MENU
klinika

Së shpejti takim në Varshavë

Polakët dhe italianët po bashkojnë forcat kundër BE-së?!

07.01.2019 - 14:18

Polakët dhe drejtuesit e krahut të djathtë të Italisë do të takohen në Varshavë, për të krijuar atë që mund të jetë një forcë e re kundër BE-së në Parlamentin e ardhshëm Europian.

Takimi mes kreut të partisë në pushtet polak Jaroslaw Kaczynski dhe ministrit të brendshëm italian dhe njëkohësisht zëvendëskryeministrit Matteo Salvini në kryeqytetin polak të mërkurën (9 janar) është për të diskutuar anëtarësimin e Polonisë në grupin e ri të Salvinit, sipas të përditshmes italiane La Repubblica.

Jacek Sasin, një deputet nga Partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet, tha se ishte e pasigurt nëse takimi do të kishte një objektiv të caktuar.

“Por Salvini dhe Kaczynski do të shkëmbejnë ide se si duhet të funksionojë Bashkimi Evropian”, tha ai. “Ka patjetër pikëpamje të ndryshme mes nesh dhe Matteo Salvinit, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi disa ide të përbashkëta se si projekti evropian duhet të ndryshojë” shtoi ai.

Partia e Kaczyński aktualisht është në grupin e krahut të djathtë të Konservatorëve dhe Reformistëve (ECR), e cila ka 73 deputetë. Por ky grup ka të ngjarë të rrëzohet kur anëtarët e Partisë Konservatore britanike të largohen pas Brexit, duke i lënë anëtarët e PiS të pastrehë në Bruksel.

Salvini tashmë ka bindur partitë franceze dhe holandeze të ekstremit të djathtë, për t’u bashkuar.

Nëse PiS, si dhe Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë të Austrisë, bashkohen me grupin, mund të marrin 140 deputetë ose më shumë, duke e bërë kështu të tretën më të madhe në Parlamentin Europian.

Ndërkohë., Polonia ka bojkotuar kuotat e BE për ndarjen e emigrantëve, ndërsa Salvini dëshiron solidaritetin e BE.

Polonia gjithashtu historikisht nuk ka besuar tek Rusia dhe tek regjimi i presidentit Vladimir Putin, ndërsa Salvini e ka treguar hapur admirimin ndaj Putinit. Por këto ide të ndryshme nuk janë aq serioze sa të ndalojnë krijimin e një grupi të përbashkët, thanë politikanët e PiS.

Por nga ana e tij, Czaputowicz, ministri i jashtëm polak, ka thënë “Institucionet e BE-së u përpoqën të dëmtojnë autoritetet polake sa më shumë që të jetë e mundur”, duke iu referuar procedurës së sanksioneve të BE.

“Komuniteti evropian po funksionon keq…BE nuk mund të kryejë veprime që nuk i pranon publiku”, shtoi ai, kur u pyet për të shpjeguar rritjen e populizmit anti-BE.

Këto kritika ishin të lehta në krahasim me retorikën euroskeptike të presidentit polak, aleat i PiS Andrzej Duda.

“BE është një komunitet imagjinar prej të cilit nuk fitojmë shumë”, tha Duda në një tubim në Lezajsk, në Poloninë juglindore, në tetor.

“Fakti që Polonia është një anëtare e BE-së nuk do të thotë që ne duhet të përsërisim gabimet e Perëndimit dhe të infektohemi nga sëmundjet sociale që dominojnë atje”, tha vetë Kaczynski në shtator, duke iu referuar vlerave të BE-së si multikulturalizmi dhe të drejtat LGBTI./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bisedime për një tjetër aleancë

Liderat evropianë kundër populistëve

Fati i Evopës në duart e...

Dilema e madhe/ Makron apo Orban?!