Menu

Nga Edmond Çata

“Rithemelimi i Universitetit të Tiranës është imperativ!”

30.01.2019 - 20:17

Pse rithemelim të UT- Deklaratat e pedagogëve të UT konfirmojnë vetëm një gjë: Domosdoshmërinë jetike të rithemelimit të UT! Që studentët e sotëm e të ardhshëm, vetë shoqëria shqiptare, të shpresojnë për një universitet publik dhe arsim cilësor!

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

I dëgjuat ç’thonë për qeverinë eksponentët kryesorë të “Forumit për Autonomi” dhe të PD-së Valentina Duka, Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Artan Fuga? Qeveria ka paralizuar dhe po shkatërron universitetin! Po denigron pedagoget! Po tallet me studentët! Nuk iu plotëson kërkesat e studentëve, nuk rri buxhetin, nuk përmirëson infrastrukturën! Është kundër universitetit të lirë dhe përbën rrezik për lirinë e universitetit!

I dëgjuat ç’thonë për universitetet Valentina Duka dhe Artan Fuga? Kanë mangësi! Por mos na kërkoni të jenë Harvard apo Oksford! Jo universitet kazermë, por të lirë dhe me demokraci universitare! Universiteti ka të meta dhe vese të rënda, por më mirë këto sesa diktatura. Shkenca, dija nuk bëhen me detyrim!

edmond-cata-konica.al

I dëgjuat çfarë thonë Duka, Fuga, Marku, Gjekmarkaj, apo Asambleja e UT, cilët janë përgjegjësit e gjendjes së mjeruar të universitetit dhe arsimit të lartë? Nuk janë fajtorë pedagogët! Është qeveria! Është cenimi i autonomisë dhe lirisë akademike të universitetit dhe pedagogëve! Janë VKM 777/781/783, Urdhrat 183/184/185, dhe Ligji 80/2015!

I dëgjuat ç’thonë Duka, Fuga, Marku se kush i jep fund kësaj gjendjeje të mjeruar të universitetit dhe arsimit të lartë? Vetë universiteti! Vetëm pedagogët janë shpëtimi! Edhe çështjen e plagjiaturave e zgjidhin vetë ata! Vetëm një model i ri universiteti! Vetëm anulimi i Ligjit 80/2015 të kundërshtuar që në fillim!

Studentë! Njerëz!

Mjafton t’i mbani vëth në veshë këto deklarata për të kuptuar se pedagogët e UT nuk po ngrenë zërin sepse ju dogj barku për arsimin cilësor, për universitetin cilësor, për kërkesat dhe interesin e studentëve, për të mirën e publikut dhe shoqërisë, për autonominë e universitetit, për dëmin e ligjit të arsimit të lartë, apo ato që bën apo nuk bën Edi Rama! Në vend që drejtuesit dhe pedagogët e mbledhur tek “Liria” të bënin një “mea culpa,” një katharsis të ndërgjegjes së tyre akademiko-profesionale, shkatërruesit ndër vite të UT dhe të arsimit cilësor thanë: Do hyjmë në grevë!

Po, po! Ata mund të hyjnë në grevë! Por, jo për ata qindra studentë që qëndruan rrugëve me ditë të tëra jashtë në acar kundër sojit të Nikollës e kompani që Artan Fuga i thurte lëvdata post-mortem! Jo për arsim dhe universitet cilësor! Nëse i futen grevës, kjo do bëhet vetëm për një qëllim: të mos vihen para përgjegjësisë për papërgjegjshmërinë profesionalo-shkencore si drejtues apo pedagogë, të mos iu dalë në dritë paaftësia akademiko-shkencorë; të mos iu prishet rehatia personale!

Studentë vs. Qeveri vs. Pedagogë të UT

Në betejën studentë-qeveri jam me studentët për arsim cilësor, jo me pseudo-studentët me axhendë politike! Qeverisja e sotme, të gjitha qeveritë e mëparshme janë përgjegjës për gjendjen e arsimit të lartë dhe universitetit. Jam kritik ndaj qeverisë, sepse arsimi cilësor nuk është detyrë vetëm e drejtuesve dhe pedagogëve të universitetit. Për shkak të rëndësisë për individin, shoqërinë, ekonominë, qeverisjen dhe vetë shtetin, garantimi i cilësisë së universitetit dhe arsimit është detyrë edhe e qeverisë! Ç’bën ose nuk bën një qeveri për cilësinë, i bën gjërat tamam apo gjysmake, i çon në drejtimin e duhur apo të gabuar, janë gjithnjë arsye për kritikë ndaj çdo qeverie! Ca më shumë për atë të Ramës!

pedagoget e shkencave sociale bashkohen studenteve-konica.al

Por në betejën pedagogë-qeveri nuk mund të jem me shkatërruesit e universitetit! Drejtuesit dhe pedagogët e universitetit publik mbajnë një përgjegjësi akoma edhe më të madhe se qeveritë për gjendjen e sotme të arsimit të lartë dhe universitetit publik! Janë ata, që me vlerat dhe besimet, qëndrimet dhe veprimet e kanë varrosur cilësinë e arsimit dhe universitetit! Ata kanë qenë dhe mbeten jo zgjidhja, por burimi i problemit dhe së keqes! Ata, as kanë qenë, as nuk ka shans të jenë zgjidhja! Le më të garantojnë, arsimin cilësor!

Sot ata bëjnë fajtor qeverinë, ligjin e arsimit të lartë! Pa pikë turpi dhe ndershmërie pretendojnë se qeveria iu paska rrëmbyer autonominë! Kjo është pandershmëria dhe gënjeshtra më e madhe! Ata “harrojnë” se një universitet e përmbush misionin e vet jo për shkak të “ligjit”, por prej standardeve dhe praktikave të shëndosha profesionale, akademike dhe shkencore. Ata “harrojnë” se fakti se sa cilësor është një universitet dhe arsimi i lartë, më shumë se nga ligji përcaktohet nga seti i vlerave, besimeve, mendësisë, profesionalizmit dhe praktikave të rektorëve, dekanëve, shefave të departamenteve, pedagogëve të thjeshtë. Ata harrojnë se një universitet, sado të “pengohet” nga qeveria apo ligji i ditës, në esencën e vet, sukseson apo dështon nga ajo që bëjnë ose nuk bëjnë drejtuesit dhe pedagogët e tij. Kështu që përpara se të vrapojnë për të akuzuar qeverinë, apo shpallur si fajtor ligjin e arsimit të lartë, drejtuesit dhe pedagogët duhet të sqarojnë më parë se e kujt është përgjegjësia, e tyrja apo e qeverisë, për të gjitha “hyneret” që janë denoncuar publikisht nga studentët apo mediat për titujt akademikë, aktivitetin shkencor, aktivitetin si titullar dhe mësimdhënien:

I kujt është faji për lëshimin e titujve shkencorë me punime ose plagjiaturë ose pa kurrfarë vlere shkencore? I qeverisë? I ligjit? Apo i Kuleve, Fugëve dhe të gjithë atyre që kanë bërë udhëheqësin shkencor, këshillat shkencore dhe oponentët shkencorë? Kush ju ka “detyruar” ju, kush dhe si ua paska cenuar lirinë tuaj akademike, kur keni vlerësuar dizertacione apo punime shkencore dhe dhënë “pass” punimeve badiava? Kush ju ka detyruar ju të mos kundërshtoni fiktivitetin dhe falsitetin në rigorozitetin profesional dhe shkencor? Kush ju ka detyruar ju të firmosni pa pikë turpi procesverbale që lëshojnë tituj shkencorë të pamerituar? Nuk ju ka imponuar qeveria, as ligji, por jeni ju vetë që keni bërë një masakër të tillë. Ka qenë dëshira juaj, vullneti juaj, vlerat, besimet dhe mendësia juaj joprofesionale, joshkencore, klanore, klienteliste, nepotike, të turmës dhe të servility që ka vendosur!

I kujt është faji për mungesën ose pseudo-botimet tuaja shkencore? Për konferencat shkencore fiktive? Për pseudo-revistat shkencore që zgjidhni të “botoni”? Kush ju ka penguar apo cenuar në lirinë tuaj akademike dhe shkencore që të bëheni pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar sipas fushës së ekspertizës individuale? Kush ju ka penguar ju dhe punimet tuaja të indeksohen dhe referencohen ndërkombëtarisht? Qeveria? Ligji? Apo mendësia, vlerat dhe besimet tuaja që pranojnë dhe praktikojnë mashtrimin dhe gënjeshtrën si standard akademik? Paaftësia juaj?

I kujt është faji për abuzimin me studentin? Për kërkimin e parave për marrjen e provimeve? Për mosçarjen kokë as për hallet, as për interesat, as për nevojat e studentit? Mos mosdhënien asnjëherë përgjigje me e-mail apo me gojë? Për mosparaqitjen në auditor për të kryer detyrën bazë tuajën, mësimdhënien? Është i qeverisë? I ligjit? Apo i juaji, që nga rektori e deri te pedagogu i thjeshtë? Që i lejoni vetes të mendoni dhe praktikoni bërjen “pallë ariu”?

I kujt është faji për rekrutimin e njerëzve pa kredencialet dhe eksperiencën e nevojshme profesionale, akademike e shkencore? Për pseudokriteret? Për praktikat nepotike, klanore, diskrimiuese? Për mbushjen e universiteteve me anëtarët e partive, të interesave okulte, por jo me njerëzit e diplomuar në perëndim? Për ndëshkimin e atyre që kundërshtonin praktikat e drejtuesve? Për abuzimin dhe vjedhjet me fondet? Për korrupsionin dhe mosndëshkimin? Është faji i qeverisë? I ligjit? Apo i drejtuesve nga rektorë e dekanë e deri te shefat e departamentit? Mos lëshoi vallë qeveria ndonjë urdhër? Mos vallë ju detyroi ligji? A ka ngritur zërin ndonjëherë ndonjëri prej jush?

Përse ju rektorë, dekanë, shefa departamentesh, pedagogë refuzoni t’i nënshtroheni vetingut akademik, nëse vërtet jeni të “pastër”? Të aftë? Modeli për t’u ndjekur shembull? Përse refuzoni të ekzaminoheni nga një trupë vlerësuesish jashtë universitetit, jashtë qeverisë, ministrisë apo agjencive publike nëse jeni apo nuk jeni të denjë për të qenë staf i universitetit? Përse ia keni frikën qoftë edhe një VKM-je gjysmake si ajo Nr. 777 për identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve me plagjiature? Përse, ndonëse janë bërë publike gjithë ato raste pandershmërie akademike, ju nuk i keni hequr titullin askujt, as Ervin Demos, as Hygerta Manastirliut, as Monika Kryemadhit e as kujtdo që publikisht i është demonstruar praktikimi i plagjiaturës? Përse nëpër universitetet publike ju nuk keni identifikuar asnjë person përgjegjës për gjendjen në arsimin e lartë dhe universitet, pavarësisht demonstrimeve të fuqishme studentore dhe provave publike? Përse asnjëri nga ju nuk dhënë dorëheqje? Përse asnjëri nga ju nuk del të pranojë gabimet dhe t’u kërkojë falje publike studentëve, familjeve, shoqërisë?

peticioni-konica.al

Prandaj zotërinj drejtues e pedagogë, pa iu dhënë përgjigje,përsa kohë që në asnjë universitet publik nuk ka lëvizur asgjë, nuk është ndëshkuar asnjë, nuk ka asnjë autokritikë, nuk ka asnjë nuk ka dalë asnjeri t’u kërkojë falje studentëve, a nuk duhet pritur të bëhet kjo nga jashtë tyre?

Po zotërinj! Rektorë, dekanë, shefa departamentesh, pedagogë të thjeshtë! Me apo pa tesera partie. Mund të ulërini në kupë të qiellit që fajtori është qeveria, madje fajin mund tua vishni edhe vetë studentëve që kërkojnë veting akademik. Por, përpara se të bëni këtë, duhet t’u jepni përgjigje pyetjeve të mësipërme! Pa bërë një “mea culpa” publike, pa denoncuar vlerat dhe besimet e tuaja të mbrapshta, pa pranuar fajin dhe përgjegjësinë për praktikat dhe provat e bëra publike, për realitetin në universitet që nuk ka nevojë për koment, pa kërkuar vullnetarisht që t’i nënshtroheni vetingut akademik nga një trupë jashtë jush; ju të gjithë, drejtues dhe pedagogë të universiteteve publike nuk keni të drejtën morale as t’ia hidhni fajin qeverisë, as të pretendoni se jeni zgjidhja, as të pastroni arsimin e lartë dhe universitetin, as të garantoni arsim cilësor! Ju patët 20 vjet në dispozicion për ta bërë këtë dhe nuk e bëtë. Në vend ta ngrinit në qiell, e zhytët arsimin e lartë dhe universitetin shtatë pashë në llucë. Dhe në vend të bëni një mea culpa, shpallni se do të hyni në grevë! Zgjidhja e vetme nuk jeni ju!

Zgjidhja e vetme është rithemelimi edhe njëherë nga e para e Universitetit të Tiranës dhe e gjithë sistemit publik të arsimit të lartë!