MENU
klinika

Premier League, Java 22

Vjen e 6-a radhazi, United pranë Champions

13.01.2019 - 19:23

Pesë fitore në Premier League dhe një në kupë, të gjitha radhazi që pas ikjes së trajnerit Jose Mourinho dhe tashmë Manchester United mund të synojë zonën Champions pas fitores 1-0 në “Wembley” ndaj Tottenham.

Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar mes dy pretendentëve të Premier League. Por duhej të vinte minuta e 44-t, kur Rashford të gjente golin e avantazhit, pas pasimit të marrë nga Pogba.

Në pjesën e dytë pak a shumë e njëjta tablo. Vendasit që kërkojnë të barazojnë, ndërsa United zbret më rrallë, por rrezikshëm, kur Pogba është i pafat pas dy pritjeve të portierit Lloris.

Dele Alli në minutën e 65-të ka humbur rastin më të pastër, kur përballë portierit De Gea, gjuan në kofshën e “gardianit”. Më pas provon edhe Eriksen dhe Son. De Gea është hero sërish në minutën e 73-të ndaj Dele Allit.

Po pritja më e bukur do të ishte në minutën e 86-të, kur De Gea me këmbë shpëton portën pas gjuajtjes së Llorente-s. United mbron rezultatin deri në fund, duke vijuar serinë e rezultateve pozitive.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Premier League, Java 22

Salah rikthen Liverpool te fitorja