MENU
klinika

Interesat e fshehura të rusëve

Pse Putinit i intereson kaq shumë Venezuela?

26.01.2019 - 12:49

Rusia është sponsori më i rëndësishëm i Venezuelës pas Kinës. Të dhënat mbi financimin e këtyre vendeve në Venezuelë janë të pakta, por investimi i Kinës është vlerësuar të jetë deri në 70 miliardë dollarë.

Rusia dhe kompanitë e saj shtetërore kanë huazuar dhe investuar më shumë se 17 miliardë dollarë gjatë 20 viteve të fundit. Presidenti Putin premtoi 6 miliardë dollarë, plus 600,000 ton grurë, në dhjetor.

Pjesa më e madhe e huadhënies dhe investimeve të Rusisë është kanalizuar përmes Rosneft, gjigantit shtetëror të naftës dhe gazit të drejtuar nga aleati i Putinit, Igor Sechin.

Sipas raportit më të fundit vjetor të saj në dispozicion, Rosneft shiti 2.5 miliardë dollarë naftë të prodhuar nga kompania shtetërore venezueliane deri në fund të vitit 2017.

“Ne kurrë nuk do të largohemi dhe askush nuk do të jetë në gjendje të na largojë nga atje,” tha Sechin për planet e Rosneft për vendin e Amerikës Latine.

Nëse Maduro “rrëzohet” dhe një qeveri e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara vjen në pushtet, ka shumë të ngjarë që projektet ruse të pezullohen dhe borxhet e Venezuelës nuk do të paguhen. Kjo shpjegon reagimin e Moskës ndaj njohjes së Presidentit Donald Trump të udhëheqësit të opozitës Juan Guaido si president i vendit.

Perëndimi është i angazhuar në një “ndryshim të drejtpërdrejtë të regjimit”, shkruante zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova në Facebook. Sekretari i shtypit i Putinit Dmitri Peskov foli për “një përpjekje për të uzurpuar pushtetin suprem”.

Asgjë nuk është vendosur ende; ushtria venezueliane, e cila gëzon një marrëdhënie të ngushtë me homologun e saj rus, ende duket të jetë mbështetëse e Maduros. Por ai nuk mund të shpresojë të mbajë pushtetin për një kohë të gjatë mes kaosit ekonomik, hiperinflacionit dhe urisë.

Qeveria ruse madje ka sugjeruar një plan të rimëkëmbjes ekonomike, por mund të jetë shumë vonë për këto.

Pra, përse Putini vazhdon të mbështesë Maduron dhe të tjerë si ai? Ai është i vetëdijshëm për rrezikun e humbjes së parave nëse këta politikanë rrëzohen.

Ndryshe nga Kina, për të cilën edhe shpenzimet e motivuara politikisht janë një mjet për të patur ndikim ekonomik, shpenzimet e Putinit janë kryesisht për gjeopolitikën.

Megjithatë, në Venezuelë, interesi ekonomik mund të jetë më i fortë se në shumë vende të tjera.

Nëse Maduro humbet, do të jetë një humbje e dhimbshme edhe për Putinin…