MENU
klinika

Tomas Man

Romancieri i kryeveprave

11.01.2019 - 11:35

Kultura dhe letërsia e shekullit XX nuk mund të kuptohen pa emrin e Tomas Manit.

Vepra e tij nuk i përket vetëm popullit gjerman dhe pa dyshim jo vetëm shekullit tonë. Krijimtaria e tij shumë e pasur plotëson nga titulli në titull atë njohje të natyrës njerëzore, pa të cilën njeriu i kohës sonë do ta kuptonte më pak vetveten.

U lind në Lybek të Gjermanisë më 6 qershor 1875 nga një nënë gjysmëgjermane, gjysmëkreole – portugeze (lindur në Rio-de-Zhanejro). Babai ishte tregtar i madh dhe senator i qytetit në Lybek.

Më 1894 boton novelën e parë në një revistë studentësh, të krijuar nga ai vetë. Më vonë boton tregimin “Zotëria i vogël Frideman”. Gjatë një udhëtimi në Itali, fillon romanin “Budenbrokët”. Më 1901 botohet “Budenbrokët”.

Më 1903, përmbledhje novelash: “Tristani”, ku përfshihet edhe “Tonio Kregeri”, më pas boton “Lartësia e tij”, “Vdekje në Venecie”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shkruan e boton: “Mendime lufte”, “Frederiku dhe koalicioni i madh”, “Konsiderata të një apolitiku”. Më 1929 i jepet çmimi “Nobel”. Më 1933 largohet nga Gjermania për të mbajtur leksione për Vagnerin në auditorët e Amsterdamit, Brukselit e Parisit.

Fillon jetën si emigrant në Zvicër, ku shkruan e boton më 1933-1934 dy librat e parë të tetralogjisë “Jozefi dhe vëllezërit e tij”: “Historitë e Jakovit” dhe “Jozefi i ri”. Vdes më 12 gusht 1955 në Zyrih.

Romancieri filozof synoi ta arrinte njohjen e natyrës së pari nëpërmjet njohjes së vetvetes dhe prandaj romanet e novelat e tij janë, në pjesën më të madhe, autobiografike.

Me Hans Kastorpin e “Malit magjik”, ose Leverkynin e “Dr. Faustit”, me personazhe të tjera me të cilat e bashkojnë fati i ngjashëm ose pikëpamjet (si Jozefi i tetralogjisë “Jozefi e vëllezërit e tij” etj.), por sidomos me Tonio Krëgerin.

Ai i kthehet e i rikthehet po atij personazhi, vetvetes, për ta shqyrtuar, analizuar e njohur, dhe këtë nuk e bën i nisur nga prirje narcistike, por ngaqë ky proces diagonistikimi i vlen si një rrugë për përballimin e problemeve ekzistenciale, rrugë që synon korrigjimin e vazhdueshëm e përsosjen dhe si qëllim përfundimtar njohjen e të tjerëve dhe lidhjen me jetën.

Natyra e tij kërkuese, që synon t’u shkojë gjërave deri në fund, ndjenja e realitetit dhe lidhja me traditat e shëndosha të kulturës e të letërsisë gjermane e botërore, po sidomos vetë jeta e ngjarjet historike të kohës kur jetoi, dy katastrofat që pllakosën njerëzimin gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, të gjitha këto bënë që Tomas Mani t’u kthehet gjithnjë e më me siguri pikëpamjeve materialiste, frymës demokratike e realizmit, të arrijë një pjekuri përherë e më të madhe si njeri e si artist dhe të numërohet kështu ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë.

Formimi i tij dhe të dhënat si njeri, do ta shpinin vetvetiu, si artist, të shqyrtonte marrëdhëniet e artit me jetën dhe mund të themi se kjo përbën një nga temat zotëruese të veprës së tij.

Ai nuk ka parasysh thjesht individin e kolektivin, por edhe artistin e shoqërinë, shpirtin dhe lëndën, sferat e larta të mendimit e të artit dhe problemet e rëndomta të jetës: në mes të këtyre kontrasteve zhvillohet ajo lojë dialektike e mendimit të Tomas Manit, të cilën ai e nis dhe e rinis me pasion nga vepra në vepër.

Në romanet e tij joshja e lexuesit me anë të subjektit zëvendësohet nga një joshje më intelektuale, nga joshja me anë të aventurës së mendimit. Ndërsa Prusti është një eksplorues i palodhur i ndjenjës Tomas Mani është i mendimit.

Fantazia dhe forca argumentuese e tij nuk njohin kufij. Diskutimet ballafaquese të personazheve e mbërthejnë vëmendjen e lexuesit edhe për këto arsye: së pari, sepse në to të vërtetat dalin edhe nga s’pritet, për shembull, nga goja e një njeriu pervers si Nafta (“Mali magjik”) ose si Djalli (“Dr. Fausti”), çka të kujton “Nipin e Ramoit” të Didëroit, dhe që është shprehje e realizmit të këtyre autorëve, armiq të çdo skematizmi.

Po ashtu lexuesi befasohet, mes të tjerash, edhe nga forca sofistikuese e fjalës, atëherë kur një mendje e mprehtë dhe e mbrapshtë, duke operuar me silogjizma të shkathëta, e paraqit dukjen për sendin vetë.

Vuajtjet e shpirtit, jo të mishit, mungesat shpirtërore e jo ato materiale, ja lajtmotivi i krijimtarisë së Tomas Manit.

Në ka element të rëndësishëm që i mungon veprës së tij, ky është pasqyrimi i kushteve materiale shoqërore. Për Tomas Manin njerëzimi ndahet në dy kategori: në njerëz të lumtur, që s’kanë kërkesa shpirtërore, e në njerëz të trishtuar, që vuajnë nga shkaku i këtyre kërkesave.

Problemit të vuajtjes ai iu afrua, siç thamë, nisur nga një shtysë e brendshme, nga një preokupim vetjak. Dhe tregoi ç’rol të madh luan në çekuilibrin shpirtëror mospërshtatja me ambientin, si dhe ç’rol të madh luajnë lidhur me këtë kushtet e mbrapshta të fëmijërisë, dëshirat e paplotësuara në vogëli.

Ai tregoi edhe se si vuajtja zëvendëson përvojën dhe i dha përmasa të reja e paraqitje të re mendimit se njohja kërkon si haraç vuajtjen. Vizioni i tij shtrihet nga individi te familja e nga familja te shoqëria, e pasqyruar më shumë simbolikisht në veprën e tij.

Ai i përjetoi dhe i interpretoi me konceptime gjithnjë e më objektive ngjarjet e rënda të atdheut të vet dhe kjo e ndihmoi të arrijë në qëndrime të vendosura kundër shovinizmit e arbitraritetit nazist dhe pro demokracisë e lirisë.

Në trajtimin e temave filozofike që përfshijnë historinë, politikën, estetikën etj, ai nuk mban një qëndrim të prerë. E lë lexuesin të zgjedhë në mes të morisë së argumenteve e kundërargumenteve, mbi të cilat ngrihen diskutimet e pafund.

Kjo prirje flet për krizën e kulturës gjermane, për humbjen e sigurisë para tragjedive që tronditën thellë ndërgjegjen e popullit gjerman.

Vetë Tomas Mani s’kishte shumë besim në rolin “shpëtimtar” të letërsisë.

Ironia e ti, një element përbërës i artit të shkrimtarit, që shkon deri në shkallën më të lartë, në ironinë ndaj vetvetes, nuk i kursen thumbat ndaj spekulimeve lidhur me rëndësinë e zbulimeve psikanalitike për zgjidhjen e problemeve të njeriut, si dhe ndaj efektit shpirtëror qetësues e pastrues të fjalës, siç do ta shohë lexuesi edhe te “Tonio Krëgeri”.

Kjo novelë, botuar më 1903, është quajtur vepra më autobiografike dhe heroi i saj ai që përfaqëson më mirë autorin.

Ajo është një ndër veprat e para, por qëndron në bazë të të gjitha atyre që shkroi më vonë. E kompozuar si një baladë, shkruar nën ritmin e valëve të detit Baltik, det i fëmijërisë dhe i ëndrrave të Tomas Manit, në refrenet e saj kjo kryevepër e vogël mbart farërat e veprave të ardhshme madhore të shkrimtarit.

Në themel të novelës është ideja e mospërputhjes së artit me jetën e, si rrjedhim, e mospërshtatjes së artistit në shoqëri.

Konceptimi i artistit si një njeri i shkëputur nga masat, si një misionar në shërbim të njerëzimit, por që nuk bën pjesë në njerëzimin e rëndomtë, është një konceptim elitist, që të kujton mbinjeriun niçean.

Megjithatë, edhe këtu shfaqet qëndrimi i dyfishtë i Tomas Manit, sepse Tonio Krëgeri është larg të qenit mbi masat, përderisa e numëron veten në radhët e atyre “që rrëzohen e bien”.

Në këtë novelë Tomas Mani, nëpërmjet gojës së Tonio Krëgerit në bisedë me piktoren ruse Lisaveta Ivanova, bën shprehimisht premtime për të ardhmen, për veprat madhore që do të shkruajë.

Për sa i përket artit, kjo novelë nuk është një premtim, por arritje e përsosurisë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit