orë…

 

Ndjesë kërkoj – tash vetja m’shtyn me veten të qesh,

I dehur kam hyrë në klasë, i tillë jam kthyer në shesh…

 

Më duket se edhe foljet s’i zgjodhëm fort mirë,

Kallëzuesit s’ia gjetëm vendin, kohët i lamë për më vonë…

Me atë verë të kuqe në kokë, brenda në klasë pata hyrë,

E kuqe, thashë, do të jetë edhe sintaksa e gjuhës sonë…

 

Tash urdhëroni t’ia nisim prej fillimit – aty ku e lamë,

Për ta gjetur kryefjalën e për ta thënë atë që s’e thamë…

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit