Gjykata ka vendosur masën e dënimit me arrest me burg për shtetasin Gazmend Musta, i cili akuzohet se pas një konflikti për motive banale vrau gruan dhe motrën e saj 18-vjeçare.
Krimi monstruoz ndodhi në Ballsh, në prani të dy fëmijëve të mitur të çiftit.
Gentiana dhe Merisa Caushi u vranë me thikë nga 34-vjeçari pasditen e 2 janarit.
Nga ambientet e Gjykatës, Musta deklaroi se vrau gruan pasi ajo kishte kërkuar që të shkonte tek prindërit.
“E vrava gruan ngaqë kërkoi të shkonte te prindërit. Nuk isha dakord që gruaja të shkonte te prindërit. Gruan e godita me thikë sepse më ofendoi, s’duroja më”, tha Musta para togave të zeza.
Debati ka nisur gjatë drekës së 2 janarit ku e ftuar ishte edhe 18-vjeçarja Merisa Caushi. Gentiana ka kërkuar që të shkojë për vizitë tek prindërit të cilët jetonin në fshatin Drizar, por këtu ka ndeshur në kundërshtimin e bashkëshortit të saj. Pas debateve me bashkëshortin ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat.
Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gamozin i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste ai se çfarë do të bëhej. Fill pas sherrit, ai ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshotren, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ajo ka rënë pre e sulmit.
Prej disa kohesh çifti jetonte në një banesë me qira në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh. 34-vjeçari ishte emigrant në Greqi dhe ishte kthyer për festat e fundvitit.