MENU
klinika

Washington Post

Problemi më urgjent i SHBA nuk është muri i Trumpit…

24.01.2019 - 12:49

Mbyllja e pjesshme e qeverisë në SHBA, që tanimë  është në javën e saj të pestë, është një krizë kombëtare. Mungesa e një muri kufiri,  siç Trump mendon nuk është kriza e vërtetë. Mbase kriza kufitare është një mit dhe muri një zgjidhje si ato të shekullit të tretë për një problem të shekullit të 21-të. Ndërkohë që Presidenti Trump është fiksuar me një krizë të rreme, ai po injoron krizat e vërteta aktuale.

Ndryshimi i klimës. Si qeveria e SHBA dhe Kombet e Bashkuara kanë nxjerrë raporte, ku shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po përshpejton. Studimet e reja zbulojnë se emetimet e gazit amerikan u rritën 3.4 për qind në 2018, oqeanet po ngrohen 40 për qind më shpejt se vetëm pesë vjet më parë dhe akulli në Grenlandë dhe në Antarktik po shkrihet shumë më shpejt se sa parashikohej. Ne po shohim një rritje në nivelet e detit, që do të rezultonin në përmbytjen e komuniteteve ishullore në mbarë globin, në shkatërrimin e habitateve  të kafshëve të egra dhe në problem me furnizimin me ujë të pijshëm.

Dhuna nga armët. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë armë se njerëz, dhe gati 40,000 njerëz vdiqën nga sulmet me armë në 2017, niveli më i lartë në gjysmë shekulli. Gati dy të tretat e vdekjeve të shkaktuara nga armët janë vetëvrasje. Ndërkohë, norma e vrasjeve amerikane me armë është 25 herë më e madhe se vendet e tjera me të ardhura të larta. Duke përmendur të dhëna nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vihet në dukje se armët e zjarrit janë shkaku i dytë kryesor i vdekjes për fëmijët dhe adoleshentët amerikanë.

Droga. Droga vret më shumë njerëz sesa armët. Më shumë se 70,000 amerikanë vdiqën nga mbidoza e drogës në 2017, një numër rekord, për shkak të popullaritetit të fentanilit, një opioid sintetik 50 herë më i fortë se heroina.

Borxh. Komiteti për një Buxhet Federal Përgjegjës vëren se, pavarësisht një ekonomie të fortë, deficiti buxhetor parashikohet të kapë $ 1 trilion këtë vit dhe borxhi publik të kalojë 160 përqind të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2050.

Populizmi autokratik. Populistët autokratë kanë marrë pushtetin në vende si Bolivia, Brazili, Hungaria, Nikaragua, Filipinet, Polonia, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara. Diktatorët tashmë kanë shkatërruar demokracinë në Egjipt, Rusi, Tajlandë, Turqi dhe Venezuelë. Freedom House zbulon se demokracia është në rrezik kudo nëpër botë, madje edhe në Shtetet e Bashkuara.

Kina dhe Rusia. Xi Jinping dhe Vladimir Putin janë kampionët kryesorë të autokracisë në botë. Rusia ndihmoi në zgjedhjen e Trumpit dhe Brexit; Kina ka ushtruar ndikim që nga Australia deri në Afrikë. Të dy vendet nuk janë treguas aspak miqësor ndaj fqinjëve të tyre: Rusia pushtoi Gjeorgjinë dhe Ukrainën, ndërsa Kina ka aneksuar Detin e Kinës Jugore.

Kjo është lista (pa dyshim subjektive) e krizave më urgjente amerikane. Probleme të tjera, si infrastruktura e shkatërruar, siguria kibernetike, terrorizmi, dhe kujdesi shëndetësor i papërballueshëm, mund të shtohen po ashtu.

Ajo që është dëshpëruese është se një nga krizat e pakta në listën time që Trump është përpjekur të zgjidhë është problemi me drogën. Ai nënshkroi legjislacionin në tetor për të luftuar këtë ndodhi. Por, për të treguar se çfarë presidenti ka prioritet, mjafton të shohim postimet e tij në Twitter. Ai ka postuar vetëm 16 herë lidhur me problemin e drogës, krahasuar me 627 postime lidhur me çështjen e kufirit. Të paktën kjo është më mirë se reagimi i tij ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat ai i trajton si një shaka. Ai është indiferent ndaj krizës së borxheve. Dhe, sigurisht, kur është fjala për populizmin autokratik, Trump është pjesë e problemit, e jo e zgjidhjes.

Si mund t’i përgjigjet qeveria krizat më urgjente me të cilat përballet Amerika kur presidenti nuk do të pranojë që ato ekzistojnë?/konica.al