MENU
klinika

Viti 2019

Viti i arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi?

02.01.2019 - 11:54

Viti 2019 do të jetë vit i hapjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, por edhe vit i arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, me këtë fjali të publikuar në profilin e tij në Facebook, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u drejtohet qytetarëve të Kosovës në fillim të vitit 2019, duke paralajmëruar një vit me shumë sfida, por ndër më të rëndat, ai përmend arritjen e një marrëveshje historike paqeje me Serbinë.

Një moment i tillë përcaktues apo vendimtar yni, i cili duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt, ndërlidhet me marrëveshjen përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme dhe përfundimtare. Rrethanat politike në Kosovë dhe Serbi mundësojnë një marrëveshje të tillë”, shkruan Thaçi, duke rikujtuar edhe njëherë rolin që kanë SHBA-së në këtë proces, se “në favor të shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie historike janë SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk kemi kohë për të humbur tani, por me zgjuarsi dhe të bashkuar duhet të vendosim për të mbyllur konfliktin shekullor me Serbinë dhe për ta hapur atë të paqes. Historia, koha dhe gjeneratat e ardhshme do të na gjykojnë për veprimin e duhur apo humbjen e mundësisë. Unë dua që të mbahemi në mend për të parën”.

Për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, shprehet edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por nga prizmi i autoriteteve ndërkombëtare, ai ka tensionuar raportet ndërmjet dy vendeve me vendosjen e tarifës 100 për qind për të gjitha prodhimet e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Kryeministri këtë vendim e mori për shkak të siç thotë “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”, ndërsa, shprehet i vendosur që taksën mund ta heq vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

Masa pos që është politike është edhe në mbrojtje të sigurisë të Kosovës. Nëse Serbia nuk ndryshon, (sepse Serbia është një mini Rusi në Ballkan), atëherë taksa ka me mbet përgjithmonë, përjetësisht. Nëse Serbia dëshiron njohje reciproke do e hiqnim menjëherë, sa më shpejtë që bimë dakord për njohjen reciproke”, tha kryeministri Haradinaj, duke i dhënë mbështetje për një marrëveshje me Serbinë, Grupit Negociator të Kosovës, i mandatuar në Kuvendin e Kosovës. /Konica.al/