MENU
klinika

Serie A, Java 20

Roma superon Torinon, “hyn” në Champions

19.01.2019 - 16:56

Pas kualifikimit në çerekfinale të Kupës, Roma ka vijuar me serinë e fitore edhe në Serie A, e treta radhazi, teksa në javën e 20-të ka mposhtur 3-2 në “Olimpico” ekipin e Torinos.

Si shpesh në këtë sezon, Roma vuan kur kalon edhe në 2 gola avantazh. Ashtu ndodhi edhe sot. Zaniolo në minutën e 15-të dhe Kolarov në minutën e 34-t me penallti, mbyllën fraksionin e parë 2-0.

Në të dytën, Rincon për miqtë ngushton diferencën 2-1 në minutën e 51-të. Torinezët arrijnë të barazojnë edhe rezultatin në minutën e 67-të me antë të Ansaldi-t. Në “Olimpico” pllakos heshtja.

Megjithatë, është El Sharaawy që në minutën e 73-të rikthen Romën në avantazh, që vendasit e mbrojnë me fanatizëm deri në fund. Verdhekuqtë ngjiten në vendin e katërt, në zonën Champions, por rivalët ende nuk kanë luajtur.