MENU
klinika

200-vjetori

Rrugëtimi dhe ekzistenca e shqiptarëve të Ukrainës!

16.01.2019 - 18:13

Para shumë vitesh shqiptarët u larguan nga zona e Korçës, fill pas pushtimit turk dhe për shumë vjet jetuan në Bullgari.

Më pas një pjesë u zhvendosën në Ukrainë dhe kanë 200 vjet që jetojnë aty. Numri i shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë shkon në mbi 50000 veta.

Shqiptarët e Ukrainës fillimisht u vendosën në veri të Odesës, 220 kilometra në fshatin Karakut së bashku me bullgarët.

Në fillim të vitit 1860 një pjesë e fshatit Karakurti, sot Zhovtnjovoje u shpërngul në rajonin e brigjeve të detit Azov rreth 10 kilometra larg brigjeve, ku u themeluan 3 fshatra: Taz sot Devnenskoje, Tyshki sot Gjeorgjevka, Xhandran sot Gamovra, ku jetojnë edhe sot.

Banorët janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Pas një rrugëtimi nëpër Greqi, Bullgari e Rumani përfunduan në Ukrainë.

Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra), është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Por, megjithatë zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbeten të njëjta. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë.

Gjuha shqipe ka pësuar pak ndryshime, si pasojë e lidhjeve të ngushta me bullgarishten, gjuhën ukrahinase si edhe rusishten.

Fundvitin që shkoi, u mbajtën në Teatrin Akademik Alexandr Pushkin në Kharkiv një sërë ngjarjesh ceremoniale të dedikuara për 106-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Ukrainës, si dhe viti i Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Një veçori e këtyre ngjarjeve ishte një takim i përfaqësuesve të grupeve krijuese të diasporave shqiptare të cilët dolën me numra autentik, kryenin këngë dhe valle popullore tradicionale shqiptare, nga brezi në brez. Ndërsa historia shkon, rivendosja e shqiptarëve vazhdon në territorin e Ukrainës.

Falë festave të ndryshme, shqiptarët e Ukrainës ribashkohen çdo vit, pavarësisht distancës së konsiderueshme midis fshatrave.