Vendimi i Ministrisë së Brendshme për të mbajtur hapur zyrat e aplikimit të kartave të identitet edhe në ditët e shtuna nuk i ka shmangur rradhët e gjata të qytetarëve.
Në njësitë administrative 3 dhe 4 në kryeqytet qytetarët fajsojnë institucionet përgjegjëse si shkaktarë të problemit, ndërsa kërkojnë me urgjencë shtimin e sporteleve dhe nisjen e aplikimeve online sikundër veprohet me certifikatat.
Në rradhë shumica janë të moshuar, mes tyre edhe të sëmurë kronikë, që me shumë mundim rrinë këmbë. Ndërkohë e gjitha pesha e punës bie mbi vetëm dy punonjëse.
E njëjta situatë paraqitet në cdo sportel të kompanisë aleate në kryeqytet në një kohë që procedura nuk mund të realizohet online edhe pse ekziston një portal qeveritar si e-Albania që mundëson lëshimin e certifikatave përmes internetit.
Skadimi i kartës së identitetit për shumë të pensionistë që nuk kanë një pasaportë të vlefshme nënkupton pamundësi për të marrë pensionin. Për të përballuar situatën e vështirë të krijuar në sportelet e kompanisë aleate, Ministria e Brendshme ka njoftuar se zyrat e Gjendjes Civile në kryeqytet do të jenë të hapura edhe ditëve të shtuna.
Por pavarësisht masave të marra situata nuk ka ndryshuar ndërsa pritet shtimi i rradhëve për shkak të skadimit të 1.4 milion kartave brenda muajit mars.