MENU
klinika

Analiza

Si dhe sa ndikon BREXIT në Premier League

16.01.2019 - 15:22

Nga lejet e punës dhe çmimi i lojtarëve të huaj, nuk ka asnjë dyshim që largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të ndikojë shumë në futbollin e Premier e League.

Premier League ekziston e ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë angleze për shumicën e kohës, megjithatë as kjo ligë, që njihet nga shumë si më e mira në botë, nuk do të mbetet e paprekur nga pasojat e BREXIT.

Dje, parlamenti anglez e kundërshtoi marrëveshjen e Theresa May për largimin nga BE-ja. Megjithatë, ky largim pritet të ndodhë prapëseprapë gjatë vitit 2019 dhe uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, i ka analizuar mënyrat se si do të ndikojë kjo marrëveshje në futbollin e Premier League.

Të gjitha klubet e Premier League ishin kundër BREXIT në vitin 2016. Arsyeja për këtë është sepse klubet e mëdha të Anglisë janë të përbëra nga një shumicë e lojtarëve të huaj.

Për këto klube, suksesi në tregun për transferimin e lojtarëve shpeshherë përfundon me sukses edhe në gara të ndryshme. Por, çfarëdo kufizimi i lirisë së lëvizjes së njerëzve, që mund të shkaktohet nga BREXIT mund t’i shkaktojë probleme klubeve të Premier League.

Pas BREXIT, është e mundur që lojtarët nga vendet anëtare të BE-së, të duhet t’i plotësojnë edhe disa kritere shtesë për t’u transferuar në ndonjë klub anglez.

Ata fillimisht do të duhej ta merrnin një leje për punë në Angli, mirëpo në vitin 2016, televizioni BBC raportoi se plot 332 lojtarë të cilët aktualisht luajnë në Premier League nuk do t’i plotësonin kriteret për të marrë leje pune.

Për më tepër, largimi nga BE-ja do ta bënte shumë më të vështirë për klubet angleze rekrutimin e lojtarëve të rinj nga klubet e tjera evropiane. FIFA e lejon transferimin e lojtarëve 16 deri në 18-vjeçarë brenda territorit të BE-së.

premier league
premier league

Kur Britania e Madhe të dalë nga BE-ja, atëherë klubet nuk do të kenë mundësi të marrin lojtarë të huaj për t’i bërë pjesë të akademisë.

“The Times” pretendon se në skuadrën prej 25 lojtarëve të secilit klub të Premier League do të lejohet maksimalisht 12 lojtarë të huaj, pesë më pak sesa rregulli aktual.

Ky rregull i godet më së shumti klubet e mëdha, si Manchester United e Liverpool, të cilët janë të mbushur më lojtarë të huaj.

Por, nga ky veprim nuk do të ndikohen vetëm lojtarët, pasi që nga 20 klubet e Premier League, 14 prej tyre kanë trajnerë me nënshtetësi të huaj. Edhe këta trajnerë do të përballen me probleme të ngjashme me futbollistët dhe mund t’i humbin ekipet e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN