MENU
klinika

Lorik Cana

“Shqipëria s’e bëri për 80 vite atë që arriti Kosova”

22.01.2019 - 16:10

I angazhuar me kurset e formimit profesional si trajner dhe drejtor sportiv në Tiranë, Lorik Cana, rekordmeni për ndeshjet me kombëtaren e Shqipërisë, ka qëlluar këtë fillimjavë në Kosovë, për punët e fondacionit.

Me këtë rast, Loriku ka dhënë një intervistë për “RTV Dukagjini”, në të cilën ka pranuar se formimi i përfaqësueses së Kosovës ka ndikuar në dobësimin e kombëtares kuqezi.

Në njëfarë mënyre, ish-kapiteni e justifikon ecurinë negative të deritanishme të trajnerit Christian Panucci, duke nënvizuar se e ka marrë drejtimin e kombëtares shqiptare në një moment të vështirë.

lorik cana
lorik cana

“Kur merr drejtimin e një Kombëtareje, që ka arritur të luajë në Kampionatin Europian, pra ka arritur në një nivel të lartë, është shumë e vështirë ta mbash atë nivel.

Panucci është trajner i ri dhe ka dëshirë të madhe për të arritur suksese. Le ta gjykojmë në fund të fazës kualifikuese të Kampionatit Europian”.

Duke iu referuar përfaqësueses së Kosovës, Lorik Cana thotë se ka mbetur i mahnitur që e mbylli në krye të grupi të vet në Ligën e Kombeve.

“Është një mundësi e artë për Kosovën, që ndoshta nuk do t’i përsëritet për pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme. Kosova në fazën kualifikuese të Kampionatit Europian, duke njohur rivalët e grupit, do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë për t’u kualifikuar.

Megjithatë, Kosova e ka një mundësi të artë që të shkojë në gjysmëfinale të një kompeticioni, aty ku kombëtarja e Shqipërisë nuk ka arritur për 80 vite”, – shtoi Loriku, duke pasur parasysh se “Dardanët” do të sfidojnë Maqedoninë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, në muajin mars.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN