MENU
klinika

Xhorxh Orwell

“Profeti” i pandalshëm i letërsisë angleze

21.01.2019 - 15:13

“Përballë dhimbjes nuk ka heronj”.

Shkrimtari i veprës së njohur “Ferma e kafshëve” lindi më 25 qershor 1903, gazetari, esesisti dhe aktivisti i famshëm, i cili shkroi romanin e famshëm dystopian “1984”.

Po ashtu, me penën e tii ai është i aftë të interpretojë dhe të përshkruajë jo vetëm kohën e tij, por edhe kohërat në vijim. Veprat e tij më të famshme janë shkruar në vitet 1940, si “Ferma e kafshëve” dhe “1984”.

Në romanin e parë Orwell përdor legjendën, si një satirë narrative për të tallur komunizmin e Bashkimit Sovjetik. Nëpërmjet metaforës së kafshëve që rebelohen kundër një mjeshtri despotik njerëzor, Orwell paralajmëron kundër rreziqeve të revolucionit kur ai, në vend që të sjellë përfitime reale, rrezikon të bëhet një tirani e re.

Në veprën e famshme dystopiane “1984”, George Orwell zbulon veten si një “shkrimtar profet”, ai përshkruan dhe sulmon mekanizmat totalitare të kontrollit të mendimit, duke folur gjerësisht për rreziqet e shkaktuara nga mungesa e të menduarit kritik në qeniet njerëzore.

Më 21 janar, bota e letrave feston përvjetorin e vdekjes së një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, George Orwell, shkrimtari i aftë për të krijuar në kryeveprën e tij “1984” një univers dystopian që ende sot i shqetëson lexuesit.

Shpesh kur flasim për George Orwell flasim shumë për veprat që ai shkroi, si “1984” ose “Ferma e kafshëve”, gjithsesi fare pak për figurën e tij si njeri dhe si poet.

 

Romani “1984” flet për një botë të ndarë në një konflikt të vazhdueshëm. Konflikti justifikon sundimin e qeverisë, e cila ka zhvilluar shkencën me qëllimin për të kontrolluar dhe shtypur individin.

Bota e Orwell është ajo ku jeta private e individit nuk ekziston. Njerëzit flasin gjuhën e gazetave. Bota është e ndarë në tre supershtete që shtrihen në shumë kontinente.

Mbetet interesante fakti se shkrimtari legjendar, në fillim të shekullit XX, hodhi bazën e pesë rregullave të krijimit të përmbajtjes që vijojnë të mbeten të vlefshme edhe sot e kësaj dite:

– Mos përdorni figurën stilistike të metaforës, që tashmë e shihni diku tjetër në baza të rregullta. Ose, bëjeni, por përdorimi i metaforave të njohura shton peshë në shkrim dhe humb dinamikën ndaj stilit.

– Mos përdorni një fjalë të gjatë, kur mund të përdorni një fjalë të shkurtër.

– Nëse një fjalë iu duket e panevojshme, mund ta hiqni.

– Mos përdorni formën pasive, kur mund të përdorni shumë mirë formën aktive.

– Mos përdorni një fjalë apo një shprehje në gjuhë të huaj, kur ajo fjalë ka ekuivalentin e bukur në gjuhën amtare.

Librat e autorit janë vepra të klasifikuara tashmë mes 100 klasikëve që duhen lexuar të paktën një herë në jetë.

Megjithëse George Orwell ka shkruar vetëm gjashtë romane, vepra e tij i ka dhënë një vend të merituar në majë të listave të shkrimtarëve më të mirë.

Ndikimi i tij është i gjithanshëm dhe zotësia e tij për t’u pasur zili në krijimin e frazave të mendimeve provokuese e ka bërë veprën e tij një nga më të cituarat në botë.

Fillimisht shkrimtar me ide komuniste, por në vitin 1943, shkroi romanin “Ferma e Kafshëve” një satirë mbi revolucionin komunist dhe shtetin sovjetik, vepër e ndaluar të publikohej në Britaninë e Madhe, e cila në atë kohë qe aleate me Stalinin kundër Hitlerit. Veprat e tij nuk janë thjesht mbi diktaturën, siç e njohim ne sot, por mbi shpirtin e çuditshëm njerëzor, që fillon të kuptojë se çfarë është diktatura vetëm pasi kjo e fundit ka vdekur.

Për të përkujtuar këtë shkrimtar të mrekullueshëm, që padyshim e keni lexuar, ju ofrojmë thëniet e tij më interesante:

“Nëse mendimi shtrembëron gjuhën, gjuha është gjithashtu në gjendje të shtrembërojë mendimin”.

 “Në kohën e mashtrimit universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”.

 “Njohja ku të shkosh dhe të dish se si të arrish atje janë dy procese të ndryshme mendore, të cilat shumë rrallë kombinohen në të njëjtin person. Mendimtarët politikë përgjithësisht ndahen në dy kategori: utopistët me kokat e tyre në re dhe realistët me këmbët e tyre në tokë.

“Nga mënyra se si e shihte ajo, jeta ishte një fakt shumë i thjeshtë. Ti dëshiroje të argëtoheshe, ata donin të të parandalonin, atëherë t’i bëje të pamundurën për t’i thyer rregullat”.

Gruaja gjithmonë ka një lloj ndjenje mistike rreth parave. E mira dhe e keqja në trurin femëror thjesht do të thotë para dhe mungesa e parave”.

 “Njeriu është krijesa e vetme që konsumon pa prodhuar”.

“Qëllimi i një shakaje nuk është ta degradojë njeriun, por t’i kujtojnë atij se tashmë i tillë është”.

 “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN