MENU
klinika

Zgjedhjet e qershorit

Sërish kandidat?/ Dako: Në krye të fushatës deri në fund, drejt fitores

31.01.2019 - 22:23

Ditën e sotme Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit, i ftur në një emision televiziv ka folur lidhur me kandidimin e tij për një tjetër mandat në krye të kësaj Bashkie.

Ai u shpreh se “në çdo rast, në çfarëdolloj pozicioni, unë do të jem në krye të fushatës elektorale dhe do të garantoj që fitorja të jetë edhe më e thellë sesa në vitin 2015”.

Por, Dako theksoi se vendimin për këtë gjë nuk e merr Vangjushi, bazuar në dëshirën e tij, por strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.

Ai deklaroi se është i fokusuar të mbyllë mandatin me sukses, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë ofertë deri më tani, ndërkohë që nuk ndihet i vjetër për të mos kontribuuar edhe më tej për socialistët në Durrës.

Dako tha se mandati i tij ende nuk ka përfunduar, se qytetarët durrsakë kanë ende çfarë të presin prej tij, pasi është në shërbim të tyre deri në ditët e fundit para fushatës, ndërkohë që nuk i frikësohet çfarë bën Prokuroria, pasi “nuk është Prokuroria organi përfaqësues që jep fajësinë ose pafajësinë”.

Duke e cilësuar si forcë të tijën përballë shumë politikanëve të tjerë që janë në Durrës, Dako tha se ulja e tij në tryeza apo dëgjimi i çdo halli të qytetarëve ka vazhduar dhe do të vazhdojë, sepse vetëm kështu mund të zgjidhen ato.