MENU
klinika

Rreziku nga klima

Temperaturat do të rriten me 5 gradë deri në 2100

23.01.2019 - 15:25

Ballkani Perëndimor e sidomos Shqipëria do të vuajnë një rritje të paprecedentë të temperaturave, deri në 5 gradë celcius më shumë në fund të këtij shekulli. Një studim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal mbi këtë çështje thekson se, rajoni po merr trajtën e një klime subtropikale, çka do të thotë se, zonat bregdetare dhe jugore, si Shqipëria, do të jenë gjithmonë e më të nxehta e më të thata gjatë stinës së verës, stinë e cila do të zgjatet edhe më shumë me kalimin e viteve.

Shqipëria është një ndër vendet më të prekura nga ndryshimi klimatik në rajon, me temperaturat në rritje të ndjeshme, si në të ardhmen e afërt, deri në 2035, me rreth 1 gradë celcius. Deri në fund të shekullit projeksionet flasin për temperatura deri në 5 gradë celcius më të larta.

Por, alarmi nuk qendron vetëm këtu, por edhe te reshjet që projektohet të rriten deri në 30% në fund të këtij shekulli, dhe me rreth 5% në të ardhmen e afërt. Në këtë drejtim, Shqipëria do të jetë një prej vendeve më të goditura.

Një tjetër projeksion tregon se Shqipëria do të ketë muaj vere me thatësirë të tejzgjatur dhe muaj dimri me reshje mjaft intensive. Në rritje të ndjeshme projektohen edhe valët e të nxehtit në Shqipëri e në rajon.

Ndryshimet klimatike përkthehen në një barrë të rëndë për ekonominë, pasi, veç problemeve në shëndetin e njerëzve, sjellin edhe çrregullime të florës dhe faunës, probleme me ujin e pijshëm, çrregullimeve të habitateve natyrore dhe parqeve, etj, etj. Për këtë arsye rekomandohet që vendet e rajonit të bëjnë më shumë përpjekje në reduktimin e gazrave serrë dhe zbatimin e marrëveshjes së Parisit.