Kampionët në fuqi të NBA e kanë treguar veten atëherë kur duhet, pasi në “Pepsi Center” të Denver, në përballjen për kreun e Konferencës së Perëndimit, Golden State Warriors u dhanë një leksion basketbolli Nuggets me rezultatin e thellë 111-142.
Falë një periode të parë me plot 51 pikë të shënuara nga kampionët në fuqi, duke thyer rekordin e Phoenix Suns të arritur më 10 nëntor të 1990-ës me 50 pikë, Warriors treguan supremacinë e tyre.
Merita ishte e tëra për “Big Three”, Durant-Thomson-Curry, që vetëm në këtë 12-minutësh realizuan respektivisht 17, 12 dhe 12 pikë. Ndërsa me rënien e sirenës për përfundimin e takimit, Durant regjistronte në total 27 pikë, ndërsa Curry e Thompson nga 31 secili.
Fitore edhe më e thellë e Philadelphia 76ers 149-107 ndaj Minnesota Timberwolves, takim ku spikatën veçanërisht Joel Embiid me 31 pikë e 13 “rebound” e Ben Simmons me 20 pikë, 10 asiste dhe 11 “rebound”.
Edhe Milwaukee Bucks shpërtheu me një fitore të thellë 124-86 ndaj Miami Heat. Një provë forcë kjo nga skuadra e drejtuar nga Budenholzer, që nuk kishte nevojë as për Antetokounmpon në formë të shkëlqyer për të shkatërruar me +38 pikë kundërshtarët nga Florida.
Ndërsa Los Angeles Lakers u kthyen te suksesi, pas dy humbjeve radhazi, duke mposhtur Chicago Bulls 107-100 edhe pa shërbimet e LeBron James, që vijon të jetë i dëmtuar.