MENU
klinika

NBA

Warriors hakmerren ndaj Lakers, vihet rekord

22.01.2019 - 12:07

Një tjetër ndeshje për “kartolinë” në kampionatin e basketbollit amerikan, NBA. Golden State Warriors hakmerren ndaj Los Angeles Lakers për humbjen e pësuar mbrëmjen e Krishtlindjes në “Oracle Arena”.

Këtë herë skena ishte zhvendosur në “Staples Center”, aty ku kampionët në fuqi të NBA u shfaqën prepotentë, duke fituar thellë 111-130.

Pa LeBron James, që vazhdon të jetë i dëmtuar, kalifornianët e patën të vështirë të përballonin furinë e Warriors, sidomos në periodën e tretë, ku u shënua një rezultat i pjesshëm 25-45.

I papërmbajtshëm Klay Thompson, autor i 44 pikëve, ndërsa Stephen Curry u kursye me vetëm 11 pikë e 12 asistime. Thompson theu dhe një rekord në NBA, duke qenë i saktë 100% në 10 gjuajtjet për tri pikë.

37 pikë realizoi James Harden në përballjen e Houston Rockets ndaj Philadephia 76-ers, por, çuditërisht, performanca e tij nuk mjaftoi për të fituar, pasi ai u shfaq si i vetëm në një ishull. Falë 32 pikëve dhe 14 “rebound” të Joel Embiid, 76ers triumfuan me diferencë 121-93.

Boston Celtics mposhtën Miami Heat 107-99, duke e bërë diferencën mbi parket në periodën e tretë, teksa realizuan më shumë se dyfishin e pikëve të kundërshtarit, 37-18. Vazhdon të shkëlqejë për Celtics Kyrie Irving, i cili e mbylli takimin me 26 pikë e 10 asistime.