MENU
klinika

Pse e kapërcente?

Pse natën njerëzit shihnin një kal të bardhë që kapërcente një varr?

22.01.2019 - 16:02

Në shoqërinë tradicionale shqiptare, dhunimi i varreve dhe gjymtimi i kufomave të pavarrosura ose të varrosura konsideroheshin krime shumë më të rënda se vrasja e burrave.

Në kanunet shqiptare funksiononin disa norma, të cilat ndalonin rreptësisht dhunime e gjymtime të tilla. Në paragrafin 3445 te Kanuni i Skënderbegut theksohet: “Çdo varrezë në përdorim asht hieja e kishës, prandaj gëzon paprekshmërinë e hijes së kishës”.

Kanunet e shoqërisë tradicionale, kanë pasur disa norma kulturore që ndalonin dhunimin e integritetit moral dhe fizik të çdo personi, të kufomës ose të varrit të tij.

Në përgjithësi, reagimi i opinionit të shoqërisë tradicionale shqiptare ishte më i ashpër ndaj personit që gjymtonte kufomën e të vrarit se sa ndaj atij që vriste.

Edhe më i ashpër ishte reagimi i opinionit ndaj atyre që dhunonin varret. Siç shihet, normat kanunore i trajtonin me dinjitetin e dukurive gati të shenjta integritetin fizik të çdo personi, kufomën dhe varrin e tij.

Cënimi i tyre jo vetëm lahej me gjak, por edhe mbulohej me turp përjetë. Një turp i tillë dëmtonte imazhin e burrave të fisit të tij, sidomos të atyre më të afërt në rrjedhën e disa brezave.

Por, në këtë atmosferë normash kulturore, mendësish dhe opinionesh me fuqi të mëdha imponuese, njerëz që udhëtonin natën pranë varrezave, shikonin, ndonëse rrallë, disa burra që yshtnin një kal të bardhë për të kapërcyer një varr.

Nëse kali i bardhë e kapërcente varrin, i ndjeri që flinte nën të çlirohej nga paragjykimet përçmuese dhe frikësuese se ishte shndërruar në lugat.

Por, në qoftë se kali refuzonte të kapërcente varrin dhe hingëllinte e tërsëllimë, burrat që e yshtnin kalin për të kapërcyer mbi normat kulturore kanunore, merrnin mesazhin se personi që flinte në atë varr ishte shndërruar në lugat.

Pas testit me kalë mund të shihje burra që hidhnin mbi varrin e testuar shkarpa, të cilat i lyenin me vajguri dhe i ndiznin. Besohej se vetëm me një zjarr të tillë zhdukej lugati.

Përgjithësisht, të afërmit e të ndjerit nuk reagonin, nuk e kundërshtonin djegien e tij që organizohej edhe me bekimin e klerikëve.

Ndonëse natë të premteje, fare rrallë në varrezë mund të shihje një skenë edhe më makabre. Burra që zhvarrosnin një kufomë njeriu, të vdekur në moshë të madhe, i prisnin kokën dhe më pas të dy pjesët e kufomës i digjnin.

Krejt në kundërshtim me normat kulturore kanunore, njerëzit në moshën e pjekurisë që banonin përreth një varreze të tillë ose më larg, e pranonin, e mirëprisnin këtë formë të dhunimit të kufomës.

Pse?

Sipas mendësive të tyre të përziera me bestytni, një kufomë e tillë, para se të varrosej, ishte kapërcyer nga një mace ose kafshë tjetër, ishte shndërruar në një vurkollak që nuk kalbej kurrë.

Dyzet ditë pas varrimit vurdollaku besohej se çohej nga varri, ndërhynte dhe u shkatërronte jetën njerëzve.

 

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”