MENU
klinika

Paralajmërmi

Regjistrimet fiktive/ Zgurri: Kujdes, do ndëshkoheni!

17.01.2019 - 12:01

Kryetari i  KQZ, Klement Zgurri paralajmëroi kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrës së gjendjes civile të mos organizojnë regjistrime fiktive sepse në të kundërt do të përballen me ligjin.

Në daljen e tij për mediat, Zgurri tha se në zgjedhjet e kaluara ky fenomen është vërejtur disa herë dhe tani do të monitorohet pasi është lehtësisht i verifikueshëm.

“Në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë.

Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cënon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista.

KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor”, deklaroi Zgurri.

Kreu i KQZ gjithashtu ftoi Ramën dhe Bashën që të kundërshtojnë këtë fenomen.

Ndaj unë ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publiksht kundër, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike fenomenit.
Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, por këtë radhë ato janë më shumë se kaq, janë gur prove për Shqipërinë në procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian

Zgurri u bëri apel zgjedhësve, të verifikojnë emrin në listën përkatëse.

I bëjmë thirrje zgjedhësve që të kontrollojnë emrin në listën elektronike të zgjedhësve, të kontrollojnë emrin në faqen zyrtare të internetit të KQZ.

Deri në 21 maj 2019 është e hapur mundësia për t’iu drejtuar gjendjes civile për të saktësuar të dhënat e tyre. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare. Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN