MENU
klinika

Pa lëndë të parë

Uzina Ballsh/ 1-mijë punëtorë mbeten pa punë

05.01.2019 - 15:12

Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit protestuan të shtunën për mungesën e lëndës së parë, naftës bruto. Ata I bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë për furnizimin e uzinës, në të cilën punojnë rreth 1 mijë persona.

Mos furnizimi me lëndën e parë, me naftën bruto I ka detyruar dhjetëra punonjës të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh të dalin në një protestë.

Prej një jave tashmë kjo rafineri ka ndalur punën pasi nuk furnizohet me sasi të mjaftueshme të naftës bruto duke i lënë punëtorët të papunë.

Me pankarta në duar ku shkruhej “nafta është jeta jonë” “Duam punë ” “Duam Naftë bruto” etj , naftëtarët protestues i janë drejtuar rafinerisë së Fierit për të protestuar aty ky është edhe vend grumbullimi i naftës bruto.

naftetaret e ballshit-konica.al

Sipas naftëtarëve protestues, sasia e naftës bruto që duhet të shkojë në Rafinerinë e Ballshit duhet të jetë rreth 50 mijë ton në muaj ndërkohë që shkon në masën e 20- 22 mijë tonëve, duke e bërë të pamjaftueshme sasinë e kërkuar.

Po sipas punonjësve, kompanitë Alpetrol dhe Bankers të cilat duhet të bëjnë furnizimin e rafinerisë me lëndë të parë nuk kanë zbatuar marrëveshjet për furnizimin me naftë bruto të ‘Tosk Energy” dhe ‘Bylis Energy”

“Për shkak të mungesës së naftës është pezulluar puna. Nafta e Marinzës është cilësore për punën e uzinës, por është e pamjaftueshme. Uzina kërkon 2500 ton naftë në ditë që të punojë me kapacitet të plotë që të mbajë 1 mijë punëtore. Për këtë arsye shteti të ndërhyjë te Bankers, të na japë cilësinë dhe sasinë e duhur të naftës”

Janë rreth 1000 punëtorë të Uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh të cilët mbeten të papunë nëse në këtë uzinë nuk ka sasi të mjaftueshme të lëndës së parë.

Punonjësit e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh kanë paralajmëruar se nëse kjo situatë nuk merr një zgjidhje atëherë ata do të drejtohen deri në kryeministri për të drejtat e tyre që kjo uzinë të punojë normalisht.