MENU
klinika

Dramë psikologjike

Shfaqja ”Bretkosa”, traumat e luftës të sjella në dramaturgji

23.01.2019 - 10:41

Në Kosovë ka filluar të shfaqet një dramë shumë aktuale dhe e pranishme kudo në ato vende që kanë kaluar në traumat e luftës. Dihet që luftrat përveç pasojave materiale pasojat më të këqia i kanë në gjendjen psikologjike të qytetarëve. Kjo tregohet në detaj në dramën ‘’Bretkosat’’, vend ku takohen disa njerëz me pasoja të rënda psikologjike.

 Një analizë të detajuar rreth këtyre sitatave dhe rreth shfaqjes e trajton ekskluzivisht për Konica.al Fitore Rubovci, një dramaturge dhe regjizore e talentuar në Kosovë që përpiqet të trajtojë sa më në plotësi shfaqjen ‘’Bretkosa’’. Si e trajon ajo këtë dramë?

Nga Fitore Rubovci

“Bretkosa”, dramë psikologjike mbi traumat e luftës dhe shtegu i ndryshimit’’

Shfaqja ”Bretkosa” e autorit kroat  Dubravko Mihanoviq, e adaptuar nga dramaturgia Seadet Beqiri, me regji të regjisores shqiptare Burbuqe Berishës, do të vihet sërish në skenë me datën 24 janar 2019.

Premiera e saj u dha vitin e kaluar në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, i cili edhe u inaugurua më 26 dhjetor. Korrespondonte me 20 vjetorin e luftës në Kosovë, pasojat e të cilës ndjehen kaq fuqishëm edhe sot e kësaj dite.

Çfarë trajton shfaqja ‘’Bretkosat’’?

Shfaqja “Bretkosat” trajton traumat e post-luftës, të cilat mund të shfaqen në çdo vend që ka pasur luftë, përfshirë edhe Kosovën. Gjendjen psiko – sociale dhe ekonomike të një shoqërie të tërë e pasqyrojnë katër personazhet, dramat individuale të të cilëve në të vërtetë kanë dimensione shumë më të gjera. Kështu, përmes dramës së individit, fatit  të katandisur të tij, kuptojmë të kaluarën, të tashmen si dhe tendencën apo edhe mjegullën drejt së ardhmes.

Kjo shfaqje na vjen në një moment, thuajse për të na bërë që të reflektojmë ndaj përjetimeve tragjike të të tjerëve, e të mos rrimë indiferent dhe të shpërfillur. Ndonjëherë përmes propagandave të ndryshme dhe manipulimit me luftëtarët e vërtetë, është devalvuar kontributi i shumë njerëzve të ndershëm dhe i atyre që u bënë bartës të lirisë, të kësaj lirie që sot e gëzon Kosova.

Estetika e shfaqjes qëndron tek emocionet që loja, përjetimi dhe dhembja ngjallin te audienca, si një perceptim dhe katarsis për të reflektuar për të tjerët jo si të tjerë, po si pjesë e jona.

Si dramë e individit, kryeprotagonisti i shfaqjes Zeka – berberi që e luan Ilir Tafa, është ndërtuar me një precizitet të madh  dhe ka një zhvillim psikologjik mjaft të ngarkuar. Ai hyn në shfaqje i mbyllur në vetvete, i tensionuar, i ngarkuar, gjë që ngjall kureshtjen për të kuptuar gjendjen e tij. Zeka është një ish-luftëtar, të cilit ju kanë vrarë të gjithë bashkëluftëtarët e njësitit, dhe vetëm ky ka shpëtuar. Ai tërë kohën jeton me këtë barrë shpirtërore, me këtë ngarkesë që shkon duke e rënduar gjithnjë e më shumë. Në tërë mozaikun e përjetimeve traumatike, ai ka mbetur një njeri i ndershëm, i cili jetën e siguron nga puna e vet si berber, gjë që flet për pastërtinë e tij morale. Problemi kryesor i tij është mbyllja në vetvete, ashtu sikurse njeriu futet në një ndërtesë prej nga nuk e gjen daljen. Ai e kërkon këtë dalje me ngulm, por nuk e gjen dot. Në këtë kërkim, çdo veprim jo i duhur i të tjerëve e bën atë të reagojë në mënyrë të pakontrolluar dhe duke dalë nga vetja. Nga këto sjellje, ai ka humbur gruan dhe djalin, të cilët e braktisin dhe dalin jashtë vendit. Ai vuan për këtë, dhe arsyetohet se kishte reaguar në afekt kur kishte ushtruar dhunë, dhe se të tjerët nuk po e kuptonin. Megjithatë, ai vazhdon. E kërkon daljen, e kërkon rifillimin. Në këtë gjendje fillon drama.

Punëtoria e tij, rrojtorja, ka një skenografi domethënëse. Përveç mjeteve të punës, në një komodinë ka një sërë fotografish të bashkëluftëtarëve, fotografi edhe më të vjetra të futbollistëve dhe një top futbolli, por ka edhe libra. Kështu, dyqani i tij bëhet arena e tërë veprimit, dramaticitetit dhe tërë tensionit që i ka koha e pasluftës në Kosovë.

Toni (Donat Qosja) është vëllai i Zekës. Ai ka humb vendin e punës, për shkak të privatizimit. Privatizimi i ekonomisë, ndonëse trumbetohej se bëhej për zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës, në të vërtetë ai pati si rezultat tjetërsimin e fabrikave, ndërmarrjeve dhe pjesa dërrmuese e punëtorëve, në mos të gjithë, ishin flakur nga puna dhe kishin mbetur nën mëshirën e fatit, pa asnjë kompensim dhe pa asnjë perspektivë. Këtë fat të egër të tranzicionit kosovar e ka përjetuar edhe Toni. Tërë këtë barrë ai e mban në vete dhe nuk i tregon as gruas e as fëmijëve. Çdo ditë del gjoja shkon në punë. E në të vërtetë, ai shkon në kafiteri, rri aty, pi alkool, shkon në kazino dhe endet rrugëve. Zeka e kupton në mënyrën e tij problemin e vëllait, ndaj dhe insiston që ky të ndryshojë, të bëhet i sinqertë dhe t’ia thotë të vërtetën gruas e fëmijëve të tij. Por Toni ka qasje dhe bindje tjetër, ndaj e kundërshton. Zeka i bindur se i vëllai po bën gabim, dhe se dalja nga gjendja e tij e rëndë mund të bëhet përmes ndryshimit, ia kërkon këtë me ngulm. Në debat e sipër, me qëndrimet për dhe kundër, gjendja tensionohet sa që Zeka del nga kontrolli dhe reagon me afekt, thuajse e pret në fyt vëllain e tij me briskun e rrojës, në përpjekjen për ta bindur që të ndryshojë. Zeka, në asnjë mënyrë, nuk ka synim që ta dëmtojë të vëllain, por beson se ai duhet të ndryshojë, që të fillojë së mbari jetën. Por mënyra e reagimit dhe mjetet e përdorura ishin krejt të gabuara. Toni tronditet dhe largohet nga i vëllai dhe më nuk i kthehet. Për të, Zeka ishte agresiv dhe nuk e perceptonte dot përjetimin e Tonit.

Taksisti (Basri Shala) është një rol përplotësues. Ai shërben për të ndërfutë situata, zhvillime, ngjarje e kuptime të ndryshme, gjë që e bën lojën teatrore të mos jetë monotone, të cilën ai e thyen me praninë e tij dhe me ato që i thotë. Në këtë kontekst, ndonjëherë krijohen edhe situata komike, kur Taksisti dhe Toni pinë raki, si fshehurazi Zekës. Megjithatë, Taksisti paraqet gjendjen e një shtrese të caktuar qytetare, të cilët nuk kanë ndonjë perspektivë tjetër, pos të provojnë të nxjerrin ndonjë para, sa për të siguruar ekzistencën dhe mbijetesën. Në anën tjetër, Taksisti shënon atë vegëzën midis Zekës dhe Tonit, kur përpiqet të shohë nga një perspektivë tjetër veprimin dhe sjelljen e Tonit, si mënyrë specifike e përjetimit dhe e luftës ose përballjes së tij me fatin e rëndë të të qenit i papunë ndërkohë që ka barrën e familjes për të mbajtur. Madje, Taksisti depërton paksa në zbërthimin e veprimeve të Zekës dhe pasojave që ato kanë sjellë duke e humbur gruan e djalin, e ndoshta kështu e humbi edhe vëllain, dhe mbase kështu do ta humb edhe veten. Tërthorazi, Taksisti e bën të kuptueshme atë që e kërkon Zeka, por ai e kërkon duke thënë që ta bëjnë të tjerët. Zeka është ai që duhet të ndryshojë, ta shohë botën ashtu si është, ta kuptojë se ka ikur koha e luftës, ajo i përket tashmë së kaluarës, dhe se duhet të jetohet jeta në kushte e rrethana të reja, të pasluftës. Kështu, Taksisti bëhet zëdhënës i asaj që ka nevojë vetë Zeka, e të cilën ua kërkon të tjerëve.

Tërthorazi Zeka sikur tregon se ku mund të jetë gjetja. Ai merr një gazetë të vjetër, në të cilën ishte një lajm se një bretkosë kishte shpëtuar një qytet në Japoni. Nuk është me rëndësi nëse kjo ishte e vërtetë apo jo. Si metaforë, është e fuqishme dhe ka një semantikë domethënëse. Se shpëtimi mund të vjen nga diçka apo nga ndokush që mund të jetë periferik, pa ndonjë peshë, pa ndonjë rol të veçantë, por që përmban kapacitetin për të depërtuar në thelb të zhvillimit. Bretkosa, në të vërtetë, është simbolika e Zekës, që shpreh se ai kërkonte dikë apo diçka që ta bënte atë të ndryshonte.

Kështu, problemi i Zekës, dhe i një kategorie si ai, është shumë i thellë. Nuk është thjesht nevoja vetëm për të ndryshuar, por mbi të gjitha mënyra, rruga, ajo se si duhet ndryshuar. Këtë nuk e kupton asnjëri prej protagonistëve, duke aluduar se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë këtë. Të gjithë flasin për ndryshimin, por si duhet bërë ai, nuk ka askush asnjë ide. Askush?! Jo, del se e ka sekush!

Nuk është rastësi, që gjetja i është lënë një protagonisti të ri – librashitësit (Valmir Krasniqi). Ky një student, që shet libra për të siguruar jetën. Ai hyn thjesht në skenë, për të shitur libra, ashtu sikurse shfaqet një perspektivë krejt papritur dhe në mënyrë të pabesueshme, e ndonjëherë edhe të pakapshme. Zeka ia blen një libër, si për të treguar se kishte dikur një pasion pas leximit, dhe se e çmonte librin. Kur e sheh çiltërsinë e librashitësit, i ofron edhe shërbimin e rrojës. Librashitësit i bën përshtypje fotoja e futbollistëve, dhe kupton se Zeka dikur kishte qenë një futbollist i njohur dhe babai i tij i kishte folur shumë për të. I tregon se këta dalin çdo fundjavë për të luajtur futboll dhe e fton që edhe ky të shkojë në këtë javë. Zeka e kundërshton, por disi me gjysmë zëri. Kur librashitësi largohet, ai merr topin në duar dhe sikur e kujton atë kohën e dikurshme.

Kështu, lihet të nënkuptohet se ishte gjetur zgjidhja. Ishte brezi i ri, gjenerata e re, ajo që i tregoi rrugën, i hapi portën për të dalë nga aty ku ai ishte mbyllur. Sado të jenë kujtime të vlefshme ato të luftës, nuk janë të vetmet. Njeriu ka nevojë të gjejë atë që i krijon hapësira të reja, mundësi të reja, të vazhdojë jetën. Por kjo nuk mund të bëhet me receta, nuk mund të bëhet me përcaktime. Ajo duhet të vijë spontanisht, vetvetiu, natyrshëm. Dhe pikërisht këtu ka ardhur në shprehje kreativiteti regjisorial.

Duket se kërkesa për ndryshime, plotësohet duke e bërë të qartë mesazhin, se duhet kërkuar e duhet gjetur rrugën specifike të secilit, dhe secili ka diçka në vete, që i bën të hapet e të rifillojë ose të vazhdojë jetën. Ky mesazh është një apel, apel shumë i fuqishëm për njerëzit që kanë përjetuar fatkeqësi të ndryshme, që kanë trauma të cilat nuk mund t’i kalojnë vetëm. Një apel që na drejtohet secilit nga ne që të kuptojmë tjetrin dhe të përpiqemi t’i gjendemi, t’ia zgjatim dorën, por në mënyrën e duhur. Kështu, çlirohet shoqëria nga forcat negative, nga rreziqet, nga kanosjet e nga agresioni individual, por që godet dhe rrethin. Kështu bëhemi më humanë. I lehtësojmë vuajtjet, plagët, dhembjet dhe ndihmojmë që të tejkalohen ato, ose të zbuten në mënyrën e durueshme dhe pa pasoja.

Loja e aktorëve ishte në nivelin e duhur. Secili përçon dhe realizon karakterin e duhur. Zeka të njeriut të traumatizuar, të mbyllur nga përjetimet e rënda e prej nga nuk mund të dal dhe gjendja shkon duke ju përkeqësuar. Një lojë aktrimi e shkëlqyeshme, pasi që është futur në rolin e personazhit dhe na përçon atë thuajse si të vërtetë. Toni realizon me sukses personazhin fatkeq të njeriut që ka mbet pa punë dhe nuk sheh ndonjë perspektivë, duke treguar se të gjitha rrugët e tjera janë të hapura përveç asaj të punës e të mundësisë për të jetuar me minimumin ekzistencial. Taksisti luan rolin e kondensatorit në skenë, duke u bërë bartës i lëvizjeve tensionuese, por edhe si përpjekje për të kuptuar shkaqet e kësaj gjendjeje. Librashitësi luan një rol spontan, pa bujë, pa zhurmë, po thjesht, i qaset tjetrit si njeri, pa paragjykime, por duke shquar tek Zeka një potencial dhe një mundësi, që të bartë pozitivitet te të tjerët.

Raportet mes personazheve janë të qarta dhe secili prej tyre është realizuar me veçantitë përkatëse, duke krijuar karaktere dhe individualitete tipike. Kostumet i përshtaten kohës dhe situatës në të cilën ndodhen personazhet. E sa i përket linjës dramaturgjike janë tri pika kryesore – momenti kur Zeka i flet vëllait të tij Tonit për ndryshim, fjalosja e tyre në prani të Taksistit, si dhe bomba të cilën Zeka e merr në duar me qëllim që t’i japë fund jetës por që në ato momente hyn Librashitësi, i cili në mënyrë të virgjër e ndryshon situatën duke e bartur drejt shthurjes dhe hapjes së kryeprotagonistit Zeka. Ndërsa mizanskena ishte e pastër dhe në koordinim me tekstin dhe rrethanën.

Në tërësi, drama përcjell gjendjen e rëndë të ish luftëtarëve të lirisë, të atyre që me sinqeritet e ndershmëri e kanë bartë barrën e luftës, dhe në vend se të gëzonin privilegje e të mira, ata shoqëria i ka katandisur si mos më keq, sa që ndonjëherë ndjehen si të anatemuar për luftën e tyre çlirimtare.

Në traumat e këtilla si të Zekës e të Tonit, kemi pjesë secili nga ne dhe shoqëria në tërësi, meqë askush nga ne nuk kemi bërë atë që kemi mundur dhe aq sa kemi mundur për ta ndryshuar gjendjen për të mirë.

Një shoqëri e zhytur në mospërfillje, në shpërfillje dhe në mos përpjekje për të kuptuar dhe për ta ndihmuar tjetrin, është një shoqëri e sëmurë dhe duhet të gjejë rrugën për tek vetja, që të mund të normalizohet. Ky mbase edhe është mesazhi kryesor i shfaqjes “Bretkosa”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN