Skënder Luarasi qe arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studjues, vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist e hartues fjalorësh.
Lindi në Luaras të Kolonjës, i biri i Petro Nini Luarasit, pasardhës të familjes Kostallari të Luarasit. Arsimin fillor shqip në Korçë e Negovan (1909-1911) dhe më pas studjoi në Robert College në Stamboll (1912-1913). Vijoi në Easton Academy, NY (1914-1916) International College në Springfield, Mass. ShBA (1916-1920).
Kthehet në Shqipëri, ku punon si mësues i Kryqit të Kuq Amerikan në Elbasan. Më 1922-1926 ndjek gjimnazin klasik në Fraishtadt dhe u diplomua në Fakultetin e Filologjisë në Vienë më 1930. Më 1930-1936 punoi si mësues në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër.
Ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936 nëpërmjet kufirit grek nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936 Luarasi takoi në Paris Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin. Për ta thotë se në fillim i dukej se shkonin mirë, por shumë shpejt kuptoi që dukja gënjente.
U propozoi të hapnin një gazetë si “Liria Kombëtare. Në Lion takoi Ymer Dishnicën, Kolë Tromarën dhe Kostë Çekrezin. Këtu Fundo i tha hapur Luarasit që nuk po bënin mirë që po shkonin në Luftën Civile, ku megjithatë shkoi dhe qëndroi deri më 1939.
Në vitet 1939-1944 vuajti në kampet e pëqendrimit në Francë. Kthehet në atdhe në mars të 1945.
Mbas çlirimit të vendit, u bë nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet.
Qe deputet në vitet 1946-1950. Më 1950 nis punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave. Më 1956-1960 punoi si pedagog.
Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).
Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.
Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Studenti” ShBA më 1920, “Djalëria” Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.
Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore.