MENU
klinika

Pronari i ri, Olti Peçini

Spitalet, ikin edhe italianët e Salus

28.01.2019 - 11:03

Investitorët e huaj po dështojnë në tregun e shërbimeve shëndetësore. Pas grekëve të Hygeia, edhe italianët e Salus kanë shitur biznesin e tyre në Shqipëri te ortaku shqiptar i kompanisë, Olti Peçini. Dy ortakët italianë, Salus Holding dhe Policlinico Triestino zotëronin rreth 57% të aksioneve, të cilat janë blerë nga Olti Peçini për 1.1 milionë euro.

Tashmë, Salus kontrollohet në masën 96% nga familja Peçini. Largimi i italianëve ka ardhur për shkak të performancës negative financiare në vite. Deri në fund të vitit 2017, Salus ka akumuluar humbje për më shumë se 760 milionë lekë. Gjithashtu, deri në fund të 2017, Salus kishte borxhe për më shumë se 5 milionë euro.

Anastas dhe Olti Peçini janë prej vitesh sipërmarrës në tregun e shërbimeve të lidhura me shëndetësinë, si tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore, por, edhe asgjësimi i mbetjeve spitalore. Por, emri i Olti Peçinit u bë i njohur në vitin 2017 për shkak të lidhjeve nme koncesionin e skanimeve në dogana, Rapiscan. Kompania e tij, ICMS, bleu 49% të aksioneve të Rapiscan për vlerën simbolike 500 lekë.

Ky ishte një transaksion mëse i dyshimtë, sepse vlera e kontratës së Rapiscan për skanimin e kontenierëve ishte ishte mbi 200 milionë dollarë amerikanë. Megjithatë, edhe kjo çështje, ashtu si shumë skandale të tjera të lidhura me koncesionet, duket se kaloi në heshtje dhe drejtësia shqiptare nuk bëri asgjë për të zbardhur skemën dhe lidhjet e dyshimta të koncesionit Rapiscan.

Spitalet private po rezultojnë një dështim për investitorët e huaj. Para italianëve të Salus, kishin dështuar edhe grekët e Hygeia dhe turqit e Spitalit Universal. Tashmë, tregu është bërë praktikisht një monopol i Spitalit Amerikan. Mbështetur në bilancet zyrtare, as Spitali Amerikan nuk ka rezultuar ndonjëherë me fitim.

Megjithatë, falë rritjes së pjesës së tregut dhe kontratave të rëndësishme publike, si ajo e dializës, Spitali Amerikan është i vetmi që po mbijeton dhe po zgjerohet.