MENU
klinika

Vettingu

Probleme me pasurinë, KPK shkarkon kryegjyqtarin e Laçit

14.01.2019 - 12:47

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Kurbin nuk ka mundur të kalojë ‘sitën’ e Vettingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra kryegjyqtarin e Laçit, Alfred Gjonin.

Sipas raportit të ILDKPI-së, gjyqtari rezulton me probleme në pasuri, si edhe shkruhet se Gjoni nuk ka bërë deklarim të saktë pasurie dhe nuk ka burime të ligjshme për t’i justifikuar.

Gjithashtu në raport thuhet se Gjoni ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë të saj.

Probleme shfaqen lidhur me një apartament 60 m2 i blerë 1.9 mln lekë në vitin 2001 për të cilat ka deklaruar si burim shitjen e disa pronave në Laç, por sipas KPK-së subjekti nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme, ndërsa edhe vetë çmimi i deklaruar i blerjes është më i ulët se ai i tregut.

Gjithashtu, në pasurinë e gjyqtarit Gjoni, rezulton edhe një apartament 47 m2, për të cilin ka mospërputhje me vitin e ndërtimit të kësaj shtese dhe mungesë burimesh financiare. Ky apartament nuk është deklaruar në shpenzimet në vitet 2003-2006.

Gjoni ka një apartment në Durrës të cilin nuk e ka deklaruar dhe nuk ka deklaruar as burimin e ligjshëm të të ardhurave. Subjekti nuk ka deklaruar as 3 automjete të tij dhe as një udhëtim në Bruksel.

Po ashtu mospërputhje deklaratash ka edhe për një hua që subjekti i ka dhënë një personi tjetër.

Sa i përket aftësive profesionale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka paraqitur një raport të 6 çështjeve, ku gjyqtari ka patur sjellje jo korrekte.