MENU
klinika

Në Teatrin Kombëtar

Stefan Çapaliku sjell monodramën ‘’Dome’’

08.01.2019 - 11:54

Emri i tij është lakuar edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli’’, por edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit me përshtatjen e veprës së at Gjergj Fishtës ‘’Gomari i Babastasit’’, apo në teatrin Metropol me veprën ‘’Dogfall’’ në vitin 2018, ku nëpërmjet veprave të tij ai ka sjellë shumësi mesazhesh për publikun.

Kësaj radhe ai vjen me një monodramë që do të interpretohet nga aktori i njohur Enver Hyseni. Shfaqia “Dome” është një monodramë e shkruar enkas për aktorin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni.

Monodrama ‘’Dome’’ është shkruar dhe ka regji të Stefan Çapaliku, e cila vjen premierë mbrëmjet e datave 12 dhe 13 janar në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Kjo premierë vjen si ogur i parë i mirë për vitin 2019 në Teatrin Eksperimental që festoi këto ditë edhe të 80 –vjetorit të ngjizjes si teatrit kombëtar. Kalvarit të zgjatur të ecejakeve lart e poshtë të kritikës mbi dhe nën arkitektonikës së teatrit i shtohet këto kohë të ftohta, ngrohtësia kulturore e autorit me shfaqien ‘’Dome’’.

Shkrimtari i veprës ‘’Dome’’ vjen nga një traditë e theksuar intektuale dhe një përvoje profesionale në letërsi. “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” është libri i fundit i promovuar si në Shqipëri dhe në Kosovë ku ai shpreh një autobiografi të jetës së vet nëpërmjet kalvarit individual dhe shoqëror të proceseve të dikurshme të regjimit komunist.

Shkrimi i kësaj vepre është produkt i një përvoje të theksuar intelektuale dhe jetësore gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit si në procese pune apo ndenje të rastësishme. Situatat janë të lidhura fort me mënyrën e jetesës së dikurshme.

Autori tregon se i kanë bërë përshtypje gjithashtu edhe thjeshtësia e tregimit, e veçanërisht mungesa e mllefeve dhe inateve. Brenda kësaj të shkuare ku theksohet edhe drama edhe tragjedia, ai thur mendimet e vet herë pas here duke ekspozuar disa elementë shoqërore që kanë nxjerrë dhe nxjerrin edhe sot krye në mënyrën e jetesës si komikja dhe groteskja, varfëria dhe lavdia, mënyra e mbrujtjes së miqësive.

Brenda këtyre procese shoqërore del dhe mesazhi i veprës së autorit.

Nëpërmjet aktorit ai do të shpallë një akt rrëfimi por mbi të gjitha ky rrëfim sillet te elementi i faljes. Po të shohim problemin e shoqërisë së sotme që vuan nga egocentrizmi dhe narcizmi kulturor procesi i faljes është nga më të vështirat.

Edhe traditat shekullore të hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë si proces final faljen. Gjithë mënyra e orientimit shoqëror orientohet nëpërmjet dy elementëve thelbësorë të sjelljes, besimit dhe faljes.

Është e thjeshtë të urresh, të dhunosh, të frikësosh, por është shumë e vështirë të falësh.

Madje çdo proces i kulturimit të shoqërisë kalon që në mijëvjeçarë historikë nëpërmjet mekanizmit të së mirës dhe të së keqes, nëpërmjet mëkatit të dikurshëm dhe faljes, dhe më vonë kur njeriu kulturor mbrujtet në procese më të zhvilluara sociale vjen nëpërmjet mekanizmit juridik të së drejtës në shoqëri, në institucion, nëpërmjet gjykimit të dënimit apo faljes. Më shumë se mekanizëm juridik falja në dramë është mekanizëm i moralit njerëzor.

Por në kulturë falja është më shumë domosdoshmëri se kurrë. Nga ajo fillon vetvetja. Shoqërisë sonë i mungon vetvetja që kalon nga tjetri, gjë e zgjidhur në aspektin filozofik që në shekullin e 18 me paradigmën ‘’Vetja kalon prej tjetrit’’.

Akoma shoqëria jonë nuk e hedh si dorashkë sfidën e faljes, sfidë që është hedhur që prej thënies së famshme ‘’Falini ata s’e nuk dinë se ç’bëjnë!’’.

Dhe kjo dramë e madhe e shoqërisë mund të thurret bukur nga një autor që quhet Stefan Çapaliku, ashtu si e mendon vetë ai këtë në ndërgjegjen e tij procesin e rëndësishëm të sjelljes shoqërore, faljes.

Ai mundohet sipas mënyrës së vet ta sjellë këtë dramë nëpërmjet restrospektivës reflektuese dhe kulturës së tij.

Muzika është e maestro Haig Zacharian, një nga muzikologët më të mirë në rang kombëtar me një përvojë intelektuale të çmueshme në fushën e muzikës. Edhe në këtë vepër ai vjen aq profesional sa kurrë dhe është një ndër elementet gjithashtu të çmuara të kësaj shfaqje që do të jetë në skenë dy mbrëmje me radhë për publikun e teatrit.

Mos përtoni të ngroheni këtë janar të ftohtë nëpërmjet monodramës ‘’Dome’’!

Teatri eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’ gjithmonë ju mirëpret, mos mungoni!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit