MENU
klinika

Kuptime simbolike

Si dhe pse ngjyra e banesës tregon karakterin e të zotit të saj?

30.01.2019 - 14:50

Në sisteme kulturore dhe në kohë të ndryshme spektri i ngjyrave ka përcjellë një galeri të pasur mesazhesh të shumëllojshme, të cilat reflektohen në dinamikë, në problematikën e jetës shoqërore, në trazimet e botës shpirtërore, në pamjet etnografike të popujve, në kriijimtarinë artistike të çdollojshme etj.

Vlen të theksohet se interesimi i shumëanshëm për ngjyrat rilevohet dukshëm që në lashtësi, edhe sepse që në atë kohë deri në ditët tona mendohej dhe ende mendohet se ngjyrat kanë ndikime terapeutike, sidomos për shqetësimet shpirtërore apo patologjitë psikike.

Për shembull ngjyra viollcë, në mjaft kultura, në të kaluarën dhe në ditët e sotme, konsiderohej dhe konsiderohet si simbol i spiritualitetit dhe i lidhjeve komplekse me hyjnoren.

Si e tillë, ngjyra viollcë ndikon në sfumimin e ankthit dhe në tejkalimin e gjendjeve stresante. Në shoqërinë shqiptare, ngjyra viollcë përdoret fare rrallë në lyerjen e mjediseve të banesave.

Bojaxhinjtë e konsiderojnë ngjyrën të sertë, nuancat më të pëlqyeshme të së cilës realizohen me vështirësi.

Sidomos ndër bojaxhinjtë e Shqipërisë së Mesme, është mjaft e përhapur mendësia se te ngjyra viollcë duket qartë karakteri i të zotit të banesës që lyhet.

Nëse tretësira e gëlqeres me ngjyrë vjollcë përgatitet me cilësi shumë të mirë dhe muret lyhen me këtë nuancë të këndshme, kjo do të thotë se kryefamiljari dhe përgjithësisht anëtarët e familjes janë të fisëm, janë shpirtmirë; nëse tretësira e gëlqeres me ngjyrë viollcë përgatitet me vështirësi dhe nuk është aq cilësore, bojaxhinjtë mendojnë se kryefamiljari ose të paktën një ose disa anëtarë të asaj familjeje janë njerëz me karakter të dobët, janë shpirtligj.