MENU
klinika

Të qëllimshme

S’ka ‘paqe’ në Vlorë, digjen tre makina!

26.01.2019 - 09:50

Dy automjete në pronësi të një efektivi të repartit Delta Force u dogjën me zjarr të qëllimshëm në Vlorë gjatë natës së kaluar. Burimet nga hetimi i çështjes thanë se dyshimet kryesore për zjarrvënien kanë lidhje me detyrën e efektivit të policisë që kishte në pronësi dy automjetet. 

Dy makina në pronësi të një efektivi të policisë së Vlorës u dogjën gjatë natës, ndërsa hetuesit kanë dyshime se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.

Automjetet janë në pronësi të Ermelind Abazit, efektiv policie në repartin Delta Force, dhe shkatërrimi i tyre me zjarr dyshohet se ka lidhje me detyrën e oficerit të forcave të rendit.

Dy automjetet, përkatësisht një Benz dhe një BMW ishin të parkuara në lagjen “1 Maji” pranë banesës së efektivit të policisë kur u përfshinë nga zjarri gjatë orëve të natës.

Komunikata e policisë lokale bazuar edhe në ekspertizën e vendit të ngjarjes, thekson se djegia e dy automjeteve të efektivit të Delta Force ka qenë e qëllimshme pasi janë konstatuar gjurmë benzine.

Disa orë më herët, në orën 00.40 pas mesnatës një tjetër automjet u dogj në fshatin Bishan në Vlorë. 

Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe pasi kreu hetimet e rastit, konstatoi se mjeti tip ”Volkswagen”, në pronësi të shtetasit Klement Troka, banues në Kafaraj të Fierit, ka marrë flakë si pasojë e një shkëndije elektrike.

Policia thotë se gjatë tre muajve të fundit, në Vlorë janë djegur në akte të ngjashme të paktën tetë automjete dhe në të gjitha rastet autorët kanë mbetur të pa identifikuar.