MENU
klinika

Nga New York Times

Trump e pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes?!

03.01.2019 - 12:41

Presidenti Trump tha të mërkurën se “në thelb” e kishte pushuar nga puna Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis muajin e kaluar, sepse ai ishte i pakënaqur me performancën e Mattis në punën në Pentagon.

Kritika e fundit e tij publike ndaj Mattis, një gjeneral, i cili dha dorëheqjen më 20 dhjetor, pasi nuk e bindi dot Trumpin që të ndryshonte mendimin për tërheqjen e 2,000 trupave amerikane tani në Siri, erdhi në një kohë kur gjithnjë e më shumë po vihet në pikëpyetje karakteri i presidentit.

Trump ka folur me admirim për gjeneralët, por në muajt e fundit, në mënyra të mëdha dhe të vogla, disa nga figurat më të shquara ushtarake, kanë folur kundër Trump, duke e përshkruar atë si të papërshtatshëm për presidencën.

Gjenerali Stanley A. McChrystal, i cili komandonte trupat amerikane në Afganistan nga 2009 në 2010, tha së fundmi se Trump nuk “thotë të vërtetën”.

Gjenerali David H. Petraeus, ish-drejtor i C.I.A., i cili dikur shihej si zyrtar i mundshëm i administratës, kohët e fundit tha se nuk do të punonte për Trump. Dhe gjenerali John F. Kelly, i cili dha dorëheqjen këtë javë si shef i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, tha në një intervistë që qëndrimi i tij në Shtëpinë e Bardhë duhet të gjykohet për gjërat që ai e pengoi presidentin të bënte.

Gjatë pushimeve, dhe njoftimit të papritur të tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, Trump akuzoi “gjeneralët e dështuar” të cilët kishin mbikëqyrur angazhimet e Lindjes së Mesme.

Dorëheqja e Mattis ishte e para mbi një çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare nga një anëtar i kabinetit kryesues që nga viti 1980, por konflikti i tij me Trump nuk ishte i pari.

Në vitin 2006, një numër i oficerëve të ushtrisë në pension publikisht qortuan Sekretarin e Mbrojtjes Donald H. Rumsfeld për trajtimin e tij të luftës në Irak. Në vitin 1993, presidenti Bill Clinton ishte në kundërshtim me zyrtarët ushtarakë mbi lejimin e homoseksualëve dhe lesbikeve në ushtri. Dhe kishte një sasi të madhe mosbesimi ndërmjet Presidentit Barak Obama dhe zyrtarëve ushtarakë lidhur me qasjen e administratës ndaj Irakut dhe Afganistanit.

“Por ne kurrë nuk kemi pasur një president i cili nuk pyet fare për normat e ushtrisë”, thonë gjeneralët. “Asnjë president amerikan kurrë nuk ka guxuar të rrezikojë marrëdhëniet civile-ushtarake amerikane me keqdashje të tillë fëminore,” shkroi Tom Nichols, një profesor në Kolegjin e Luftës Detare, në The Atlantic.

Kritika publike e Trump për Mattis, me sa duket ishte provokuar nga letra e tij e dorëheqjes.

Mattis kishte thënë fillimisht se ai kishte planifikuar të qëndronte në Pentagon deri në shkurt, por pasi letra e tij u publikua kudo në media, Trump papritmas e urdhëroi atë të largohej nga puna që nga 1 janari.

Trump tha të mërkurën në një takim të kabinetit që u kthye në një seancë të zgjeruar pyetje-përgjigje me gazetarët “Nuk jam i kënaqur me atë që ai ka bërë në Afganistan dhe nuk duhet të jem i kënaqur”.

“Siç e dini, Presidenti Obama e shkarkoi atë, dhe në thelb kështu edhe unë”, tha presidenti, duke iu referuar faktit se Mattis shërbeu si komandant i Komandës Qendrore të ushtrisë nën udhëheqjen e  Obamës, por u tërhoq disa muaj më herët se sa pritej në vitin 2013, pas përplasjes së vazhdueshme me ekipin e sigurisë kombëtare të zotit Obama lidhur me politikën në rajon, veçanërisht lidhur me Iranin.

Ai gjithashtu tha se ai mendonte se ai “do të kishte qenë një gjeneral i mirë”, duke shtuar, “por kush e di.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përpjekjet e vazhdueshme të Sekretarit të Mbrojtjes

Jim Mattis, amerikani i vetëm që kërkon paqe me Kinën…

Mund të largohet Jim Mattis

Kabineti Trump sërish në krizë?