MENU
klinika

Nga Irena Beqiraj

Të “mashtruar” nga e zakonshmja

19.01.2019 - 15:32

Ne i kemi dëgjuar disa nga emrat e tyre, Monet, Cézanne and Renoir.

Përpara se të njiheshin si impresionistë, ata ishin një grup artistësh, (asnjëri i njohur), që e kishin të vështirë të shisnin qoftë edhe një punim të vetëm. E gjithë kjo, sepse tregu i pikturës ishte i rregulluar dhe shijet zyrtarizoheshin nga “Académie Des Beaux-Arts”, e cila zhvillonte një ekspozitë vjetore. Si e tillë, ekspozita kishte standarde shumë rigoroze që një vepër të mund të quhej “Good Art” (Art i Mirë). Impresionistët pikturonin “jetën e përditshme”, jashtë kornizave të përcaktuara zyrtarisht. Çdo ditë ishin në kërkim të suksesit, i cili nuk mund të kishte një rrugë të vetme.

Kështu që, në vend të përpjekjeve personale të secilit për t’u përfshirë në ekspozitën e madhe franceze, ata filluan të organizonin ekspozitat e tyre të vogla. Ata e kuptuan se suksesi nuk mund të matej kurrsesi vetëm, duke plotësuar kushtet dhe standardet burokratike të akademisë. Kreativiteti i tyre mundësoi lulëzimin e disa lëvizjeve në art dhe secili grup sot është i famshëm dhe pjesë e gjithë muzeumeve të botës.

Njësoj si impresionistët, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë më shumë se 20 vjet, duke luftuar secili më vete për të qenë pjesë e Europës. Të ulur në “sallonin e pritjes”, sa shumë energji kanë harxhuar për të hartuar narrativat e duhura, për të proklamuar arritjet dhe justifikuar dështimet.

irena beqiraj-konica.al

Ndërkohë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kenë para tyre të njëjtat sfida social ekonomike – përmirësimin e infrastrukturës, diversifikimin e burimeve të qëndrueshme energjetike, forcimin e konkurrencës, rritjen e eksporteve, uljen e papunësisë, përmirësimin e klimës së biznesit.

4 vjet më parë në Samitin e Berlinit, Bashkimi Europian propozoi një iniciativë të re, atë të integrimit rajonal, e cila përveç disavantazhit të mesazhit të koduar: “Të dashur miq, do të prisni edhe për ca kohë në paradhomë”, u ofroi edhe një mundësi vendeve të Ballkanit.

Ato mund të eksploronin një rrugë tjetër për adresimin e sfidave të përbashkëta, integrimin rajonal.

Përveç konflikteve historike, që në çdo rast do të jenë pengesë për çdolloj integrimi, qoftë rajonal, qoftë europian, integrimi ekonomik rajonal shfaqet apatik, ku 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë akoma “pronësinë” e procesit.

Një problem edhe më thelbësor është qasja nga “lart poshtë”, ku qeveritë drejtojnë procesin me vendimmarrje në letër, me pak rezultate në praktikë ose në rastin më të keq të pa implementueshme. Integrimi rajonal është zënë peng katërçipërisht nga veprimtaritë rutinore dhe burokracitë qeveritare. Njëzëri qeveritë e Ballkanit dhe institucionet ndërkombëtare kanë rënë dakord që çdo njëri nga 6 vendet e Ballkanit, është një ekonomi e vogël dhe modeli i zhvillimit i secilit sot varet nga tregtia edhe investimet.

Tregtia performon nën potencial. Volumi tregtar i 6 vendeve të Ballkanit është sa 70% e volumit tregtar të 11 vendeve të Europës Lindore, të cilat iu bashkuan Unionit 2004. Me gjithë marrëveshjen CEFTA, që daton që prej 1992, kemi një volum çuditërisht shumë të ulët tregtar me njëri-tjetrin. Europa është partneri kryesor në tregti, pasi 2/3 e eksporteve të Ballkanit Perëndimor shkojnë drejt Europës.

Vetëm 20% e eksporteve shkëmbehen brenda 6 vendeve. Kjo sepse kostot dhe koha e konsumuar për të eksportuar mbetet e lartë në vendet e rajonit. Banka Botërore ka vlerësuar se kosto mesatare për njësi të eksportuar nga Shqipëria është 65 dollarë, ndërkohë që për Kosovën kjo kosto arrin 232 dollarë (pa përfshirë taksën e vendosur së fundi për Serbinë).

Ndërkohë që 11 vendet e Europës Lindore, anëtare të EU, koston për njësi të eksportuar e kanë 34 dollarë. Koha e konsumuar në eksport për 11 vendet e Europës Lindore, anëtare të EU, është 5 orë, ndërkohë që në Serbi është 6 orë dhe në Kosovë 66 orë. Megjithëse CEFTA nuk po jep rezultat, ne vazhdojmë të jemi të “mashtruar” nga e zakonshmja, duke besuar tek instrumentet burokratike, të cilat kanë përsosur aftësitë në hartim e implementim protokollesh dhe procedurash, që kanë pak ose aspak ndikim në ekonomi.

cefta-konica

6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dakordësuar për të krijuar një Zonë të Përbashkët Ekonomike, duke hartuar edhe një plan shumëvjeçar për krijimin e saj.

Plani kërkon një tejkalim përtej CEFTA-s, i cili synon unifikimin e procedurave, rregullave, unifikimin e licencave dhe autorizimeve, unifikimin e sistemeve, duke shkuar drejt një dritareje të vetme. Por, sërish plani duhet të rikonsiderojë instrumentet, të cilat, nëse vazhdojnë të jenë të njëjtat si deri tani, diferenca ndërmjet historive të suksesit të servirura nga burokracia me realitetin, do të vazhdojnë të jetë ekstreme.

P.sh, komitetet kombëtare të tregtisë, të krijuara nga Ministritë e Financave, mund dhe duhet të zëvendësohen nga njësitë e inteligjencës së biznesit, të cilat jo vetëm furnizojnë me informacion mbi problematikat reale, por ndihmojnë administratën në prioritizimin më të shpejtë dhe më të saktë të çështjeve që duhet adresuar. Të drejtuara nga dhomat e tregtisë këto njësi mundësojnë qasjen nga “poshtë lart” ose nga “praktika në vendimmarrje”, duke u dhënë më shpejt zgjidhje barrierave tregtare.

Një sfidë tjetër është rritja e konkurrueshmërisë. Një komb apo një rajon është i aftë të zhvillohet, nëse sektori privat apo kompanitë që operojnë në hapësirën ekonomike, janë të gjendje të konkurrojnë me sukses në ekonominë globale, ndërkohë që rrisin pagat dhe standardin e jetesës për qytetarët. Konkurrueshmëri do të thotë produktivitet afatgjatë, dhe si e tillë konkurrueshmëria nuk mund të arrihet me paga të ulëta, monedhë e dobët apo thjesht vende pune.

Struktura prodhuese në Ballkan është e dominuar nga kompani shumë të vogla. P.sh, në Shqipëri bizneset që kanë më shumë se 50 të punësuar, përbëjnë vetëm 1,1% të totalit të sipërmarrjeve. Po ashtu nga 100 kompanitë më të mëdha në gjithë Europën Juglindore, vetëm 11 i përkasin 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 9 janë serbe. Kompanitë nuk po rriten, ato vazhdojnë të kenë probleme me burimet e financimit, por mbi të gjitha atyre u mungon një treg transparent dhe më i madh se tregu i brendshëm. Eficienca e tregjeve është prioritet i çdo strategjie ekonomike të shkruar në letër, por realiteti tregon që tregjet janë akoma ineficiente.

Secili nga vendet e Ballkanit kërkon dhe lufton dëshpërimisht për të thithur investime të huaja. Po t’i referohemi një pyetësori të hartuar nga Banka Botërore, 90% nga 750 drejtorë ekzekutivë të korporatave multinacionale, përgjigjen që investimet e tyre janë të motivuara nga aksesi në tregje të reja dhe klientë të rinj.

banka boterore-konica.al

Duke qenë të ndarë në tregje kaq të vogla, me barriera të mëdha të shkëmbimit tregtar midis njëri- tjetrit, investitorët e brendshëm dhe të huaj, të cilët kanë nevojë të kenë akses në tregje transparente të integruara, pra më të mëdha seç paraqet secila ekonomi e vetme, nuk do të na konsiderojnë, sado të konkurrojmë me paga të ulëta, taksim të ulët apo edhe monedha të dobëta.

Janë vetëm tregjet transparente dhe të integruara, të cilat ofrojnë njohuritë dhe informacionin e nevojshëm për të krijuar incentivat e prodhimit, të cilat stimulojnë konkurrencën dhe inovacionin si dhe koordinojnë kërkesën me ofertën.

P.sh bursat transparente rajonale të energjisë, produkteve bujqësore apo për më tej bursat e kapitalit, do të ishin një hap i rëndësishëm drejt integrimit, pas lehtësimit të tregtisë.

Yuval Noah Harari, në librin e tij Homo Deus thotë: “Burokracitë akumulojnë pushtet edhe bëhen imune karshi gabimeve të tyre. Në vend të ndryshojnë historitë e tyre, me qëllim që këto t’i përshtaten realitetit, ato ndryshojnë realitetin duke ua përshtatur historive të tyre”.

Realitetet që jetojmë sot janë vetëm produkt i burokracisë, e cila e ka më të thjeshtë të ripërsërisë veten në të njëjtën zakonshmëri sesa të jetë kreative në krijimin e një paradigme të re në Ballkanin Perëndimor.

Pazgjidhshmërisht, po vazhdon të na “mashtrojë” e zakonshmja dhe nacionalizimin po vazhdojmë ta përdorim si jorgan të gabimeve tona.