MENU
klinika

80.2 vjet në vitin 2040

Shqiptarët do të jetojnë më gjatë

05.01.2019 - 14:20

Një studim i fundit i “The Lancet”, revistës mjekësore më prestigjioze në botë, tregon se, jetëgjatësia e shqiptarëve do të rritet në dy dekadat e ardhshme. Madje, sipas studimit, rritja është ndër më të lartat në nivel global.

Në vitin 2040, shqiptarët projektohet të jetojnë mesatarisht  deri në 80.2 vite, pra një rritje me 2.7 vite në krahasim me aktualisht. Në projeksionin më pesimist ndërkohë, rritja do të jetë vetëm në 0.2 vite, pra në një moshë mesatare në 77.7 vite, ndërsa në projeksionin më optimist, mosha mesatare do të jetë në 84 vjeç, në rritje me 6.5 vite.

Me një jetëgjatësi mesatare në 77.5 vite, shqiptarët zënë vendin e 50-të ndër 195 shtete të botës në këtë drejtim. Të dhënat e studimit ngrenë alarmin edhe sa i përket shkakut të vdekjeve.

Sëmundjet e zemrës do të vijojnë të jenë në vend të parë në vitin 2040 ndër shkaqet kryesore, por një rritje të ndjeshme do të ketë edhe Alzhaimer dhe sëmundjet e tjera të demencës, duke u bërë një ndër tre shkaqet kryesore të vdekjes së shqiptarëve pas dy dekadash.

Në nivel global, studimi tregon se, japonezët janë populli me jetëgjatësinë më të madhe në botë, ndërkohë që në vitin 2040 projektohet që vendin e parë ta `rrëmbejnë` spanjollët, të cilët mund të jetojnë mesatarisht 87.4 vite.